San Antonio, 5 korrik 2025 – Shira të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të menjëhershme përgjatë lumit Guadalupe në Teksas të premten, duke lënë të paktën 27 të vdekur, mes të cilëve 9 ishin fëmijë, si edhe dhjetëra të zhdukur.
Mes të zhdukurve janë 23 deri në 25 fëmijë që gjendeshin në një kamp veror për vajza, në brigjet e lumit Guadalupe.
Brigjet e lumit Guadalupe në Teksasin qendror janë të mbushura me kampe dhe kampingje për të rinjtë, të cilët shkojnë për të notuar dhe për të shijuar natyrën. Zona është veçanërisht e populluar gjatë festës së 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, prandaj është e vështirë të dihet saktësisht se sa persona janë të zhdukur.
“Tash për tash, as nuk duam të fillojmë të bëjmë vlerësime”, tha të shtunën në mëngjes Menaxheri i Qytetit, Dalton Rice.
Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar kontrollin në brigjet e lumit të vërshuar, në kërkim të të zhdukurve. Ato përdorën helikopterë, anije dhe dronë, për të kërkuar viktima dhe për të shpëtuar njerëz të bllokuar në pemë dhe në zonat e përmbytura.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë edhe të shtunën gjatë natës. Por, kryetari i bashkisë së Kerrville, Joe Herring, Jr., ishte pesimist se mes të zhdukurve mund të ketë njerëz të mbijetuar.
“Njerëzit duhet ta dinë se sot do të jetë një ditë e vështirë. Ju lutemi lutuni për komunitetin tonë!”, tha ai.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, premtoi mbështetje për familjet e dëmtuara.
Shërbimi Kombëtar i Motit i Shteteve të Bashkuara shpalli gjendje të jashtëzakonshme në qarkun Kerr në rajonin Hill Country të Teksasit, rreth 105 kilometra në veriperëndim të San Antonios, pasi stuhitë sollën deri në 30 centimetra shi.
(r.m.)