TENSIONI NË KOSOVË

Shaqir Salihu para Kongresit Amerikan në ditën e seancës dëgjimore të Senatit amerikan për Ballkanin, 18 maj 2023.

Nga Shaqir Salihu

Prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës e deri më sot shqiptarët në atdhe dhe në diasporë kudo që janë, janë shumë të zhgënjyer nga padrejtësia e hapur e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës. Nuk habitem shumë me vendet evropiane, të cilat historikisht kanë qenë dhe janë kundër kombit shqiptar dhe për këtë më së miri flasin faktet që kjo Evropë e ka copëtuar vendin tonë që nga Kongresi i Berlinit më 1878 e deri më sot. Nga përafërsisht 92 mijë kilometra katrorë sa kishte rajoni i banuar me shqiptarë, sot ka mbetur një Shqipëri me 28 mijë kilometra katrorë dhe Kosova me 10 mijë. Evropa po bën çmos që edhe një pjesë të madhe të Kosovës t’ia japë Serbisë dhuratë me shpresë se ndoshta pranon të dalë nga orbita ruse.

Nuk po e kuptoj fare politikën amerikane karshi vendit tonë. Dhe nuk po e kuptoj fare këtë hipokrizi të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit duke filluar nga Anthony Blinken e deri te Derek Chollet, përfshirë këtu Christopher Hill e Gabriel Escobar.

Siç e dini të gjithë, serbët në veri të Kosovës, të inkurajur nga Presidenti serb, Vuçiq, i bojkotuan zgjedhjet e fundit në 4 komunat veriore. Ambasadorët e vendeve perëndimore, përfshirë këtu ambasadorin e ShBA-së, Jeff Hovenier, përshëndetën kandidatët shqiptarë që u zgjodhen kryetarë, por çuditërisht, kur erdhi koha që ata të inaguroheshin dhe të fillonin ushtrimin e detyrës për të cilën ishin zgjedhur, bandat serbe që veprojnë në veri të Kosovës me ndihmën e Presidentit Vuçiq, i cili dërgoi banda shtesë nga Serbia, po përpiqen të pengojnë hyrjen e tyre në komuna e madje sulmuan policinë, dogjën veturat e tyre dhe lënduan disa policë të Kosovës, të cilët morën plagë të lehta. Por ajo çfarë është më me rëndësi, flamuri i Serbisë u hoq nga këto komuna dhe u vendos ai i Kosovës. Unë nuk pashë asgjë të jashtëligjshme këtu që zyrtarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrën e tyre. Por, shumica e vendeve perëndimore, përfshirë këtu ShBA-në, me një përjashtim të pak shteteve, pa humbur kohë kritikuan ashpër qeverinë e Kosovës, se përse kishin dërguar policë për të shpërndarë bandat kriminale të Vuçiqit dhe për të mundësuar ushtrimin e detyrave të zyrtarëve komunalë në Zveqan, në Zubin Potok dhe në Leposaviq. Madje, një senator amerikan, Chris Murphz e quajti provokim hyrjen e kryetarëve të komunave në zyrat e tyre në veri.

Ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të dërguar në këto komuna njësi policore për të ndihmuar kryetarët e rinj të komunave veriore që të inagurohen dhe të fillojnë detyrën e tyre reagoi ashpër posaçërisht sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken i cili tha: “Dënojmë ashpër veprimet e qeverisë së Kosovës.” Ky reagim është i njëjtë sikur të reagonte ndaj një veprimi të qeverisë së Koresë së Veriut pasi të ketë hedhur një raketë kundër Koresë së Jugut. Gjykoj se reagimi amerikan duhej të ishtë më i arsyeshëm dhe më i butë. Apo që Departamenti i Shtetit të hidhej në mbrojtje të qeverisë së Kosovës, duke pasur parasysh se serbët nuk deshën të marrin pjesë në zgjedhje. Analisti politik amerikan, Daniel Server tha se Shtetet Bashkuara e kanë braktisur neutralitetin dhe po përkrahin botën serbe.

