Të qenit “Elvis”

Astrit Lulushi

Ka shumë imitues të Elvisit. Por ky rast është i veçantë; duket aq i bindur se është në të vërtetë “The King” – Mbreti – sa nuk do t’ia përjashtojmë këtë mundësi.
“UFO erdhi mbi kokën time,” tha Elvis Aaron Presley. “Dhe më ka mbytur me dritën e tij. Pata këtë vizion se kisha një veshje ngjyrë kafe dhe diamantët e rremë në të shkëlqenin. Dhe thashë: Çfarë po ndodh kështu? Ky është Elvis. Por jam edhe unë” Ai tha se në fakt mund ta ndjente ADN-në e Elvisit duke zëvendësuar ADN-në e tij. Kujtimet e Presley-t të vërtetë vërshuan në mendjen e tij, si dhe arsyeja e transformimit të tij të çuditshëm: qeveria amerikane e kishte hipnotizuar Elvis Presley-n në vitin 1977 dhe e dërgoi atë në Yukon për të jetuar ​​me emrin “Gilbert Nelles”. Trembëdhjetë vjet më vonë, ai u “riaktivizua”. Kështu i thanë jasht tokësorët. Pas takimit, Nelles i lyejti flokët e tij të kuqe-bjonde në të zeza dhe ligjërisht ndryshoi emrin e tij në Elvis Aaron Presley. Tani ai vesh një jumpsuit me tegela, syze dielli me përmasa të mëdha, dhe flet në të njëjtin dialekt jugor si Mbreti.
Por nuk është se Nelles ishte “normal” deri në takimin e tij me alienët. Ai ishte i njohur në qytetin e vogël Yukon të Tagishit si paksa…eksentrik; u thoshte njerëzve të shikonin se çfarë thonë, sepse CIA po e monitoronte. Mbrëmjet i kalonte në bingo dhe karaoke dhe bënte një jetë modeste duke pikturuar peizazhe në tava ari dhe ua shiste turistëve. Vendasit thonë se Elvisi i tyre me të vërtetë filloi ta humbasë mendjen atë dimër të ftohtë të vitit 1990. Kjo ishte kur ai ndërtoi vetes një kabinë në pyll nga shtyllat e telefonit të vjetër dhe të hedhur poshtë. Kimikatet e përdorura për të ruajtur shtyllat lëshonin tymra të dëmshëm – të cilët mund të jenë fajtorë për vizionet e tij dhe besimin se ai është Elvisi. Por kur dëgjon të tregojë përrallën e tij të çuditshme, ai nuk del si i çuditshëm. Ai tingëllon më shumë si…Elvis (ky i fundit, versioni i Vegas i fryrë nga droga). Dhe ai ka shumë fansa besnikë: “Njerëzit në fakt më puthin këmbët dhe më thonë: “Elvis, Zoti të ka kthyer tek ne!”
Në tre dekada që nga transformimi i tij, Tagish Elvis është bërë personazh i famshëm. Një nga momentet e tij më krenare ishte kur performoi me Chubby Checker në Las Vegas. Një nga pikat e tij më të ulëta ndodhi gjithashtu në qytetin e mëkatit: Ai u sulmua në një festë nga një grup djemsh të cilët e lanë me dy sy të nxirrë.
Ai me të vërtetë tingëllon shumë si Elvis Presley; ka shkruar dhe regjistruar tre albume me muzikë të stilit Elvis: Still Living (1996), Armageddon Angel (2003) dhe A King’s Ransom (2007). Ai madje ishte subjekt i një filmi dokumentar të pavarur të vitit 2008 të quajtur “Elvis”.
Përveç të kënduarit, një nga gjërat e preferuara të Elvisit është të padisë njerëzit. Aventurat e tij ligjore filluan në vitin 1996 kur gruaja e tij, e ngopur me vizionet paranojake të burrit të saj, i tha atij se po largohej nga kabina. I tërbuar, Elvisi e akuzoi atë se ishte një peng tjetër në përpjekjet e qeverisë amerikane për ta kontrolluar atë dhe më pas qëlloi me armë drejt saj, por humbi. Kur policia u shfaq dhe e arrestoi, njëri prej tyre përmendi se duhet të kërkonte “ndihmë profesionale”. Elvis ngriti një padi prej 1 milion dollarësh kundër Policisë për shpifje. Gjykatësi e pushoi çështjen dhe e gjobiti atë 10 dollarë për “humbje të kohës së të gjithëve”. Por ky ishte vetëm fillimi. Sipas CBC News, “Elvis ka paditur pothuajse çdo autoritet ligjor në vend, duke përfshirë oficerët e policisë, avokatët, gjyqtarët, Komisionerin e Ankesave dhe madje edhe Avokatin e Përgjithshëm të Kanadasë.” Ai madje paditi një herë magnatin e revistës Huslter , Larry Flynt, për paraqitjen e Tagish Elvis si “të çmendur” në Hustler. Elvisi donte miliona, por tha se do të kënaqej me një falje të thjeshtë. Kështu që Flynt, duke mos dashur të shkonte në gjykatë, shtypi një shënim të shkurtër “më falni që ju quajta “i çmendur” në numrin tjetër.
Elvisi do të përfaqësonte gjithmonë veten në gjykatë. I veshur me regalinë e plotë të Elvisit, dhe shpërthente në këngë gjatë deponimeve të tij. Deklaratat e tij të rrëmujshme përbëheshin nga qindra faqe të historive të rrëmbimit nga UFO-t dhe kontrollit të mendjes. Më në fund, në vitin 2003, një gjykatës në Whitehorse e gjobiti me 10,000 dollarë për padi të kota dhe u ndalua të ngrinte padi. Elvis u largua nga ndërtesa…por jo përpara se të kërcënonte se do të padiste gjykatësin për 120 milionë dollarë.
Por ku përfundojnë individët e shqetësuar? Në Politikë, sigurisht.
Në vitin 2005 Elvis kandidoi për postin drejtues të Partisë Liberale Yukon, por mori vetëm pesë vota. Ai ia doli disi më mirë vitin e ardhshëm, kur mori 40 vota ndërsa garonte si i pavarur për legjislaturën e Jukonit, duke premtuar se do të rregullonte sistemin e korruptuar të gjykatave. Ai humbi, por u përpoq përsëri në 2011, duke përdorur sloganin, “Be a Hound Dog, Voto Elvis Presley, Make Yukon Graceland”. Ai humbi përsëri.
Ato disfata, megjithatë, nuk ishin asgjë në krahasim me zhgënjimin në televizionin kombëtar. Tagish Elvis performoi para audiencës së tij më të madhe ndonjëherë në vitin 2010, kur, në moshën 54-vjeçare, doli në shfaqjen e lojërave Dragon’s Den, në të cilën garuesit ia parashtrojnë propozimet e tyre të biznesit një paneli. I veshur me një jumpsuit të bardhë, Elvis shpërtheu në skenë duke kënduar një “Elvis original” të quajtur “Country Child”. Dhe kjo u bë shkak që paneli ta përjashtonte nga gara.
Aktualisht me banim në Ross River, Yukon, ai është ende duke bërë atë që bën më së miri: të qenit Elvis Presley. Siç thotë në faqen e tij të internetit: “Kam prirje për të shkruar tekste të këndshme për muzikë optimiste, që përmban një stil country, pop, rock, dëgjim të lehtë, të aromatizuar me një stil muzikor kulturor, duke krijuar një zhanër të ri muzikor unik me një thellësi shpirtërore që përthithet lehtësisht nga të gjithë.”

 

Comment

*