Sveçla: Terroristët serbë do të maskoheshin si ushtarë të KFOR-it

Prishtinë, 5 tetor 2023 – Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për “Syri TV”, ka dhënë detaje të reja për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Sveçla ka thënë se në sulmin në Banjskë kanë marrë pjesë rreth 90 terroristë, të cilët kishin synim të hapnin një korridor midis Serbisë dhe komunave të Mitrovicës Veriore e Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.
“Tashmë kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë më 24 shtator. Pra, kishte diku rreth 90 terroristë, të cilët u futën me armatime të rënda në Republikën e Kosovës, planifikuan të realizojnë korridor mes Serbisë dhe dy komunave: Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se terroristët kishin plan që të maskoheshin si ushtarë të KFOR-it.
“Ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm. Disa nga veturat, nga 30 sosh që u futën në Kosovë, kishin stikersa me shenjën e KFOR-it , kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 24 armë me silenciator, që do të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutonin pjesëtarët e policisë. Kështu tensionet do të arrinin në një pikë ku nuk do të dihej se kush në kë po shtinte”, ka thënë ai.
Ministri Sveçla ka përsëritur se ka dëshmi të qarta se armët ushtarake të grupit terrorist janë siguruar nga shteti i Serbisë.
“Për këtë ne kemi dëshmi, kemi edhe fletëpranime e fletëdorëzime të këtyre armëve”, ka thënë ai, duke theksuar se nuk ka dyshim që Serbia ka pasur një rol të rëndësishëm në përgatitjen dhe armatin e grupit dhe në planifikimin, organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist.
Ai ka thënë se në këtë sulm të kenë marë pjesë edhe shtetas rusë.
“Kemi dokumente ruse të kapura në këtë rast. Dyshohet për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të individëve nga Rusia. Sipas, deklaratave të të burgosurve, disa persona nuk kanë folur kurrë dhe kanë pasur maska. Është e mundur të ketë ka pasur edhe pjesëtarë të ‘Wagnerit’. Ne e dimë se edhe nga Serbia ka pjesëtarë të ‘Wagnerit’. Një pjesë e tyre është kthyer në Serbi”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se ndoshta Rusia nuk ka marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ka pasur ndikim.
“Shihet qartazi dora e Rusisë, por nuk ka nevojë që ajo të marrë pjesë drejtpërdrejtë. Mjafton ndikimi i saj në Qeverinë e Serbisë. Pas sulmit, takimin e parë që e pati Vuçiqi ishte me ambasadorin rus në Beograd”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se situata në veri tani është më e qetë, por organet e sigurisë duhet të jenë vigjilente dhe të marrin masa për të parandaluar skenarë të ngjashëm në të ardhmen.
(r.m.)