Gazë, 26 maj 2025 – Sulmet izraelite vranë të paktën 52 njerëz në Rripin e Gazës, të hënën, përfshirë 36 në një shkollë në lagjen Daraxh të Qytetit të Gazës, e cila ishte shndërruar në strehimore, e cila u godit teksa njerëzit po flinin.
Fahmy Awad, shef i shërbimit të emergjencave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, tha se në mesin e të viktimave ishiin edhe një baba dhe pesë fëmijët e tij. Ai njoftoi se në sulmin në shkollën u plagosën edhe dhjetëra njerëz.
Fahmy tha se shkolla u godit tri herë teksa njerëzit po flinin. Në pamjet që u shpërndanë online shihen ekipet e shpëtimit duke luftuar me zjarret dhe duke i nxjerrë viktimat e shkrumbuara.
Izraeli fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve, për shkak se ai operon në zona të banimit.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët që operonin nga shkolla. Ajo tha se sulmet e saj kishin në shënjestër një komandë dhe një qendër kontrolli të militantëve brenda shkollës, të cilën Hamasi dhe Xhihadi Islamik e përdornin për të mbledhur informata për sulmet.
Në një sulm tjetër ndaj një shtëpie u vranë 16 anëtarë të një familjeje. Spitali Shifa në qytetin e Gazës ku u pranuan kufomat e tyre bëri të ditur se viktimat ishin pesë gra dhe dy fëmijë.
Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se militantët palestinezë i lëshuan tri raketa nga Gaza, dy prej të cilave nuk arritën ta kapërcenin territorin, ndërsa e treta u pengua nga mbrojtja izraelite.
Izraeli ësht zotuar se do ta marrë në kontroll të plotë Gazën dhe se do të vazhdojë me operacione derisa Hamasi të shkatërrohet plotësisht dhe derisa t’i kthejë në Izrael 58 pengjet që mbahen ende nga Hamasi.
Grupet humanitare paralajmërërojnë se banorët e Gazës mund të vdesin urie për shkak të ndihmave të pamjaftueshme humanitare.
Javën e kaluar, Izraeli nisi të lejonte futjen e një sasie të vogël ndihmash humanitare, pas dy muajsh e gjysmë bllokimi. Por, ndihmat që po lejohen të futen tani në Gaza janë të pamjaftueshme për shmangien e “zisë së bukës” në Rripin e Gazës.
Izraeli thotë se planifikon ta marrë kontrollin e plotë të Gazës dhe të lehtësojë atë që ai e quan “emigrim vullnetar” të mbi 2 milion banorëve të saj. Ky plan është hedhur poshtë nga palestinezët si edhe nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.
(r.m.)