Prishtinë, 26 mars 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për të hënën në ora 11:00.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit është thirrur një ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe u ka dhënë deputetëve edhe 34 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në qoftë se brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri, atëherë Kuvendit shpërndahet me automatizëm dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Të gjitha partitë politike parlamentare kanë thënë se e respektojnë vendimin e Kushtetueses dhe janë shprehur për zgjedhjen e presidentit të ri me kompromis, por asnjëra prej tyre nuk ka paraqitur ndonjë propozim që do të çonte në zgjidhjen e ngërçit politik në të cilin ka hyrë vendi për shkak të mungesës së pajtimit për një kandidat konsensual.
Megjithatë, sipas rendit të ditës të publikuar nga Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, kryesia e organit më të lartë ligjvënës nuk do të diskutojë të hënën për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në rendin e ditës do të jenë disa marrëveshje ndërkombëtare dhe disa çështje të tjera lidhur me fushëveprimin e Kuvendit.
(r.m.)