Nga Azem PARLLAKU
E shkuara na tregon se luftërat ndonjëherë kanë filluar lehtësisht, por parimi i strategjisë ka qenë se ato kanë mbetur gjithmonë të paparashikueshme dhe jashtëzakonisht të vështira për t’u dhënë fund. Tre javë pas sulmit ushtarak të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, rezultati i luftës së Vladimir Putinit mbetet i paditur. Pasiguria në këtë shkallë nuk ishte parashikuar nga asnjëra palë apo nga vëzhguesit e jashtëm, të cilët prisnin një konflikt më të shpejtë dhe më vendimtar. Llogaritjet e gabuara të Putinit në vend të kësaj kanë katalizuar faktorë të rinj dhe dinamikë, mes tyre rezistencën më efektive ukrainase dhe unitetin më të forte të shteteve perëndimore, ndërkohë që kanë ekspozuar paaftësinë e konsiderueshme ruse. Në ditët e fundit lufta e Putinit në Ukrainë po përshkallëzohet më tej. Ai tani ka rrethuar qytetet e mëdha të Ukrainës me ushtrinë e tij dhe kërcënon t’i rrafshojë me armë termobarike, municione thërrmuese dhe raketa të drejtuara. Kjo po terrorizon popullsinë civile dhe mund të demoralizojë rezistencën e ardhshme të Ukrainës.
Përshkallëzimi i kësaj lufte ka bërë që, shumë prej nesh të mendojmë se Putin mund të përdorë armët kimike, pse jo dhe ato bërthamore dhe më pas të akuzojë Ukrainën. Qëllimi do të ishte ose terrorizimi dhe nënshtrimi i popullatës civile, ose justifikimi i një përshkallëzimi ushtarak, siç janë bombardimet në zonat urbane. Se si Rusia mund ta bëjë diçka të tillë është ende e paqartë. Armët kimike nuk janë plotësisht efektive si ato ushtarake. Ato janë të paparashikueshme në efektet e tyre dhe të shtrenjta në krahasim me armët e tjera. Këto armë nuk janë përdorur në fushën e betejës në Europë që kur Britania e Madhe i përdori ato rreth një shekull më parë në 1919. Nëse Putin do ta bëntë diçka të tillë, udhëheqësit perëndimorë do të përballen me një presion shumë të madh. Ukraina sot po shfaqet si një ngjarje sizmike, më e rëndësishmja në jetën ndërkombëtare që nga rënia e Murit të Berlinit.
Putini ka një avantazh të madh që për fat të mirë i mungonte Hitlerit, armët bërthamore. Putini i ka paralajmëruar vendet që mund të përpiqen të ndërhyjnë në “operacionin ushtarak” të Rusisë në Ukrainë duke testuar një raketë me aftësi bërthamore pak përpara nisjes së sulmit dhe duke thënë se çdo vend që ndërhyn do të përballet me “pasoja që nuk i keni parë kurrë më parë”. Katër ditë pas fillimit të pushtimit, ai vuri në gatishmëri forcat bërthamore të Rusisë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh javës që shkoi për të diskutuar pretendimet e Moskës se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po financonin “zhvillimin e armvë biologjike” në Ukrainë, në ndërkohë që SHBA-të kanë paralajmëruar mundësinë e përdorimit të armëve kimike ose biologjike nga Rusia, dhe se prapë kjo e fundit akuzohet për shkelje të parimeve të sigurisë bërthamore. Raportet nga Ukraina ngrenë alarmin se, rusët janë duke tentuar që të bëjnë një sabotim në centralin bërthamor të Çernobilit, që më pas të fajësojnë për këtë ukrainasit. Sipas “Kyiv Post”, ushtria ruse është duke aplikuar një plan të tillë duke përsëritur tragjedinë e prillit 1986, gjë që do të kishte pasoja katastrofike për zonën si edhe vetë Europën. Nga ana e saj Ministria e Mbrojtjes ruse ka deklaruar duke pohuar se trupat e saj po mbajnë uzinën bërthamore të Çernobilit për ta “mbrojtur atë”. Rusia thotë se po e bën këtë për të siguruar që “grupet nacionaliste dhe organizatat e tjera terroriste nuk mund të përdorin situatën në vend për të organizuar një provokim bërthamor”. “Ne duhet të jemi vigjilentë sepse është e mundur që Rusia të mund të planifikojë operacione të armëve kimike” dhe ky do të ishte një “krim lufte”. Kështu ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për shtypin e shkruar gjerman.
