Nga dr. Sadik Elshani
Ne të gjithë me të drejtë krenohemi për gjuhën tonë të ëmbël e të bukur, njërën nga gjuhët më të vjetra në botë, por shumë pak jemi duke u kujdesur për të, që ta flasim e ta shkruajmë bukur, pastër. Poetët tanë më të mirë, Naimi, Fishta, Mjeda e shumë të tjerë, vargjet më të bukura pikërisht ua kushtuan gjuhës shqipe, për t’ua ngjallur shqiptarëve dashurinë për gjuhën e tyre, “si gjuhë Përendie”. Por, siç duket thirrjet e tyre po bien në veshë të shurdhër.
Ka kohë që niveli i gjuhës sonë të folur e të shkruar është duke u përkeqësuar dita – ditës. Mjafton të lexosh gazetat, revistat e shtypura, portalet elektronike, te percjellësh programet radiofonike e televizive dhe menjëherë bie ne pah ky nivel i mjerueshëm në të cilin ka rënë sot gjuha jonë. Fjalë të huaja të panevojshme e të çoroditura janë duke e vërshuar, duke e dhunuar gjuhën tonë. Por, jo vetëm në fjalor, edhe në sintaksë vërehen gabime të shumta. Thurja e fjalive, radhitja me vend e fjalëve dhe sipas rregullave gramatikore të gjuhës shqipe në fjali ka rëndësi të madhe, sepse në të kundërtën, i humbet kuptimi fjalisë, mendimit të shprehur. Po ashtu, gabimet drejtshkriomore janë të pranishme në shumicën e shkrimeve gazetareske e publicistike, madje edhe në dokumente zyrtare të organeve, institucioneve tona shtetërore e akademike. Gabimet gramatikore, përdorimi i fjalëve në forma të gabuara, nuk mungojnë as në veprat letrare të autorëve seriozë.
Shqetësimet e mia për disa probleme të gjuhës sonë i kam shprehur në dy shkrimet e mëhershme: “Ta pasurojmë dhe ta pastrojmë gjuhën e bukur shqipe” (Dielli, Illyria, 2017), “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (Dielli, Illyria, 2018). Në këtë shkrim do të cek disa probleme lidhur me përdorimin e gabuar të disa foljeve dhe përemrave.
Përdorimi i foljes humb në diatezë e kohë të gabuar
Nuk ka ditë që të mos lexojmë në gazeta tituj me përdorim të gabuar të foljes humb – diatezë e kohë të gabuar. Në vend të kohës së kryer të thjeshtë, diatezës veprore të foljes humb, përdoret koha e tashme e diatezës pësore vetvetore. Ja disa shembuj: “Doktori humbet kontrollin…”, në vend të: “Doktori humbi kontrollin…”, “Kur bota humbet fillin, e fajin ty ta hedh…”, në vend të: “Kur bota e humb fillin, e fajin ty ta hedh…”, “Eli Fara humbet personin e dashur dhe bën këtë dedikim…”, në vend të: “Eli Fara humbi personin e dashur dhe bën këtë dedikim…”.
Përdorimi i gabueshëm i përemrit pyetës “kush” në vend të “cil/i,- a”
Në të folur dhe të shkruar shpesh e hasim të përdoret gabimisht përemri pyetës “kush” në vend të përemrit pyetës“cili”. Përemri pyetës “kush” përdoret për të pyetur për një njeri, ndërsa përemri pyetës “cili”, sipas “Fjalorit të shqipes së sotme”, “përdoret për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një frymor (në kuptimin “kush”) ose për një send. Pra, shpesh “kush” ngatërrohet me “cili”. Ja disa shembuj te marrë nga disa gazeta: “Ja kush vajzë është shembull…”, në vend të: “Ja cila vajzë është shembull…”, “Kush janë planet tuaja për të ardhmen?”, në vend të: “Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?”, “Në kush serrë keni punuar?”, në vend të: “Në cilën serrë keni punuar?”, “Kush shtet e lejon këtë?!”, në vend të: “Cili shtet e lejon këtë?”