Ndërsa analisti politik Janush Bugajski refuzimin e ShBA -së për të njohur kryetarët e ri të komunave në veri të Kosovës e ka krahasuar me refuzimin e ish-Presidentit Trump për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në ShBA. Ai thotë se mbështja e Shteteve të Bashkuara për Vuçiqin po destabilizon Ballkanin. “Është koha për mbështjen e një revolucioni demokratik në Serbi dhe njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet evropiane”, – shkroi Bugajski në Twitter.

Një indinjatë të thellë dua ta ndaj me miqtë e mi në Facebook ndai Tiranës zyrtare, cila po rri duarkryq dhe po bën sehir në këtë situatë tejet të rëndë që po përjeton tani Kosova. Ne tani që kemi humbur Washingtonin, kemi humbur edhe Tiranën me në krye me Edi Ramën, i cili është bërë partner i fortë i Vuçiqit kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj. Për Edi Ramën dhe Tiranën zyrtare kam një fjali të fortë të Dante Aligherit më 1317. Dante Alighieri pati thënë kështu për njerëz si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjoja ruan neutralitetin në krizën e sotme që po trondit Kosovën:

“Vendet më të nxehta në ferr janë të rezervuara për ata që në periudha krizash morale qëndrojnë neutralë”.

Fjalët e Dantes janë thënë në vitin 1317, por natyra njerëzore në thelb është e njëjtë dhe prandaj ato vlejnë për të gjithë njerëzit me moral të ulët politik në të gjitha kohërat.

Presidenti amerikan John Kennedy, i cili u vra në vitin 1963, ishte po aq i ndjeshëm ndaj moralit në politikë. Edhe ai citonte këto fjalë të Dantes, për njerëz me karakterin e Ramës. Me të njëjtën shprehje i pati dënuar indiferentët edhe Martin Luther Kingu, flamurtari i luftës për të drejtat civile në Amerikë.

Unë dua t’ia them këto fjalë Edi Ramës, por edhe gjithë shqiptarëve të Shqipërisë londineze që nuk po reagojnë fare ndaj luftës së Kosovës me Serbinë dhe po sillen sikur Kosova të ndodhej në Afrikë e jo sikur të ishte bijë e Shqipërisë.

Sigurisht, Rama as që i kupton thënie të tilla. Ai është arrogant dhe cinik ndaj popullit të vet; në mendjen e tij as që ekziston ndonjë ide kombëtare shqiptare, sepse gjëra të tilla ai as që i kupton. Problemi më i madh është se me indiferencën dhe injorancën e tij ai influencon në mënyrë kriminale tek ata mijëra fanatikë në Shqipëri që e ndjekin dhe e admirojnë për veshjet dhe batutat e tij ekstravagante. Nga pikëpamja kombëtare Rama është bosh dhe kjo pasqyrohet tek absurditetet që dalin çdo ditë nga goja e tij.

Edi Rama vërtet meriton një nga vendet më të nxehta në ferr, ashtu siç e thoshte edhe Dante Alighieri në vitin 1317.

Ish-kongresmeni amerikan me origjinë arbëreshe Joseph DioGuardi me Shaqir Salihun, në Kongresin amerikan në seancën dëgjimore të Senatit amerikan për Ballkanin, 18 maj 2023.

