Sveçla: Dronë nga Serbia e kanë shkelur hapësirën ajrore të Kosovës

Prishtinë, 24 shtator 2025 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kohën e fundit Serbia e ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës. Ai ka thënë se kohë pas kohe ka lëvizje të paautorizuar të dronëve në hapësirën e Kosovës. 

“Ne kërcënohemi nga Serbia në vazhdimësi. Tash, kohën e fundit, ka lëvizje të paautorizuara apo shkelje të hapësirës sonë ajrore përmes dronëve, të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, ka thënë Sveçla në një intervistë për KTV.

Sveçla ka thënë se institucionet e sigurisë, në bashkëpunim me KFOR-in dhe shërbimet partnere po hetojnë rastet e shkeljes së hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Ne jemi duke i hetuar në mënyrë profesionale, në bashkëpunim me KFOR-in, por edhe me shërbimet partnere dhe në momentin që kemi më shumë informata patjetër që do t’i ndajmë me publikun”, ka thënë ai.

Sveçla nuk ka thënë nëse KFOR-i e ka shpallur “zonë të ndaluar për fluturime” zonën operacionale të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për shkak të lëvizjeve të paautorizuara të dronëve, por ka thënë se infrastruktura kritike është vazhdimisht në focus të autoriteteve të sigurisë.

“Infrastruktura kritike monirorohet vazhdimisht dhe organet e sigurisë ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e saj”, ka thënë ai, duke shtuar se qytetarët e Kosovës nuk kanë arsye të brengosen.

“Tash për tash, nuk ka ndonjë gjë për të cilën publiku i Kosovës duhet të brengoset. Të gjitha institucionet e Kosovës janë në krye të detyrës”, ka theksuar ai.  

Sveçla ka thënë se në Kosovë tashmë janë mbyllur të gjitha strukturat paralele serbe, përveç institucioneve të shëndetësisë dhe të arsimit. Ai ka pohuar se në disa raste faktorët ndërkombëtarë kanë reaguar ndaj mbylljes së institucioneve jolegale serbe, por ka shtuar se “në thelb”, askush nuk e arsyeton ekzistencën e këtyre institucioneve.

“Ne në vazhdimësi punojmë me vendet mike në mënyrë që të gjitha këto veprime të jenë realisht të përshëndetura, të mirëpritura, të përkrahura nga aleatët tanë. Ka momente kur ka diferenca në kohë, por në thelb askush nuk i arsyeton ekzistencën e këtyre institucioneve paralele. Qëllimi i këtyre institucioneve paralele nuk ka qenë që t’u shërbejnë qytetarëve. Qëllim primar ka qenë të minohen institucionet e Republikës së Kosovës, të cenohet sovraniteti dhe mundësisht edhe integriteti territorial i Kosovës”, ka thënë ai.

Intervista e plotë: 

 

(r.m.)