Të  paktën 80 palestinezë të vrarë nga një sulm izraelit në Gazë

Gazë, 10 gusht 2024 – Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se një sulm ajror izraelit goditi mëngjesin e së shtunës një shkollë të shndërruar strehë për të zhvendosurit në qytetin e Gazës, duke vrarë më shumë se 80 veta, në një nga sulmet më vdekjeprurëse në luftën 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite e pranoi se ka kryer sulmin, duke pretenduar se goditi një qendër komanduese të Hamasit brenda shkollës. Hamasi e mohoi një pretendim të tillë.

Sulmi në shkollën Tabeen në qytetin qendror të Gazës la pas vetes 47 të plagosur, tha shërbimi i urgjencës në ministrinë e Shëndetësisë. Ndërtesa, sikurse pothuajse të gjitha shkollat e Gazës, është përdorur si një strehë për ata që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Fadel Naeem, drejtor i spitalit al-Ahli në qytetin e Gazës, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, se në spital u dërguan 70 trupa të të vrarëve në sulm dhe pjesët e trupit të të paktën 10 të tjerëve.

Sulmi u krye pa paralajmërim para agimit, ndërsa njerëzit po luteshin në një xhami brenda shkollës, tha Abu Anas, një dëshmitar.

“Kishte njerëz që faleshin, kishte njerëz që laheshin dhe kishte njerëz që flinin lart, duke përfshirë fëmijë, gra dhe pleq”, tha ai. “Raketa ra mbi ta pa paralajmërim. Raketa e parë dhe e dyta. Ne i gjetëm copat e trupave”.

Tri raketa shkatërruan shkollën dhe xhaminë brenda, ku rreth 6,000 njerëz të zhvendosur po strehoheshin nga lufta, tha Mahmoud Bassal, një zëdhënës i Mbrojtjes Civile që vepron në kuadër të qeverisë lokale të drejtuar nga Hamasi.

Shumë nga të vdekurit nuk njiheshin, tha ai, duke shtuar se pret që numri i të vdekurve të rritet. Shumë nga viktimat ishin gra dhe fëmijë, tha ai.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 477 nga 564 shkollat në Gaza janë goditur ose dëmtuar deri më 6 korrik. Në qershor, një sulm izraelit në një shkollë që strehonte palestinezët e zhvendosur në Gazën qendrore la pas vetes të paktën 33 të vrarë, duke përfshirë 12 gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Të enjten, ushtria izraelite goditi dy shkolla që strehonin persona të zhvendosur në lindje të qytetit të Gazës, duke vrarë të paktën 15 persona, sipas zyrtarëve të spitalit në qytet.

Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve në Gaza, duke thënë se grupi rrezikon civilët duke shfrytëzuar shkollat dhe lagjet e banuara si baza për operacione dhe sulme.

Shërbimi izraelit i zbulimit tregoi se rreth 20 militantë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik, duke përfshirë komandantë të lartë, po përdornin kompleksin e shkollës Tabeen për të planifikuar sulme ndaj forcave izraelite, tha nënkoloneli Nadav Shoshani, një zëdhënës ushtarak izraelit, në një deklaratë në platformën e mediave sociale X.

Izzat al-Rishq, një zyrtar i lartë i Hamasit mohoi se kishte militantë në shkollë.

Sulmi ndodhi ndërsa Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti ripërtërinë përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi që mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në rritje në rajon, pas vrasjes së udhëheqësit të lartë politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut në Bejrut.

Egjipti, i cili kufizohet me Gazën dhe shërben si ndërmjetës, tha se sulmi në shkollë dëshmoi se Izraeli nuk ka ndërmend të arrijë një marrëveshje armëpushimi dhe t’i jap fund luftës.

Jordania fqinje gjithashtu dënoi sulmin, duke e quajtur atë një “shkelje flagrante” të ligjit ndërkombëtar.

Fushata e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 39,600 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 91,700 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të enklavës. Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, në të cilin militantët nga Gaza hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Më shumë se 1.9 milionë të banorëve të Gazës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke ikur vazhdimisht nëpër territor për t’u shpëtuar sulmeve. Shumica tani janë të grumbulluar në kampe të stërmbushura tendash të shkatërruara, në një zonë prej rreth 50 kilometrash katrorë në bregun e Gazës.

(Zëri i Amerikës)