Tarifat e Emigracionit dhe si t’i paguajmë

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Mënyra si të paguani tarifat për aplikimet që i keni dërguar USCIS-it (ku përfshihen tarifat për shërbimet biometrike si dhe tarifat e tjera) do të varet nga fakti nëse ndodheni brenda ose jashtë Shteteve të Bashkuara.

Nëse ndodheni në Shtetet e Bashkuara, tarifat mund t’i paguani nëpërmjet internetit me kartë krediti, kartë debiti, tërheqje shume nga banka, me postë duke përdorur një kartë, çek, ose mandat pagesë; ose duke u paraqitur vetë pranë një zyre të USCIS-it. Nëse jetoni jashtë Shteteve të Bashkuara ose territoreve të saj dhe dëshironi të dorëzoni aplikimin ose peticionin tuaj në vendin ku jetoni, shihni në faqen e internetit të USCIS-it seksionin përkatës që përmban formularët, për të vendosur nëse mund të dorëzoni formularin tuaj pranë një zyre ndërkombëtare. USCIS-i nuk pranon çdo lloj pagese nga vende të tjera. Kontrolloni faqen e internetit të zyrave ndërkombëtare të emigracionit ose kontaktoni Ambasadën ose Konsullatën amerikane për të marrë informacion mbi mënyrën se si të paguani tarifat e USCIS-it.

Rasti kur dërgohen/kombinohen disa aplikime bashkë – Duhet të paguani për çdo aplikim, peticion ose kërkesë që paraqisni duke përdorur një mënyrë të vetme pagese (çek, mandat pagesë ose kartë krediti) dhe jo një kombinim mënyrash. Mund të paguani tarifën e aplikimit që keni paraqitur dhe tarifën e shërbimeve biometrike me të njëjtën mënyrë pagese. Nëse paguani për shumë formularë të dorëzuar së bashku duke përdorur një mënyrë të vetme pagese dhe USCIS-i nuk është në gjendje të pranojë një ose më shumë nga dokumentat e paraqitura, atëherë USCIS-i do t’ju refuzojë dhe do t’jua kthejë të gjithë dokumentat. Për shembull, kur dorëzoni Formularin I-539, Application to Extend/Change Nonimmigrant Status; Formularin I-765, Application for Employment Authorization; dhe/ose Formularin I-824, Application for Action on an Approved Application or Petition, së bashku me Formularin I-129, Petition for a Nonimmigrant Worker, duhet të kryeni pagesa të veçanta për secilin formular. Nëse kombinoni pagesat për këto formularë, USCIS-i do të refuzojë të gjithë formularët, pra të gjithë paketën e dokumentave të paraqitur.

Tarifat e emigracionit mund t’i paguani me transfertë bankare, çek banke me firmën e arkëtarit, çek të garantuar, çek personal dhe mandat pagesa që janë tërhequr nga institucionet financiare të SHBA-së dhe janë të pagueshme në valutë amerikane, pra në dollarë. Si rregull, çekun ose mandat pagasën duhet ta dërgoni me postë së bashku me formularin tuaj. Për disa formularë, mund të paraqisni aplikimin tuaj dhe të paguani tarifat duke u paraqitur personalisht në zyrën përkatëse të USCIS-it, në Shtetet e Bashkuara. Për më shumë informacion referojuni udhëzimeve që përmban formulari. Gjithashtu, disa zyra nuk do të pranojnë më mandat pagesa apo çeqe arkëtare. Ju këshillojmë të shihni faqen përkatëse të USCIS-it, Updates Fee Payment System Used in Field Offices, ku do të gjeni informacionin më të fundit lidhur me sistemin e pagesave që pranohet në ato zyra. Nëse jeni duke paguar tarifat tuaja me çek, ju lutemi të mos harroni të mbushni dhe të firmosni autorizimin që lejon transfertën elektronike të fondeve (Authorization for an Electronic Funds Transfer): Duke dorëzuar çekun, ju autorizoni USCIS-in të konvertojë çekun tuaj në një transfertë fondesh elektronike. USCIS-i do të përdorë informacionin e llogarisë nga çeku juaj për të kryer një transferim elektronik të fondeve – në shumën e çekut – nga llogaria juaj rrjedhëse. Nëse transferimi nuk mund të ndodhë për arsye teknike, ju autorizoni USCIS-in të procesojë kopjen e çekut origjinal duke përdorur procedurat normale të depozimit të një çeku të zakonshëm prej letre. Transferimi elektronik i fondeve nga llogaria juaj mund të jetë më i shpejtë se ai në rrugë të zakonshme. Nëse çeku juaj ose instrumenti tjetër financiar kthehet mbrapsht si “i papagueshëm”, USCIS-i do të bëjë dhe një tentativë tjetër. Nëse ai kthehet si “i papagueshëm” për herë të dytë, USCIS-i do të hedhë poshtë aplikimin që keni paraqitur. Nëse data që përmban çeku nuk është e brenda 365 ditëve të mëparshme, USCIS do ta refuzojë aplikimin e paraqitur.

