Të paktën 54 të vrarë nga bombardimet e pareshtura izraelite në Gazë

Gazë, 15 maj 2025 – Ushtria izraelite ka kryer sulme të shumta në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Han Junis, gjatë natës së mbrëmshme dhe në mëngjesin e së enjtes, duke i vrarë më shumë se 50 njerëz, thanë autoritetet palestineze.

Një kameraman i Associated Press në Han Junis numëroi 10 sulme ajrore mbi këtë qytet gjatë natës deri në mëngjesin e së enjtes dhe pa shumë trupa të dërguar në morgun e spitalit Nasser.

Në mesin e të vdekurve është edhe një gazetar që punonte për rrjetin televiziv nga Katari, Al Araby TV, njoftoi rrjeti në rrjetet sociale, duke thënë se Hasan Samour u vra së bashku me 11 anëtarë të familjes së tij në një nga sulmet në Han Junis.

Morgu i spitalit konfirmoi se janë vrarë 54 njerëz.

Kjo ishte nata e dytë e bombardimeve të rënda, pas sulmeve ajrore të së mërkurës në veri dhe jug të Gazës që vranë të paktën 70 njerëz, përfshirë dhjetëra fëmijë.

Ndërkaq, një sulm tjetër ajror në veri të territorit palestinez ka lënë të vdekur më shumë se dhjetëra njerëz, kanë thënë autoritetet palestineze

Ushtria izraelite nuk i ka komentuar këto sulme deri tani.

Prej më shumë se 10 javësh, Izraeli e ka ndaluar plotësisht importimin e mallrave në Gazë, përfshirë ushqimet dhe ilaçet. Organizatat humanitare ndërkomëtare thonë se furnizimet me ushqime janë drejt përfundimit dhe uria është përhapur gjerësisht në Rripin e Gazës.

(r.m.)