Sulmohet me granatë dore ndërtesa e komunës në Mitrovicën Veriore

Prishtinë, 27 qershor 2023 – Policia e Kosovës njoftoi të martën në mëngjes se ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese, të hënën, në orët e vona të natës.

Lënda shpërthyese dyshohet të ketë qenë granatë dore, e cila ka shkaktuar dëme materiale në dy vetura zyrtare që kanë qenë të parkuara pranë ndërtesës.

“Më datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare, dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicën Veriore, afër hyrjes së objektit, është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, shpërthimi i së cilës ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, ka thënë  zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ministria e Punëve të Brenshme të Kosovës ka thënë se policia ka nisur letimet lidhur me sulmin, i cili cilësohet si “vepër terroriste”.

“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë”, ka theksuar ministria.

“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëver të Brendshme të Kosovës.

Ditë më parë afër stacioneve policore në Mitrovicën Verioredhe në Zveçan janë kryer disa sulme me shok-bomba.

Tensionet në katër komunat veriore të Kosovës, kanë nisur më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë e morën detyrën dhe hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë. Serbët, të cilët janë shumicë në këto komuna, kundërshtojnë që këto komuna të qeverisen nga shqiptarët e zgjedhur në zgjedhjet që u bojkotuan nga subjektet politike serbe.

Më 29 maj një pjesë e protestuesve serbë tentuan të futen me dhunë në ndërtesën e komunës së Zveçanit. Ata sulmuan pjesëtart e KFOR-it dhe policëët e Kosovës që janë në mbrojtje të ndërtesës. Dhjetra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestues pësuan lëndime në përleshjet midis tyre.

Në ditët në vijim Policia e Kosovës i ka arrestuar disa prej organizatorëve dhe kryesve të këtyre sulmeve. Serbia, e cila i mbështet protestat e serbëve në Kosovë, thotë se të arrestuarit nuk janë fajtorë. Ajo e akuzon Qeverinë e Kosovës se po bën përndjekjen e serbëve në Kosovë.

(r.m.)