Të gjithë shqiptarët në Prishtinë, me kombëtaren e Kosovës

Prishtinë, 31 mars 2026 – Të gjithë shqiptarët, në mbarë hapësira gjeografike shqiptare dhe në diasporë, sot janë me mendje e zemër në stadiumin “Fadil Vokrri”, me kombëtaren e Kosovës në futboll në Prishtinë.

Raportimet e medies tregojnë për dhjetra mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi kanë ardhur në Prishtinë, për të ndjekur ndeshjen e kombëtares së Kosovës me kombëtaren e Turqisë.

Kjo është ndeshja vendimtare e kualifikimeve për kampionatin botëror të futbollit që do të zhvillohet në SHBA, Kanada e Meksikë, dhe shqiptarët urojmë e shpresojnë që këtë ndeshje ta fitojë Kosova.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ku do të zhvillohet kjo ndeshje është tepër i vogël për t’i pranuar të gjithë. Në stadium ka vend vetëm për pak më shumë se 13 mijë tifozë. Por, shqiptarët duan që të jenë në Prishtinë në këtë ngjarje që mund të jetë historike për Kosovën.

Në Prishtinë sot gjenden reporterët e dhjetra medieve, kombëtare dhe ndërkombëtare. Shumica e televizioneve kombëtare i kanë ndryshuar skemat e tyre programore, për t’i dhënë hapësirë kësaj ngjarjeje me rëndësi historike për Kosovën, por edhe për të gjithë shqiptarët.

Autoritetet shtetërore të Kosovës kanë përcjellë mesazhe motivuese për futbollistët e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se këta futbollistë sonte i përfaqësojnë ëndrrat e të gjithë shqiptarëve.

“Kosova ka lindur mes vështirësive e sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë”, ka shkruar ajo në një postim në rrjetet sociale.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh motivues për kombëtaren e Kosovës

“Me zemër jemi në Prishtinë. Forca Kosovë!”, ka shkruar Begaj.

Analistët dhe njohësit e sportit të utbollit, të cilët i vështrojnë me realizëm cilësitë e të dy ekipeve, presin që kjo të jetë një ndeshje e dy ekipeve pakashumë të barabarta. Të tilla dalin edhe statistikat e dhjetë ndeshjeve të fundit të të dyja kombëtareve.

Megjithatë, shumë prej tyre besojnë në forcën e harmonisë dhe në motivimin e futbollistëve të Kosovës. 

(r.m.)