Terras: Kosova përballet me pasiguri rë re politike. Vërtet zhgënjyese

Bruksel, 7 mars 2026 – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka cilësuar “hap prapa” dështimin e Kuvendit të Kosovës për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

“Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin. Kjo është një pengesë serioze. Në vend të stabilitetit, vendi përballet me pasiguri të re politike. Vërtet zhgënjyese”, shkroi Terras në një postim në rrjetin social X, pasi Kuvendi nuk arriti ta përmbyllë procesin e zgjedhjes së presidentit.

Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke argumentuar se deputetët dështuan ta përmbushin detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.

Sipas Osmanit, 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi ta zgjidhte presidentin e ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill. Ajo tha se përpjekjet e dështuara për zgjedhjen e presidentit nuk ishin as të rastësishme dhe as të pamenduara, por “të kalkuluara”.

“Është fatkeqësi e madhe që ata nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se përmes dekretit po kryen detyrimin kushtetues.

Seanca e fundit e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, më 5 mars, u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare. Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka kundërshtuar dekretin e Osmanit, duke e cilësuar atë si “akt të paprecedent” që bie ndesh me rendin kushtetues. Zyrtarët e saj kanë thënë se vendi ka afat 60-ditor për ta zgjedhur presidentin dhe kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, Osmani ka zhvilluar takim me krerët e partive politike, ku nuk morën pjesë krerët e LVV-së, për shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

(Radio Evropa e Lirë)