Sveçla: Kriminelët që marrin urdhra nga Beogradi do të përballen me drejtësinë

Prishtinë, 19 qershor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se në tri ditët e fundit janë arrestuar tre të dyshuar për, siç ka thënë ai, sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit.

“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i rradhës, është Urosh Vukasinoviq, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.

“Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet. Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka theksuar ai.

Të dielën Sveçla ka njoftuar se për sulmin ndaj gazetarëve në pjesën veriore të Kosovës është arrestuar Dalibor Spasiq.

“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste”, ka thënë ai. 

(r.m.)