Nga Merlin Tushe

Të jesh prind është një nga përvojat më universale. Prindërit janë një fener i jetës së një fëmije. Ata vendosin themelet për fëmijët, i ushqejnë, i edukojnë dhe i pajisin ata për të qenë të aftë përgjatë jetës së tyre. Prindërit mbrojnë fëmijët e tyre dhe bëjnë sakrifica të panumërta vetëmohuese për të siguruar rritjen e tyre. Sfidat e prindërimit paraqiten shumë kohë më përpara se fëmija të vijë në jetë.
Bazuar në Rezolutën 66/292 të vitit 2012, Asambleja e Kombeve të Bashkuara miratoi “Ditën Globale të Prindërve”. Kjo ditë celebrohet çdo vit më 1 Qershor në SHBA e më gjerë dhe synon të nderojë prindërit për angazhimin e tyre ndaj fëmijëve dhe sakrificat e tyre gjatë gjithë jetës për familjen. Të jesh prind nuk është një shëtitje në park, në natyrë – është përgjegjësi, është përkushtim.
Pas përvojës jetësore, referuar edhe raporteve të OKB-së, marrëdhënia njerëzore prind-fëmijë është lidhja më e rëndësishme dhe e vërtetë që shumica prej nesh do ketë ndonjëherë. Ndaj dhe përkushtimi i prindërve respektohet dhe vlerësohet në këtë ditë. Është më se thelbësore që një fëmijë të rritet me prindër dhe në një mjedis të shëndetshëm, pasi prindërit janë modeli i së ardhmes së tyre.
Prindërit kanë përgjegjësinë kryesore ndaj pasardhësve të tyre dhe rëndësinë e roleve të tyre në zhvillimin e fëmijëve. Nëse një prind (babai i fëmijës) mohon fëmijën e tij, shkakton trauma të forta emocionale tek nëna dhe fëmija. Mospagimi në kohë dhe me dashje i mbështetjes financiare që një prind është i detyruar të japë me vendim gjykate ndaj fëmijës së tij/saj, Ligji Federal në SHBA e njeh si krim dhe kjo rezulton me gjoba, burgim dhe dënime të tjera. Ky ligj duhet zbatuar edhe në Shqipëri, pasi në dy rastet e mësipërme këto situata, përveç traumave të forta emocionale sjellin edhe shkatërrimin e jetës së nënës dhe fëmijës.
Duke u njohur me rolin jetësor që luajnë familjet, prindërit dhe kujdestarët në mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve, në takimet e ndryshme që organizon çdo vit OKB, pjesëmarrësit flasin për rolin e rëndësishëm që luan familja në mbështetje të arsimimit dhe edukimit ekonomik të fëmijëve dhe krejt familjes. Me rritjen e mirëqënies familjare përmbushen edhe objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit, duke synuar zhvillimin mendor në të gjithë botën.
Sipas OKB-së, familja ka një ndikim të drejtëpërdrejtë ndaj paqes e zhvillimit njerëzor dhe pohon se një martesë e fortë i shërben domosdoshmërisht shëndetit, familjes dhe jetës sociale në tërësi. Gjithashtu Kombet e Bashkuara deklarojnë se kjo ditë tashmë festohet në mbarë botën.
Duke ndjekur nga afër disa evente të OKB-së për “Ditën Globale të Prindërve”, vemë re se diskutimet kryesisht përqëndrohen tek roli thelbësor i prindërve në familje. Në kumtesat e tyre folësit ndihen krenarë që marrin pjesë në takime të tilla. Këtë gjë ia atribuojnë prindërve të tyre, që i lindën, rritën dhe shkolluan për të qenë të aftë e të denjë për familjen e shoqërinë. Në shenjë mirënjohje dhe respekti falenderojnë prindërit e tyre për kujdesin e treguar.
Pas përfundimit të diskutimeve, mbahet koncert artistik dhe në monitor paraqiten pamje nga aktivitete ndër vite të OKB-së për prindërit e gjeneratat e reja. Është vërtetë kënaqësi tek dëgjon me vëmendje se si personalitete nga bota flasin me aq dashuri për prindërit e tyre, momente këto që të krijojnë respekt e mirënjohje të veçantë për këtë ditë. Pas diskutimeve të shumta dhe ideve të ngritura nga ky panel, Kombet e Bashkuara vlerësojnë kontributin e gjithësecilit, duke e quajtur këtë ditë si një ditë historike për të ardhmen e familjes në të gjithë globin.
Por sa e rëndësishme është kjo datë edhe për ne shqiptarët kudo që jetojmë e punojmë? Kemi shumë raste ndër shqiptarë, ku fëmijët braktisin prindërit e tyre. Nuk tregojnë dëshirën e vullnetin e mirë për t’i shërbyer atyre në moshën më kritike që ata ndodhen, kur janë të sëmurë e të pa aftë për t’i shërbyer vetvetes. Paraqiten indiferentë e mosmirënjohës ndaj dashurisë, sakrificës dhe kujdesit që prindërit treguan për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Arsyet për moskujdesjen ndaj prindërve janë nga më të ndryshmet, të llojit “dua të shikoj jetën time, rehatinë e familjes time”, etj. Aq të pashpirtë tregohen, sa që arrijnë deri aty sa të mos t’i vizitojnë e as në telefon mos t’i marrin për vite prindërit e tyre.
Justifikime për t’ju shmangur përgjegjësive për kujdesin ndaj prindërve…. Sigurisht arsyet edhe mund të qëndrojnë, por mos duket çudi që më pas vijnë pasojat – mosmarrëveshjet, debatet mes fëmijëve e familjeve. Sado i hidhur, ky është realiteti çfarë ndodh rreth nesh e këto janë fakte të pamohueshme të sjelljes së pandërgjegjshme të disa individëve ndaj kujdesit të prindërve.
Kujdesi ndaj prindërve nuk është detyrim ligjor, por nuk mbaron këtu. Këto situata kanë ndodhur e do të ndodhin përsëri. Institucionet shtetërore, arsimore, të edukimit e të pavaruara duhet të punojnë më shumë për ndërgjegjësimin e kujdesit të fëmijëve ndaj prindërve dhe krejt familjes.
Kudo sot, edhe në Shqipëri janë hapur qendra për kujdesin e të moshuarve, por krehja e flokëve, një përqafim i ngrohtë apo edhe një telefonatë e fëmijës ndaj prindërve, zbukuron ditën e tyre, i zgjat edhe jetën.