Takimi LVV-LDK përfundon pa marrëveshje. Duket se palët ndahen për pozitën e presidentit

 

Prishtinë, 4 gusht 2026 – Takimi i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të shtetit.

“Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës”, tha Kurti, pas përfundimit të takimit gati tre-orësh.

Por, sipas të dy liderëve, rruga për një marrëveshje politike mbetet ende e hapur dhe se të dy palët duan t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sa i përket presidentit qëndrimi ynë është që nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Unë nuk mund të sjell emër konkret, sepse ai do të duhej të ishte konsensual, gjithpërfshrës, të mos ishte i LVV-së”, tha Kurti.

“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin”, deklaroi Abdixhiku.

“Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.

Kurti dhe Abdixhiku mohuan se në takimin e sotëm është biseduar për emra. Por, nga deklaratat e tyre kuptohet se në takim është diskutuar për pozita, më saktë për ndarjen e pozitave kryesore. Nga deklarata e Kurtit rezulton se palët nuk janë pajtuar për pozitën e Presidentit të vendit. Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë konsensuale.

“Jemi të interesuar e gatshëm të bashkëpunojmë me LDK sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar. Por, qëndrimi ynë është që pozita e presidentit nuk do të duhej të ishte pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës. Të shohim çfarë sjell komunikimi i ardhshëm. Emri konkret duhej të ishte konsensual gjithëpërfshirës”, tha Kurti.

Ndërkaq, nga deklarata e Abdixhikut del se LDK-ja nuk do të kënaqej me pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremonial, e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë, siç e thotë edhe Kushtetuta”, u shpreh ai.

“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, shtoi ai.

Kurti dhe Abdixhiku bënë të ditur se takimet mes tyre do të vazhdojnë para 7 gushtit, kur është thirrut seanca konstituive e Kuvendit e, mase edhe pas konstituimit të Kuvendit. 

Në krah të Kurtit, në takim ka qenë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kurse në krah të Abdixhikut ka qenë ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri.

(r.m.)

Comment

*