Përdorimi i gabueshëm i foljes “jap”
Folja e parregullt “jap” (pj. “dhënë”) në kohën e kryer përdoret gabimisht në të folmen e Prishtinës dhe disa qyteteve përreth. Në vend se në vetën e tretë të kohës së kryer të thuhet: ka dhënë, ia ka dhënë, thuhet gabimisht: ka jap, ia ka jap. Ndodh edhe e kundërta: në kohën e pakryer në vend se të përdoret forma “jap”, përdoret gabimisht forma “dhënë”. Shembull: ia dhake, në vend të: ia jepte. Gati çdo herë mund t’i dëgjoni këto ngatërrime nga gazetarët e analistët nëpër studio televizive të Prishtinës.
Ngatërrimi i gjinive të përemrave pronorë
Nëpër shumë shkrime të gazetave, madje edhe në veprat letrare, në poezi e prozë, të shumë autorëve seriozë hasim në përdorimin e gabuar të mbiemrave pronorë të gjinisë femërore në rasat gjinore, dhanore e rrjedhore. “Sime” është rasa gjinore, dhanore, rrjedhore e përemrit pronor të gjinisë fgemërore, “ime”, por që përdoret gabimisht, “time”. Në vend se të shkruhet: nënës sime, Norës sime, shkruhet: nënës time, Norës time. “Time” përdoret në rasën kallëzore. “Sonë” është rasa gjinore, dhanore e rrjedhore e përemrit pronor të gjinisë femërore “jonë”, por që shpesh përdoret gabimisht, “tonë”. Në vend se të shkruhet: gjuhës sonë, shkollës sonë, ndërgjegjes sonë, shkruhet gabimisht: gjuhës tonë, shkollës tonë, ndërgjegjes tonë. “Tonë” është rasa gjinore, dhanore, kallëzore e rrjedhore e përemrit pronor “ynë”, kallëzore e përemrit pronor “jonë”. Pra, vendit tonë, gjuhën tonë, etj.
Këta janë vetëm disa shembuj të përdorimit të gabuar të disa foljeve e mbiemrave, por ka edhe shumë raste të tjera ku fjalët përdoren gabimisht. Këtu nuk po ndalem te fjalët e huaja që e kanë vërshuar gjuhën tonë, sepse ato i kam trajtuar në shkrimet e cekura më lart. Duhet të kujdesemi më shumë për gjuhën tonë, sepse siç ka thënë profesor Eqrem Çabej: “Ajo është një nga elementet e kombësisë sonë”. Një rol të rëndësishëm, do te thosha kyç, duhet ta luajnë gjuhëtarët e shkrimtarët tanë, shkollat e të gjitha niveleve, institucionet shtetërore e akademike. “Nga se sot rrezikohet gjiuha shqipe?” – e shtron pyetjen profesor Gjovalin Shkurtaj dhe vetë e jep pergjigjen: “Nga mospërfillja, nga mungesa e kujdesit të organizuar e të drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga njëfarë ndjenje e përgjithshme neëvleresimi ndaj saj”. Ndoshta ky mendim i profesor Shkurtajt është me vend, por punët kryhen vetëm atëherë kur dikush ngul këmbë, vendos se kështu nuk mund të vazhdohet më. Ka ardhur koha, madje edhe kaluar, që të themi: mjaft është mjaft! Wshtë koha që të veprojmë dhe jo vetëm të vëzhgojmë sesi niveli i gjuhës sonë, te shkruar e te folur, është duke rënë poshtë e më poshtë. Duhet pak më shumë kujdes, këmbëngulje e dashuri për gjuhën tonë. Ti shfletojmë më shpesh faqet e “Fjalorit të shqipes së sotme” e të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, të merremi më seriozisht me problemet e gjuhës sonë, sepse të flasesh e të shkruash bukur, pastër gjuhën tënde nuk është vetëm kulturë, por është edhe atdhedashuri.
Philadelphia, më 11 shkurt 2024