Prishtinë, 28 gusht 2021 – Grupi i parë i qytetarëve afganë që do të strehohen përkohësisht në Kosovë pritet të mbërrijë të dielën, rreth orës 19, në Aeroportin e Prishtinës. Zëri i Amerikës ka mësuar se bëhet fjalë për pak më shumë se 100 persona që kanë punuar si kontraktorë të NATO-s,të cilët do të jenë së bashku me familjet e tyre.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë publikuar ende ndonjë informacion më të plotë për vendstrehimin e tyre, por kanë bërë të ditur se nëKosovë do të strehohen rreth 2 mijë qytetarë afganë.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.
Kosova dhe Shqipëria iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të pranojnë një numër afganësh që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talibanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.
(Zëri i Amerikës)