Prishtinë, 2 gusht 2025 – Deputeti i i Partisë e Bashkuar Gorane në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha, bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur janë sulmuar fizikisht të premten, njoftoi Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga Qendra Komunale e Mjekësisë Familjare në Dragash se një person është paraqitur me lëndime trupore, të cilat i kishte pësuar gjatë përleshjes fizike në fshatin Zlipotok të kësaj komune.
“Viktima, pas marrjes së ndihmës së parë, është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekut, ka pësuar lëndime të lehta trupore. Rastit i janë përgjigjur menjëherë patrullat e Stacionit Policor në Dragash si dhe njësiti i hetimeve, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit rajonalë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Sipas informacioneve të para, viktimat janë: qytetari A.H, mashkull, bashkëshortja e tij dhe vajza e tyre e mitur”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se i dyshuari është shoqëruar në polici dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Bytyqi ka thënë se motivi i incidentit mbetet ende i paqartë.
Deputeti Hoxha nuk është prononcuar lidhue me raportimet për sulmin fizik ndaj tij, bashkëshortes dhe vajzës së tij. Në faqen e partisë së tij “Partia e Bashkuar Gorane“ (Jedinstvena Goranska Partija”, e ka ndarë një shqetësim tjetër. Ai është ankuar se banorët e Gorës në komunën e Dragashit nuk kanë energji elektrike qe tri ditë me radhë.
“Për të tretën ditë radhazi, banorët e Gorës po përballen me një ndërprerje të plotë të energjisë elektrike. Kjo situatë është përshkallëzuar në një krizë të rëndë humanitare që kërcënon kushtet themelore të jetesës — familjet janë pa ujë të ngrohtë, komunikim, dritë dhe qasje në shërbimet thelbësore”, ka shkruar ai.
Hoxha ka thënë se deri më tani nuk ka pasur marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë problem, pavarësisht apeleve të shumta që ua ka drejtuar institucioneve kompetente në nivel lokal dhe në nivel qendror
“Qytetarët janë lënë vetëm për t’u përballur me kushte që janë të papranueshme në shekullin e 21-të. Në emrin tim personal dhe në emër të qytetarëve të Gorës, u bëj thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, partnerëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve diplomatikë që të reagojnë urgjentisht dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. I bëjmë një apel të veçantë Bashkimit Evropian, si garantues i vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, që të përdorë ndikimin e tij dhe të mbështesë qytetarët e Gorës në arritjen e kushteve themelore të jetesës. Një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike nuk është luks, por një e drejtë themelore njerëzore. Gora nuk kërkon privilegje — kërkon dinjitet, përgjegjësi dhe përgjigje në kohë”, ka shkruar ai.
(r.m.)