Takimi Mitsotakis-Erdogan – mundësi për uljen e tensioneve mes Turqisë e Greqisë

Stamboll, 6 dhjetor 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, do të shkojë të entjen në Athinë, ku do të takohet me Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ky takim realizohet pas tensioneve disavjeçare që i çuan në prag të luftës këto dy vende anëtare të NATO-s.

Ekspertët e konsiderojnë takimin e Erdoganit me Mitsotakisit si një mundësi afrimi midis dy vendeve, pas tensioneve të mëdha disavjeçare, për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale në Detin Egje dhe në Detin Mesdhe dhe për shkak të ndarjes së Qipros midis komuniteteve greke dhe turke.

“Gjatë muajve të fundit ka patur ulje tensionesh, por vendet ende nuk janë afruar. Në vizitën e ardhshme të presidentit turk në Greqi do të jetë interesante të shihet nëse palët janë të gatshme të kthejnë uljen e tensioneve në një proces afrimi”, ka thënë për Zërin e Amerikës analisti politik Ioannis Grigoriadis, nga Universiteti Bilkent.

Fatkeqësitë natyrore që kanë përjetuar të dyja vendet thyen ciklin e tensioneve dypalëshe. Athina dërgoi ndihma në Turqi pas tërmeteve vdekjeprurëse në shkurt dhe Ankaraja bëri të njëjtën gjë kur Greqia po përballej me zjarret vdekjeprurëse.

Por, analistët paralajmërojnë se mosbesimi i ndërsjellë pritet të vazhdojë, prandaj ka të ngjarë që takimi të përqendrohet në interesat e përbashkëta.

“Tek çështjet e vogla si rritja e tregtisë, rritja e investimeve, turizmi, asgjë tjetër” – thotë analisti politik Alexis Heraclides nga Universiteti Panteon.

Presidenti Erdogan do të shkojë në Athinë me një delegacion 200 anëtarësh, të përbërë nga ministra, diplomatë dhe biznesmenë. Ky është një tregues se të dy palët synojnë të përqëndrohen në tregti dhe në zgjerim të bashkëpunimit.

Analistët thonë se kjo mund të ndihmojë një krijimin e urave të besimit dhe në hapjen e rrugës për trajtimin e mosmarrëveshjeve thelbësore midis dy vendeve.

“Rritja e bashkëpunimit në këto fusha me interes të ndërsjellë, përfundimisht do të çojë në bisedime të reja mbi mosmarrëveshjet në Egje dhe çështje e tjera të mëdha midis dy palëve. Mendoj se është një situatë ku duhet të presim dhe shohim” – thotë Berkay Mandiraci nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Por, ushtritë e Greqisë dhe Turqisë po forcohen dhe pe shtojnë praninë në Detin Egje, ndërsa Qiproja vazhdon të jetë e ndarë.

Ekspertët paralajmërojnë se ngjarjet e fundit në botë duhet të shërbejnë si mësim se për të shmangur përshkallëzimin, tensionet duhet të trajtohen.

“Përvoja me Ukrainën ose Gazën na tregon se konfliktet e ngrira nuk janë një zgjidhje e mençur, sepse një konflikt i ngrirë mund të ndizet dhe përshkallëzohet në mënyrë të pashembullt” – thotë analisti Ioanis Grigoriadis.

Zgjedhjet në të dyja vendet i kanë dëmtuar përpjekjet e mëparshme për afrim, pasi partitë politike kanë nxitur ndjenjat anti-greke dhe anti-turke në programet e tyre, me qëllim që të joshin votuesit nacionalistë. Por, Kryeministri Mitsotais dhe Presidenti Erdogan u rizgjodhën sivjet dhe fituan mandate të qëndrueshme, kështuqë ata nuk do të përballen me zgjedhje të përgjithshme edhe katër vjet. Ekspertët thonë se kjo është një mundësi e rrallë që Turqia dhe Greqia t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të angazhohen për pajtim midis tyre.

(r.m.)