SEANCA DËGJIMORE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR NË SENAT

Tani po e shfrytëzoj rastin për të njoftuar miqtë e mi në Facebook lidhur me një seancë të rëndësishtme të Komisionit të Senatit amerikan për marrëdhenie me jashtë mbajtur më 18 maj. Qëllimi i kësaj seance dëgjimore ishte për të vlerësuar politikën e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Para anëtarëve të Senatit ishin dy zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i dërguari për Ballkanin Perëndimor dhe Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet. Aty isha edhe unë dhe më kishte marrë malli për tubime të tilla në kupolën e diplomacisë amerikane ku flitet edhe për fatin e vendit tonë të cilin e braktisa tash 54 vjet. Menjëherë sapo hyra në Dhomën ku do të fillonte seanca, më ra në sy një njeri madh, një plak i urtë e shumë aktiv në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Balkan, arbëreshi shqiptaro-amerikan Joseph DioGuardi. Ai ishte ulur në radhën e parë. Shkova, e përqafova fort dhe aty shkëmbyem pak llafe dhe bëmë një fotografi bashkë dy pleq që sapo kemi hyrë në dekatën e 80 të jetës sonë. Unë e dija se kjo seancë ishte rezultat i punës së madhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila udhëhiqet nga themeluesi e udhëheqësi shumëvjeçar i Ligës, ish-kongresmeni Joseph DioGuardi dhe Drejtoresha Ekzekutive e Ligës, Shirley Cloyes DioGuardi. Bile, ata patën edhe një takim me Kryetarin e Komisionit, Senatorin Bob Menendez.

Në këtë seancë, pra ishin të pranishëm disa anëtarë të Ligës, përfshirë këtu veprimtarët e shquar të Ligës, Agim Aliçkaj, ndoshta edhe anëtari i bordit ekzekutiv, Faton Bislimi, të cilin nuk e njoh dhe anëtarë të tjerë siç është Vehbi Bajrami, drejtor i gazetës “Illyria” në New York, Sab Gashi, Lulzim Shabiu e shumë të tjerë pëfshirë një grup i Vetëvendosjes që kishin ardhur nga New York. Këtu ishte edhe ish-ambasadori, shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Frymëzim Isufaj. Seanca filloi pak me vonesë dhe po mbulohej nga Keida Kostreci, kryeredaktore e shërbimit shqip të Zërit të Amerikës bashkë me Burim Goxhulin.

Komentët dhe pyetjet e Senatorit Menendez ishin mjaftë të ashpra:

Botuesi i gazetës “Illyria” në New York, Vehbi Bajrami, Shaqir Salihu, ish-ambasadori, shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, Frymëzim Isufaj, në ditën e seancës dëgjimore të Senatit amerikan për Ballkanin, 18 maj 2023.

“Ne po shohim një trysni të madhe ndaj Kosovës dhe asnjë presion ose shumë pak ndaj Serbisë. Nuk shoh asnjë garanci që Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të bëhet një Republika Srpska tjetër, e cila do ta bënte Kosovën shtet jofunksional, sikurse Bosnja! Të njëjtën pyetje i bëra zotit Escobar një vit më parë dhe nuk mora asnjë përgjigje të kënaqshme”.

Senatori Menendez kritikoi ashpër zyrtarët e DASH-it që po lejojnë që Presdienti Serb, Vuçiq nuk po zbaton asnjë marrëveshje që eshtë arritur në dialogun Kosovë-Serbi gjatë gjithë këtyre viteve. Ai tha se pala serbe nuk po merr pjesë me mirëbesim në dialog, Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit dhe plot marrëveshje të tjera. Fitova bindjen se ky komison, posaçërisht senatori Menendez, ishte shumë i mirëinformuar se cfarë po ndodh në Ballkan. Ai shtroi pyetjen edhe çfarë po bëjnë zyrtarët e Departamentit të Shtetit për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësine e Kosovës: “Ne duhet të kërkojmë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, jo ndonjë zgjidhje të përkohëshme që favorizon njërën palë. Synimi ynë duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare e bazuar në njohjen reciproke, asgjë tjetër”, – konkludoi z. Menendez.

