Tensione te Kuvendi i Kosovës. Policia hedh gaz lotsjellës për zhbllokuar hyrje-daljet e ndërtesës

Prishtinë, 5 tetor 2026 – Tensionet pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës janë ngritur në orët e mbremjes, kur deputetët kanë filluar të dalin nga ndërtesa, ku kishin hyrë që në mëmgjes.

Protestuesit, të cilët i kishin bllokuar qysh në mesditë hyrjet e ndërtesës për të penguar daljen e deputetëve para miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, nuk i kanë lejuar deputetët të dalin nga ndërtesa.

Policia e Kosovës është detyruar të hedhë gaz lotsjellës drejt protestuesve që i kishin bllokuar hyrjet e ndërtesës. Ndërkaq, protestuesit kanë hedhur mjete të forta dhe mjete piroteknike drejt ndërtesës së Kuvendit. Ata kanë vendosur rrethoja të hekurit para hyrjeve të Kuvendit dhe i kanë djegur shportat e mbeturinave në rrugë në pjesën lindore të Kuvendit.

Më pamjet e shfaqura nga televizionet lokale, në mes tymit dhe shpërthimeve të herëpashershme, shihen protestues me sy të skuqur dhe policë me maska mbrojtëse nga gazi lotësjellës. Drejt ndërtesës së Kuvendit janë parë edhe disa autoambulanca, por deri më tash nuk ka raportime për të lënduar.

Çlirim Haziri, i cili prezantohet si njëri nga organizatorët e protestës, i ka akuzuar zyrtarët policorë se, siç është shprehur, “po i nënshtrohen Albin Kurtit”. Ai ka thënë se protesta do të vazhdojë pa ndërprerje deri në votimin e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Gjatë ditës, qysh prej orëve të mëngjesit, protestuesit kanë hedhur gurë e mjete të forta dhe mjete piroteknike drejt Kuvendit. Ata i kanë thyer xhamat e disa dritareve të Kuvendit.

Në disa raste ka pasur përplasje verbale midis protestuesve pzaqësorë dhe protestuesve të dhunshëm.

(r.m.)