Sveçla: Serbia kishte në plan aneksimin e veriut të Kosovës, terroristët u përgatitën në qendrat e trajnimit në Serbi

Prishtinë, 1 tetor 2023 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se sulmi terrorist i Serbisë në Banjskë, i kryer para një jave, kishte qëllim aneksimin e pjesës veriore të Kosovës.

“Me qëllim realizimin e këtij qëllimi, aneksimin e veriut të Kosovës, institucionet e Serbise kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuar se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, por këto ditë kemi ofruar dokumente të rëndësishme që dëshmojnë këtë gjë, ndërkaq sot do të shohim me video dhe fotografi jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit”, ka thënë Sveçla të dielën, në një konferencë të përbashkët për medie me Drejtorin e Përgjithshm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

“Në këtë tentim-ankesim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq”, ka theksuar ai.

Sveçla ka thënë se së paku njërën nga qendrat e trajnimit në Serbi e kanë vizituar Vuçiq, Vuçeviq e Mojsilloviq. Ai ka treguar se autoritetet e Kosovës kanë në dorë edhe videoregjistrime që e dëshmojnë këtë.

“Sot do të shohim në detaje me pamje jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi në qendrat e trajnimit në Serbi. Në këtë trajnim janë angazhuar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë, Milan Mojsiloviq. Vuçiqi është munduar ta fshehë faktin se Serbia është angazhuar në organizimin e këtij sulmi”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se trajnimet janë bërë në Kopoanik, në një pronë të Milan Radojçiqit.

Sveçla ka thënë se videoregjistrimet nga qendra e trajnimit të ushtisë në Serbi janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që janë gjetur në Banjskë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se janë siguruar dokumente dhe prova se terroristët e mbështetur nga Serbia kishin një plan për sulme ndaj institucioneve të Kosovës në veri nga 37 pozicione.

“Ata nuk kanë pasur qëllim vetëm marrjen e fshatit Banjskë, apo vrasjen e policit, por plani ka qenë aneksimi i gjithë veriut të Kosovës. Dokumentet që kemi në dorë, e që nuk mund t’i bëjmë publike tani, tregojnë planin e sulmit nga 37 pozicione në gjithë veriun e Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxha ka dhënë më shumë detaje edhe lidhur me përgatitjet e grupit terrorist serb për sulme në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka thënë se hetimet e deritashme çojnë në përfundimin se grupi terrorist që e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, kishte stërvitur një kohë të gjatë në territorin e Serbisë.

Hoxha ka thënë se grupi ishte stërvitur në hapësirën e Hotelit “Grey” në Kopaonik, i cili është pronë e Milan Radoiçiqit, si edhe në poligonin më të madh ushtarak në Serbi, në “Pasuljanske Livade”. Ai ka thënë se Serbia kishte vënë në dispozicion të grupit gjithë logjistikën dhe infrasatrukturën për stërvitje.

“Bazuar në të dhënat e siguruara, rezulton se qendra e grupit terrorist ishte në Kopaonik, në hapësirat që janë pronë e Milan Radoiçiqit. Ushtrimet ushtarake janë kryer në një prej poligoneve më të mëdha ushtarake në Serbi, së paku 4 ditë para sulmit në Banjskë”, ka thënë Hoxha.

Ministri Sveçla ka thënë se përgjegjësi kryesor për sulmin në Banjskë nuk është Milan Rdojiçiq, por shteti i Serbisë dhe presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se Radojiçiq isht vetëm ekzekutori dhe ka bërë të ditur se Kosova do t’ kërkojë partnerëve ndërkombëtarë të iniciojmë procesin për ekstradimin të Radoiçiqit dhe pjesëëtarëve tjerë të grupit terrorist.

Sveçla ka thënë se nga hetimet e deritashme janë siguruar informacione te rëndësishme për lëvizjen e terroristëve dhe për futjen e armëve në Kosovë, por nuk ka dashur të japë më shumë detaje.

(r.m.)