Nëse paguani me kartë krediti, duhet të paguani çdo tarifë veçmas për secilin aplikim, peticion ose kërkesë që po paraqisni. Nëse po paraqisni një aplikim, peticion ose kërkesë pranë një USCIS lockbox, ose një aplikim, peticion ose kërkesë pranë qendrave të shërbimit të USCIS-it, mund të paguani tarifën për formularin si dhe tarifën e shërbimeve biometrike, nëse ju kërkohet një e tillë, me kartë krediti të lëshuar nga një bankë e SHBA-së. Plotësoni dhe nënshkruani Formularin G-1450, Authorization for Credit Card Transactions (PDF, 261,57 KB) dhe vendoseni mbi paketën e dokumentave të aplikimit, peticionit ose kërkesës tuaj kur t’i dërgoni. Kur përdorni Formularin G-1450, mund ta ndani pagesën për një formular në disa karta krediti ose karta që kanë fonde shuma e të cilave kap totalin e saktë që duhet paguar. Plotësoni një G-1450 për secilën kartë. USCIS-i do të tarifojë kartën tuaj të kreditit për shumën e duhur dhe më pas do të eliminojë Formularin tuaj G-1450 për të mbrojtur informacionin e kartës suaj të kreditit. Formulari do të eliminohet edhe nëse USCIS-i e refuzon aplikimin që keni paraqitur dhe e merr pagesën tuaj. Kur t’ju vijë dokumenti që tregon shpenzimet në kartën e kreditit, do të shihni dhe tarifën e tërhequr nga USCIS-i.

Një mënyrë për të procesuar transaksionin financiar është duke përdorur një llogari rrjedhëse. Informacioni përkatës i llogarisë rrjedhëse duhet të jetë nga një institucion financiar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara; ose duke përdorur një kartë debiti nga një institucion financiar që gjendet në Shtetet e Bashkuara.

Nëse e dërgoni formularin tuaj përmes internetit, sistemi do t’ju udhëzojë lidhur me mënyrën se si të paguani tarifat përkatëse me kartë krediti, debiti ose me kartë të parapaguar. Tërheqjet nga llogaria bankare janë gjithashtu të disponueshme kur paguani online. Pasi të jeni gati të dorëzoni formularin, sistemi do t’ju drejtojë automatikisht në faqen e sigurt të Departamentit të Thesarit, pay.gov, për të paguar tarifat online.

USCIS-i e di që disa aplikantë nuk janë në gjendje të paguajnë tarifat e aplikimit, kështu që ka krijuar një proces që i përjashton këta persona nga detyrimi për t’i paguar këto tarifa (fee waiver) për disa formularë të caktuar si dhe për disa lloje benefitesh. USCIS-i do ta miratojë përjashtimin në fjalë vetëm nëse arrini të tregoni qartë se nuk jeni në gjendje të paguani këto tarifa. Përpara se të marrë vendim, USCIS-i shqyrton me kujdes meritat e çdo kërkese për përjashtim nga detyrimi për të paguar tarifat.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]