Me duhet të theksoj se dy zyrtarët e Departamentit të Shtetit Amerikan shprehën përkrahjen e tyre të fortë për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Ata theksuan se nuk do të pranojnë krijimin e një Republike serbe në veri të Kosovës. Me sa vërejta unë, politika e DASH-it është që të krijohet një asociacion i komunave me shumicë serbe, i cili do të ketë lidhje me Prishtinën dhe jo me Beogradin, siç po veprojnë tani këto komuna. Zotërinjtë Escobar dhe Chollet e bënë të qartë se ky asociacion nuk do t’i ngjajë Republikës Serbe të Bosnjes. Për mendimin tim, asociacioni është vegël dhe përpjekje serbe për shkatërimin e shtetit të Kosovës. Dy zyrtarët e lartë të DASH-it për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Serbisë dhe kosovës, fajësonin të dy palët, posaçërisht Escobar përgjigjej me nxitim sa herë që senatori Menendez kritikonte Serbinë se po i ikën zbatimit të marrëveshjeve.

Senatori Menendez e parashtroi edhe artikullin e gazetës “The New York Times” për lidhjet e ngushta të Presidentit serb, Vuçiq dhe qeverisë së tij me bandat kriminale serbe. Këshilltari i lartë i DASH-it, Chollet nuk i mohoi të dhënat e “New York Times” dhe tha se kjo është e vërtetë, por disi në heshtje la të kuptohet se “Ne na duhet të punojmë me Vuçiqin në mungesë të një partneri alternativ”. Për mendimin tim, qëndrimi i DASH-it për të vazhduar të përkëdhelë Vuciqin është i gabuar duke patur pararsysh se përkëdhelja e BE-së dhe ShBA-së deri tani nuk la dhënë rezultate dhe Serbia nuk do të dalë nga orbita ruse sepse Beogradi dhe Moska janë të lidhura shpirtërisht dhe emocionalisht.

Kjo seancë është zhvilluar më 18 maj dhe për këtë është folur shumë dhe me entuziazëm nga populli Kosovës.

Mua më kanë pyetur disa miq se sa të rëndësishme janë këto seanca dëgjimore që zhvillohen në Kongresin amerikan dhe cilat janë marrëdhëniet mes Kongresit dhe Departamenti të Shtetit sepse ka shumë të tillë që mendojnë se Kongresi harton politikën e jashtme të ShBA-së.

KONGRESI DHE POLITIKA E JASHTME

Kushtetuta autorizon Kongresin të vëzhgojë, por jo të përcaktojë politikën e jashtme të SHBA-së, përveçse me anë të ligjeve dhe duke dhënë miratime për luftërat apo traktatet e ndryshme. Për këtë arsye, komisionet e Kongresit marrin në pyetje zyrtarët e Departamentit të Shtetit për çështje të politikës së jashtme, operacioneve të brendshme dhe çështjeve të tjera kur e shohin të arsyeshme.

Kjo do të thotë se Kongresi vetëm sa e vëzhgon dhe ngre probleme për politikën e jashtme, por nuk mund ta urdhërojë Departamentin e Shtetit të bëjë këtë ose atë gjë, të ndjekë këtë ose atë politikë për Shqipërinë dhe Kosovën. Ndonjëherë, pyetjet e kongresmenëve dhe senatorëve janë të ashpra dhe të zemëruara, sepse ashtu ua kërkon elektorati i tyre, por zyrtarët e DASH nuk kanë frikë se Kongresi do t’i heqë prej pune. Masa më ekstreme që senati mund të marrë, është të refuzojë të konfirmojë një person që është kandidat për t’u zgjedhur në krye të një departamenti.

Kongresmenët kërkojnë seanca me pyetje-përgjigje edhe për shkak të lobimit që u bëhet.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse lobimi është aq i rëndësishëm?

-Në politikë, lobimi është përpjekja për të ndikuar në veprimet, politikat apo vendimet e zyrtarëve qeveritarë, më së shpeshti të ligjvënësve apo të anëtarëve të agjencive rregullatore, por edhe të gjyqtarëve.

