Takimi i Presidentes Osmani me liderët politikë nuk jep zgjidhje për ngërçin politik në Kosovë

Prishtinë, 15 maj 2025 – Takimi i Presidentes Osmani me liderët politikë ka përfunduar pa ndonjë përparim në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje politike për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Pas takimit, liderët e tri partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë kanë thënë se nuk lëvizin nga pozicionet që kanë mbajtur deri tashti, në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka thënë se situata mbetet po ajo dhe ka përsëritur kërkesën që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të propozojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit. 

“Ishte diskutim brenda pozicioneve që i dini. Kërkova që kryetari i Vetëvendosjes ta ndryshojë kandidatin [për kryetar të Kuvendit]. Të vijë me një propozim që e merr shumicën parlamentare. Nuk pres të ndodhë ky ndryshim. Jemi në situatën e njëjtë”, ka thënë ai.

Krasniqi e ka cilësuar takimin me Presidenten si një hap përpara drejt zhbllokimit të ngërçit. Ai ka bërë të ditur se nga Presdidentja ka kërkuar që nga Gjykata Kushtetuese tëe kërkojë interpretim për gjithë procesin.

”Duhet ta shohim si një hap përpara këtë takim, një përpjekje shtesë edhe përfshirjen e presidentes për të gjetur rrugëzgjidhje. Kam propozuar që presidentja, në zbatim të përgjegjësive që i ka për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, që në një moment kur ajo e vlerëson të nevojshme, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, qoftë me një pyetje apo përmes dërgimit të një lënde në Kushtetuese për gjithë procesin zgjedhor. Kjo krizë nuk është procedurale, është politike. Dhe duhet të kishte zgjidhje politike. Por nëse kjo qasje autoritare vazhdon, do të bëjmë çmos për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LVV-ja nuk ka shprehur vullnet për zhbllokimin e situatës.

“Partitë qëndruan në pozicionet e tyre paraprake, që nënkupton se nuk ka ndonjë zgjidhje eventuale për ngërçin politik, Nuk ka as iniciativë për zhbllokimin e kësaj gjendjeje dhe më së paku nga partia e parë, gjë nënkupton se, siç e pash në takim, [LVV] nuk ka as brengë e as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, ka thënë ai.

Sipas tij, partitë tjera, përveç LVV-së, e kanë pritur mirë idenë e LDK-së për formimin e një qeverie tranzitore.

“Propozova dhe elaborova idenë për qeverinë e unitetit për një periudhë të shkurtër kalimtare, me pika të qarta. Kishte reflektim pozitiv nga partitë tjera, përjashto partinë  e parë që nuk shprehur qëndrim të qartë, por as ide të tjera si të dilet nga kjo gjendje”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe ai ka thënë se Presidentja duhet ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Është mirë që sa më parë presidentja të shqyrtojë dërgimin e kësaj çështjeje në Kushtetuese”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se qëndrimi i tij lidhur me zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë mbetet po ai që e ka shprehur tashmë disa herë.

“Kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues”, ka thënë ai. 

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk është deklaruar para gazetarëve pas takimit e Presidentja Osmani. Me gjasë, kjo do të thotë se ai dhe partia e tij nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, qëndrim ky që bazohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Sipas këtij aktgjykimi, propozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit që fiton numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, ndërsa votimi është process formal.

Takimi i Presidentes Osmani me liderët e katër forcave më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës është mbajtur pas një dështimi tjetër të seancës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Edhe në këtë seancë dështoi votimi për propozimin e Lëvizjes Vetrëvendosje që deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë në mënyrë të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të organit më të lartë të pushtetit legjislativ.

(r.m.)