Të paktën 60 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në Gazë gjatë natës

Gazë, 20 maj 2025 – Të paktën 60 paslestinezë janë vrarë në sulmet e kryera natën mes të hënës dhe të martës në Rripin e Gazës, njoftuan zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Të paktën 22 persona janë vrarë në bombardimet e një shtëpie dhe një shkolle të shndërruar në vendstrehim në veri të Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, më shumë se gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Spitali i Martirëve në Al-Aksa bëri të ditur se në një sulm të kryer në qytetin qendror Deir al-Balah janë vrarë 13 persona, ndërsa në një tjetër të kryer ndaj kampit të refugjatëve Nuseirat e kanë humbur jetën 15 persona.

Ndërkaq Spitali Nasser njoftoi se 10 persona janë vrarë në dy sulme të kryera në qytetin Han Junis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite, e cila thotë se po i sulmon vetëm objektivat e militantëve, po e fajëson Hamasin për vdekjen e civilëve. Sipas saj, ky grup po operon në zona të populluara.

Izraeli ka nisur një ofensivë tjetër të madhe në Gazë gjatë ditëve të fundit, me arsyetim se po vepron për të kthyer dhjetëra izraelitë që po mbahen peng nga Hamasi dhe për shkatërrimin e këtij grupi.

Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dha leje për hyrjen e një numri të vogël të kamionëve me ndihma humanitare në Gazë, pas ndalimit për 2 muaj e gjysmë. Ai tha se këtë e bëri sepse ishte përballur me trysni për të hequr bllokadën për ndihma humanitare e cila ka shkaktuat frikë nga zia e bukës për mbi 2 milionë palestinezë.

Agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thanë se sasia e ndihmave që ka hyrë në Gazë të hënën nuk përmbush as nevojat minimale për ushqime, ilaçe dhe furnizime të tjera. Gjatë armëpushimit disaditësh të pak kohëve më parë, në Gazë kanë hyrë rreth 600 kamionë me ndihma humanitare në ditë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë bëri të ditur se gjatë ofesnsivës izraelite në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 53.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

(r.m.)

Comment

*