Sveçla: Në Jabukë janë zbuluar mbetjet e së paku 4 personave, ishin hedhur në një gropë të gëlqeres

Prishtinë, 3 gusht 2026 – Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se mbetjet e së paku 4 personave janë zbuluar në varrezën masive në Jabukë të Zubin Potokut, e cila u zbulua të dielën.

Sveçla ka thënë se dyshohet që viktimat pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë të gëlqeres.

“Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi”, ka deklaruar ai.

Sveçla ka treguar se dy varrezat masive, ajo në fshatin Kalludër e Vogël dhe ajo në fshatin Jabukë, gjenden në të njëjtën luginë, 900 metra nga njëra-tjetra, prandaj dyshohet se në të dyja rastet krimet janë kryer nga i njëjti grup military serb.

“Është e njëjta luginë e përroit, gjë që bën për të dyshuar që kemi të bëjmë me të njëjtin grup”, ka thënë ai.

Sveçla tha se ekipet hetimore, ekspertët e forenzikës dhe të mjekësisë ligjore të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it, po zhvillojnë punën në terren për zbardhjen e rastit.

Ai u ka bërë thirrje familjeve të të pagjeturve që të kenë durim deri në momentin kur ekspertët të bëjnë identifikimin e trupave të zhvarrosur.

Njëkohësisht, është zotuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimin e të gjithë të pagjeturve dhe për nxjerrjen e autorëve të krimeve të luftës të kryera në këtë zonë e kudo në Kosovë.

“Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturit e fundit. Po ashtu nuk do të ndalemi derisa secili kriminel të paguajë për krimet që ka kryer, posaçërisht për këto krime ku gjatë luftës kanë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe pastaj kanë punuar që ky krim të fshihet”, është shprehur ai.

(r.m.)

Comment

*