Sveçla konfirmon se në Zubin-Potok është zbuluar një tjetër varri masiv

Prishtinë, 3 gusht 2026 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se në komunën e Zubin Potokut është zbuluar një tjetër varri masiv.

Ai ka thënë se të dielën, në fshatin Jabukë, 10 kilometra nga Kallidra e Vogël, ku janë zbuluar mbetje mortore, është gjetur një tjetër varr masiv me mbetje mortore që dyshohet të jenë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin-Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Falënderoj Policinë e Kosovës, njësitë përkatëse për hetimin e krimeve të luftës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e ndërmarrë në drejtim të hulumtimit, hetimit dhe identifikimit të këtyre lokacioneve”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla e ka akuzuar Serbinë për fshehjen e informacioneve për vendndodhjet e varrezave masive në të cilat janë groposur shqiptarët e vrarë gjatë luftës, më qëllim fshehjen e krimeve të luftës. Ai ka theksuar se Serbia, e cila po i ndjek e arreston qytetarët që ofrojnë informacione për krimet e luftës, është po ajo Serbia e kohës së Millosheviqit që ka kryer krime në Kosovë.

“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi. Vuçiq ishte numri dy i Sheshelit, Daçiq ishte numri dy i Millosheviqit e Vulin numri dy i Mira Markoviqit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndërruar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje. Ky shtet, në njërën anë, refuzon të japë informacione për personat e zhdukur, të marrë me dhunë, ndërsa, në anën tjetër, kërcënon dhe burgos qytetarët e saj që bashkëpunojnë për gjetjen e këtyre varreve. Po ashtu, ajo glorifikon përmes memorialeve brigada si ajo 37, pjesëtarët e së cilës janë përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë”, ka shkruar ai.

Sveçla u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë sjelljet e Serbisë.

“Ftoj partnerët ndërkombëtarë të dënojnë dhe ndëshkojnë ashpër këtë sjellje të Serbisë. Pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt të drejtësisë, por ky shtet do të cenojë çdo ditë paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Njëkohësisht ka paralajmëruar se Kosova do të vazhdojë të gjurmojë çdo pëllëmbë të territorit për të ndriçuar fatin e qytetarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“… ne mbetemi të përkushtuar dhe të palëkundur për të gjurmuar çdo pëllëmbë, në mënyrë që të zbardhim fatin e secilit person të vrarë dhe zhdukur nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe të sjellim para drejtësisë secilin kriminel përgjegjës për krimet e asaj kohe”, ka shkruar Sveçla.

Në varrin masiv të zbuluar të martën në Kalludër të Vogël dyshohet se gjenden mbetjet mortore të 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.

Tre të dyshuar lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e tyre u arrestuan javën që shkoi në Zubin-Potok.

Një serb i Kosovës u arrestua të enjten në Kragujevc nga shërbimi sektret i Serbisë. Sipas autoriteteve serbe, ai fajësohet se institucioneve të Kosovës u ka ofruar informacion për vendndodhjen e varrezës masive në Kalludër të Vogël, zbulimi i së cilës çoi në arrestimin e tre serbëve të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*