Ky ndikim shpesh është i madh, sepse përdoren shumë para. Megjithatë, Kushtetuta përcakton qartë që Kongresi nuk mund të ndërhyjë në politikat konkrete të administratës, por thjesht i vëzhgon ato, siç u tha më sipër. Kjo bën që edhe lobistët, sado të fuqishëm të jenë, nuk mund t’i ndryshojnë dot politikat e administratës, ose shumë pak mund të ndikojnë në to. Një rol të madh si vëzhguese luan edhe media, e cila me reputacionin e lartë që gëzon, shërben si pengesë që degët e ndryshme të qeverisjes të mos ndërhyjnë te njëra-tjetra dhe që zyrtarët e çdo niveli të mos korruptohen.

Në Shqipëri, lobistët e fuqishëm që njihen edhe si oligarkë, jo vetëm që ndryshojnë politikat e brendshme të qeverisë dhe të parlamentit, për shembull duke i bërë ata të ndryshojë rregullore dhe ligje ndërtimi në favor të tyre, por edhe i korruptojnë drejtpëdrejt zyrtarët, madje i kriminalizojnë ata, duke i bërë pjesë të aktivitetit kriminal. Nga ana tjetër, në Shqipëri media është ngushtësisht e lidhur me qeverinë dhe me oligarkët dhe nuk e luan dot rolin vëzhgues.

LOBIMI SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA

E them me shqetësim të madh se përveç Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, diaspora jonë këtu në ShBA i ka braktisur të gjitha veprimtaritë e lobimit për atdhe, ashtu siç kishte vepruar në vitet, 70-ta, 80-ta, e 90-ta. E them me bindje të thellë se ishte lobimi i diasporës sonë këtu në Shtetet e Bashkuara apo siç i quaj unë nga një herë, Shtetet e Bekuara të Amerikës, pa të cilën nuk do të kishte sot as Shqipëri e as Kosovë. Megjithëse siç thashë më sipër se Kushtetuta autorizon Kongresin të vëzhgojë, por jo të përcaktojë politikën e jashtme të SHBA-së, ishte lobimi ynë këtu që tronditi dhe bombardoi Beogradin më 1999. Dhe kjo veprimtari kurrë nuk është dashtë të ndërpritej. Është Serbia ajo që mësoi nga shqitarët e Amerikës për fuqinë dhe ndikimin që ka lobimi. Menjëherë pas Luftës së Kosovës, Serbia fuqizoi fushatën e lobimit jo vetëm në Amerikë, por anembanë botës. Ne të gjithë e dimë se Kosova është shtet i ri në ndërtim e sipër dhe nuk është në gjendje të paguajë një firmë të madhe lobiste këtu në ShBA, por unë nuk po e kuptoj fare pse diaspora jonë këtu e ndërpreu krejtësisht veprimtarinë lobiste në Washington. Dikur, posaçërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dilnin organizata dhe individë të shumtë, të cilët u hodhën në aktivitete për t’i dalë Zot çështjes kombëtare, në veçanti gjendjes së rëndë të të drejtave të njeriut në Kosovë. Lidhja Kosova në krye me koloset e saj Luan Gashin, Hafiz Jusuf Azemin, Ajet Rushitin, Mustafa Hencinë e të tjerë organizonin demonstrata në Washington, Chicago, New York, Detroit e qytete të tjera të Amerikës. Por mos të harrojmë se Lidhja Kosovare ishte degë e Ballit Kombëtar të të madhit, Mithat Frashëri. Këtu në Amerikë kanë vepruar në dobi të atdheut tonë shumë organizata si Rinia Kosovare, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye me ish-kongresmenin arbëresh Joseph DioGuardi, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), Klubi kombëtar, Jusuf Gërvalla e tjerë.

