Tensione politike për shkak të ndeshjes së futbollit Besa-Tirana 2-1

Arrestohet kryetari i parë socialist i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi – Zoti Roshi u denoncua për kanosje me vdekje dhe goditje nga trajneri i Tiranës, Nevil Dede – Qyteti i Kavajës u qetësua pasi policia shpërndau disa protestues që kërkonin lirimin e Roshit – Avokati Plarent Ndreca tha se nuk ka akt zyrtar për arrestimin e klientit të tij – Edi Rama: Po të jetë e vërtetë, Roshi të kërkojë ndjesë. Por, “sjellja e policisë është e patolerueshme”

 

Denion Ndrenika

Gjendja në Kavajë, rreth 50 kilometra larg Tiranës, u qetësua orët e vona të së dielës pasi forcat e policisë dhe trupat speciale “RENEA”, shpërndanë një protestë të banorëve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë, Elvis Roshi.

Dhjetëra protestues kërkuan lirimin e zotit Roshi, i cili u arrestua pas denoncimit që bëri për kanosje me vdekje, goditje dhe fyerje, trajneri i ekipit të Tiranës në futboll, Nevil Dede në ndeshjen e javës 18-të Kategorisë Superiore, Besa-Tirana që përfundoi 2-1. Kryebashkiaku Roshi u shoqërua në Tiranë rreth orës 22 nga forca të shumta policie dhe “RENEA”.

Zoti Roshi hyri në pushim të ndeshjes kur loja ishte 1-0 për Besën, në zhveshtoren e Tiranës dhe kërcënoi lojtarët se po të fitonin nuk dilnin të gjallë nga stadiumi.

Trajneri i Tiranës, Nevil Dede: “Ishte një turme prej 20 vetësh që vinin drejt meje, ndërsa unë shkoja në dhomat e zhveshjes. Nuk e kuptoja pse ishin aq të egërsuar dhe ofendonin dhe kërcënonin me jetë. Njoh vetëm kryetarin e Bashkisë, jo personalisht, por e kam njohur nga mediet. Ai vjen i pari dhe godet dhe më thotë një shprehje “ç’punë ke ti me komunistët”!? Vjen edhe dikush tjetër dhe përsëri godet! Mundohem t’u shmangem incidenteve të tjera, që lojtarët tanë që dalin nga dhomat dhe mund të ndodhte një ngjarje akoma edhe më e shëmtuar, t’i mbanim brenda në dhoma”.

Avokati i kryebashkiakut Roshi, Plarent Ndreca akuzoi për shkelje të rënda të të drejtave të klientit të tij: “Përsa kohë ne nuk kemi një akt të shkruar nga prokuroria apo nga policia, konsiderohet që kryetari i Bashkisë nuk është i arrestuar. Por, fakti është që kryetari i Bashkisë është i izoluar totalisht! Nuk ka asnjë lloj komunikimi me askënd dhe as me avokatin e tij! T’i bëja thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të marrë situatën në dorë dhe praktikisht të shfuqizojë çdo akt të paligjshëm që ka ndërmarrë Policia e Shtetit”.

Zoti Roshi është i pari kryetar bashkie që arrestohet në Shqipëri. Partia Socialiste e fitoi për herë të parë në histori Bashkinë e Kavajës me zotin Roshi në 8 maj 2011.

Pikërisht kjo fitore e befasishme e PS-së në Kavajë reflektoi edhe në këtë zhvillim qëndrimin politik. Kryetari socialist Edi Rama ndonëse theksoi se “nëse Roshi e ka ndërmarrë këtë akt të shëmtuar duhet të kërkojë falje publike”, vërejti se “sjellja e policisë me Roshin është e patolerueshme dhe e ndikuar politikisht”.

Zoti Rama postoi në blogun e tij këtë koment:

“S’ka pikë dyshimi se nëqoftëse Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajës, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Deden, trainerin e Tiranës, kjo është e pajustifikueshme. Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje. Gjithnjë nëse kështu ka ndodhur, qytetari i parë i Kavajës duhet t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut. Fatkeqësisht lajthitje të kësaj natyre janë bërë të herëpashershme në stadiumet tona dhe ndjesa publike e Elvis Roshit do të ishte një hap i duhur, drejt ndryshimit të domosdoshëm të klimës ku luhet futbolli në Shqipëri”.

Por, zoti Rama komentoi gjithashtu se sjellja e policisë është e pafalshme dhe qartësisht e ndikuar politikisht. Sipas kryetarit socialist “reagimi policor me epsh politik për të goditur publikisht një kundërshtar”, ishte për shkak se “i është bërë hale në sy pushtetit qyshse përzuri me votën e popullit Sali Berishën nga bastioni i prapambetjes njezetvjeçare”.

“Por thënë kjo, është e patolerueshme sjellja brutale e policisë me kryebashkiakun e Kavajës! Një dyndje trupash policore përfshirë edhe forcat speciale që u turrën masivisht nga Tirana drejt Kavajës, me një zell qe s’e tregojnë as kur krimi sharron me plumba komisarët. Reagim policor me epsh politik për të goditur publikisht një kundërshtar, i cili i është bërë hale në sy pushtetit qyshse përzuri me votën e popullit Sali Berishën nga bastioni i prapambetjes njezetvjeçare. E sikur të mos mjaftonte rrethimi me mure policësh i komisariatit ku Elvis Roshi kishte shkuar krejt normalisht me këmbet e veta, RENEA godet e gjakos njerëz të mbledhur aty spontanisht për të pritur kryebashkiakun. I cili merret në Tiranë dhe mbahet në polici tërë natën në shkelje të gjithë procedurave ligjore, ndërkohë që në Durrës ndodh një vrasje e radhës në rrugët e qytetit dhe e gjithë policia, me në krye ministrin, merret me gjahun politik në Kavajë. Fakti që kryebashkiaku mbahet ende në polici është vetëdiskreditues për qëllimin politik të këtij operacioni skandaloz. S’ka mundësi ta justifikosh Elvis Roshin nëse ka zbritur në dhomën e zhveshjes së skuadrës mike, për t’u kapur me Nevil Deden pas çfarëdo provokimi publik që mund të ketë bërë ky i fundit. Por është jashtëzakonisht e rëndë për shtetin e shoqërinë që lufta politike ta degjenerojë deri në këtë fare feje misionin dhe funksionin e Policisë së Shtetit. E cila duke u turrur qorrazi pas Elvis Roshit pa asnjë arsye që lidhet me ligjin e me rolin e saj, na ka dhënë provën e humbjes së toruas së pushtetit në rrugën drejt humbjes së pashmangshme të 23 qershorit. Në Kavajë dhe në gjithë Shqipërinë”-komentonte zoti Rama.

Sakaq, ministri i Brendshëm, Flamur Noka hodhi poshtë akuzat e avokatit Ndreca si dhe qëndrimin e zotit Rama, kur theksoi se nuk kishte asnjë lidhje me arrestimin e kryebashkiakut kavajas Elvis Roshi. “Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Kavajës nuk është politik, pasi unë nuk merrem me përralla, siç janë përrallat që ka trilluar Roshi në të shkuarën, dhe nuk kam tagrin ligjor për të urdhëruar arrestimin e askujt, këtë tagër e ka vetëm Drejtori i Policisë Shtetit apo i qarkut”-i tha mediave ministri Noka, pas një tryeze ku u paraqit Paketa e re e Qeverisë për Drejtësinë.