Tensione jashtë dhe brenda Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 13 shkurt 2023 – Protesta e partive opozitare para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë është përcjellë me tensione, pasi protestuesit u përplasën me forcat e rendit.

Protestuesit më 13 shkurt u përplasën me zyrtarët policorë, në tentativë për të kaluar kordonin e forcave të sigurisë, ndërsa hodhën flakadanë, kapsolla, por edhe koktej molotovi.

Kjo ishte protesta e dytë që Partia Demokratike e Sali Berishës dhe Partia Liria e Ilir Metës organizojnë lidhur me rastin e njohur si McConigal. Ky ish-pjesëtar i Byrosë Federale amerikane të Hetimit (FBI), po akuzohet edhe për fshehje të takimeve me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, por edhe për marrje ryshfeti në vlerë prej 255 mijë dollarësh nga një shqiptaro-amerikan, i cili ka qenë i pranishëm në takimet me kryeministrin Rama.

Opozita të shtunën organizoi protestën e parë, ndërkaq edhe më 13 shkurt po ashtu kërkoi dorëheqjen e Ramës.

Tensione pati edhe në derën ku deputetët hyjnë në sallën plenare, pasi disa deputetët të PD-së, që janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, kërkuan të hyjnë me forcë në seancë, por nuk u lejuan nga Garda e Republikës.

Deputetët opozitarë janë përjashtuar lidhur me bllokimin e foltores dhe për gjuhën joetike të përdorur në seancë. Por, këtë vendim opozita e ka kundërshtuar, duke e cilësuar si të padrejtë.

Derisa opozita po protestonte jashtë, brenda në Kuvend deputetët po debatonin për raportet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McConigal, i cili përballet me 14 akuza në Nju Jork e Uashington.

Seanca u ndërpre për disa minuta, por edhe pas rifillimit ajo nuk mund të zhvillohej normalisht. Disa deputetë të opozitës tentuan disa herë ta bllokonin foltoren, ndërsa deputeti Flamur Noka i binte bilbilit gjatë gjithë kohës, duke pamundësuar diskutimet e deputetëve të Partisë Socialiste. Për këtë arsye, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e mbylli seancën, pa e caktuar kohën e vazhdimit të saj.

Para ndërprerjes së seancës, deputetët socialistë kërkuan masa të ashpra disiplinore ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, për shkak të deklaratës së tij të javës së kaluar se ai dispononte video erotike të ish-zyrtarit të FBI-së dhe zyrtarëve vendas gjatë vizitave të tij në Tiranë.

Berisha tha se ato materiale do t’i dorëzojë në institucionet përkatëse. Ai tha se protestat do të vazhdojnë derisa të largohet nga pushteti Edi Rama.

Më herët, Berisha ka thënë se protesta e opozitës do të shndërrohet në “revolucion” për largimin e Ramës nga pushteti.

Pak ditë më herët, Komisionit i Votimit dhe Etikës i Kuvendit të Shqipërisë i përjashtoi për 10 ditë nga seancat plenare tetë deputetë të opozitës: Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Ina Zhupa, Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati.

(REL)