Teksti i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990

(Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese, të miratuar nga 114 delegatë të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, më 2 korrik 1990, i botuar në “Fletorën Zyrtare” të KSAK, nr 21, më 3 korrik 1990).

 

Në bazë të të drejtës sovrane të popullit të Kosovës, duke përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje, Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovë, në mbledhjen e përbashkët të të gjitha dhomave, të mbajtur më 2 korrik miraton këtë

DEKLARATË

Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullit të Kosovës, vullnet ky  sublimuar edhe në dklaratën e ASHA të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës,  si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës unanimisht shpall

 

DEKLARATËN KUSHTETUESE

MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

 

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990

Delegatët nënshkrues të Deklaratës:

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Book page imageBook page image

(r.m.)

One Response to “Teksti i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Sic shihet edhe Deklarata Kushtetuuese,nuk kerkon ndarjen mvehtesishme te Kosoves,por e shpall ate “as mish e as peshk”, njesi te vecante edhe pse dic e ngjashme ishte edhe me Kushtetuten e 1974.Megjithate, kjo ishte nje levizje perpara kah autonomia qe erdhi me vone ne Kacanik.