Sveçla: Të gjithë të dyshuarit për sulmin në Banjskë janë futur në sistemin e Interpolit

Prishtinë, 16 shkurt 2024 – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se të gjithë të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit janë future në sistemin e nterpolit për urdhërarrestet ndërkombëtare.

Sveçla, në një njoftim në Facebook, e ka cilësuar këtë veprim si hap të rëndësishëm për nxjerrjen para drejtësisë të urdhërdhënësve, organizatorëve dhe ekzekutuesve të këtij sulmi terrorist.

KOHA pati raportuar në dhjetor se rreth 20 anëtarë të grupit të uniformuar serb që patën kryer sulmin terrorist në Banjskë janë pjesë e listës së kuqe të Interpolit.

Njoftimi i Sveçlës:

Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë.

Llogaridhënia për organizimin dhe realizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku është e domosdoshme. Ndëshkimi për urdhërdhënësit, organizatorët dhe ekzekutuesit e këtij sulmi duhet të ndodhë sa më parë, si garancë e mos përsëritjes së akteve të ngjajshme terroriste.

(r.m.)