Thuhet me të drejtë se ishte arbëreshi i madh Joseph DioGuardi, ai që u hapi derën e Kongresit shqiptarëve, kupolën e diplomacisë amerikane në Washington. Kësaj radhe dua të njoftoj miqtë e mi në Facebook se kjo është e vërtetë, por një dritare të madhe të Kongresit amerikan e kishte hapur shumë vjet më parë, pikëkrisht më 19 maj të vitit 1975 që përkon edhe me Seancën e muajit të kaluar të Senatit që u mbajt më 18 Maj, ish-kongresmeni nga shteti Michigan William Broomfied. Ishte pikërisht 48 vjet më parë kur një delegacion veprimtarësh shqiptarë shkuam në Kongres për të shpjeguar gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Ishte Eksrem Bardha ai që ka vënë në lëvizje Kongresin amerikan nëpërmjet kongresmenit William Broomfied. Ndihem mirë që më 19 maj të vitit 1975 isha pjesë e këtij delegacioni që hapi dritaren e parë të vatrës së demokracisë amerikane në Washington. Unë jam shqiptari i parë nga Kosova që jetoj në Washington që nga viti 1970 e deri më sot.

Pjesëmarrësit në takimin e vitit 1975.
Nga e majta në të djathtë, rreshti i parë ulur: Kongresmeni William S. Broomfield, profesor Hysni Hoxha.
Nga e majta në të djathtë, rreshti i dytë në këmbë: Dr. Faton Gashi, Ekrem Bardha, Shaqir Salihu, Hafiz Jusuf Azemi dhe Talat Karagjozi.

Më vjen shumë, shumë keq që shqiptarët e Amerikës, me përjashtim të një grupi të vogël intelektualësh rreth arbëreshit DioGuardi që ende po vepron, të gjitha organizatat e tjera, të gjithë veprimtarët e tjerë shqiptarë të Amerikës e kanë braktisur plotësisht çështjen kombëtare. Vatra, për fat të keq, nuk e ka pasur kurrë çështjen e Kosovës në programin e saj. Kolosët e saj në krye me Fan Nolin e madh ishin angazhuar shumë dhe ia dolën me sukses për të shpëtuar Shqipërinë që mbeti nga Konferenca e Ambasadorëve. Vatra është organizatë patriotike, por nuk e ka fuqinë që kishte në fillim të themelimit të saj. Kohët e fundit unë mbaj mend vetëm një demontratë që ka organizuar më 9 Janar 2017 para Ambasadës së Francës këtu në Washington me kërkesën për të liruar ish-komandantin e UÇK-së, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili mbahej në Francë me kërkesë të Serbisë. Kryetar i Vatrës atëherë ishte Dr. Gjon Buçaj, u prehtë në paqe.

Duke parë qartë se marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në po degradonin me shpejtësi, në shkurt të këtij viti unë fola me një zyrtar të lartë të Vatrës (burrë i mirë shumë) dhe i kërkova që Vatra të organizojë një demonstrate sado modeste para Shtëpisë së Bardhë ose para DASH-it për të protestuar qëndrimin e Blinken kundër Kosovës në favor të Serbisë. Madje i thashë se me dëshirën më të madhe, në emër të Varës unë do të kërkoja lejen në policinë e parqeve këtu në Washington. Ky anëtar i lartë i Kryesisë së Vatrës më tha se për këtë do të fliste me kryetarin e Vatrës, Elmi Berisha. Ai shtoi se një delegacion i Vatrës po shkonte në Prishtinë për të festuar 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Kjo tinëllonte qesharake sepse Vatra po hiqej sikur çdo gjë ishte në rregull dhe tani na ka mbetur vetëm që të festojmë ose siç flitej në Kosovë sllogani “Bacë u kry”. Çështja e Kosovës nuk kryhet lehtë për sa kohë kemi një shtet fqinj terrorist në veri. Vuçiqi, një diplomat shumë i aftë, brenda një kohë të shkurtër arriti të përvetësojë Washingtonin, Brukselin, Moskën (që gjithmonë e ka pasur), Pekinin, Tiranën e shumë vende të tjera, kundër përpjekjeve tona për ndërtimin e një shteti të vogël demoratik në Ballkan.