Sveçla akuzon grupet kriminale serbe për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri

Prishtinë, 6 gusht 2022 – Ministri i Brendshëm i Kosovëd, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet kriminale serbe qëndrojnë prapa sulmeve të armatosura ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

“Grupet ilegale serbe, të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tone”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook, të shtunën, pas sulmit të armatasur ndaj patrullës së policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.

Policia e Kosovës njoftoi se persona tash për tash të panjohur kanë shtënë me  armë 10 herë ndaj njësitit për mbikëqyrjen e kufirit që ishte duke e vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit. Për fat të mirë, askush nuk ka pësuar në këtë sulm të armatosur.

“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë, për t’i penguar ose për t’i vrarë ata”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë t’i kryejë me përkushtim detyrat kushtetuese e logjore që i përkasin asaj,  pavarësisht prej sulmeve të organizuara nga grupet kriminale.

“Ne mbesim të angazhuar me të gjitha kapacitetet tona që t’i kryejmë detyrat tona që na obligon ligji e Kushtetuta jonë. Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që u pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ministri Sveçla.

(r.m.)