Ka shumë pak shembuj ku armët kimike kanë ndryshuar rezultatin në fushën e betejës. Këto armë janë të paligjshme sipas Konventës së Armëve Kimike, së cilës Rusia i’u bashkua në 1997, megjithëse disa objekte mund të prodhojnë sasi të vogla për qëllime “mbrojtëse”. Një hetim nga Bellingcat, një grup investigativ dhe media të tjera në vitin 2020 nxorri në pah se Rusia kishte vazhduar prodhimin fshehurazi të armëve kimike. Ajo nuk e ka kundërshtuar përdorimin në luftë të këtyre armëve, e nëse përdorimi i tyre është një mjet efektiv, Putini nuk do të heqë dorë. Shërbimet inteligjente të Ukrainës shprehin shqetësimin se, Rusia planifikon të çlirojë një mbetje radioaktive nga objekti bërthamor në Çernobil, duke akuzuar kështu Ukrainën për rrjedhje bërthamore.
Përgaditja e terrenit për këtë oprtacion do t’i faturohej një “sulmi terrorist”, duke mbledhur prova të rreme. Sipas zyrtarëve ukrainas, Rusia po i mban trupat e pajetë të ushtarëve ukrainas në frigoriferë në një zonë afër aeroportit Antonov në Hostome. Dyshohet se Rusia do t’i shfaqë këto trupa si ‘diversantë ukrainas’ pas operacionit të flamurit të rremë. Kujtojmë se si rezultat i shpërthimit në reaktorin e katërt të termocentralit në Çernobil në 1986, një sasi rrezatimi e barabartë me 50 herë më shumë se bomba atomike e hedhur në Hiroshima në 1945 u përhap në mjedis. Ajo ngjarje është konsideruar si një nga fatkeqësitë më të mëdha mjedisore në botë.
President ukrainas Zelenskiy, po akuzon Rusinë se ka rekrutuar vrasës nga Siria dhe vende të tjera për të luftuar kundër Ukrainës. Po kështu edhe Presidenti rus Putin, ka akuzuar Ukrainën se po rekruton dhe motivon luftëtarë të komuniteteve të ndryshme për të mbrojtur vendin. Megjithatë, ka shenja se prania e vullnetarëve po shfrytëzohet nga Kremlini për të justifikuar krijimin e një legjioni të huaj rival të tij. Putin të premten dha urdhër që më shumë se 16,000 “vullnetarë” nga Siria besnikë ndaj Presidentit Bashar al-Assad dhe gjetkë të sillen për të luftuar në Ukrainë.
Ka shumë mundësi që, prania e luftëtarëve nga vendet e tjera të përdoret si alibi, e një akti terrorist kimik ose bërthamor, dhe këtë e justifikojnë; Zhvillimet e vrullshme në teknoligjitë moderne, përmirësimet në mjetet e komunikacionit dhe udhëtimet e shpejta e të pakushtueshme, të cilat ndihmojnë në përhapjen e grupeve terroriste ndërkombëtare. Në këtë mënyrë edhe më të veçantë, ky terrorizëm do të injektojë një shkallë të re dhune në jetën tonë bashkëkohore përsa i përket kërcënimit, ç’ka na e bën të qartë se tashmë kemi hyrë në një “Epokë të terrorizmit kimik dhe atij bërthamor” me pasoja serioze për sigurinë globale.
Qëllimet e këtij lloji të terrorizmit do të thuhet se, u nxitën për hakmarrje. Shumë nga idetë politike të instrumentalizuara nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre, e bëjnë këtë të keqe bashkëshoqëruese të çdo ideologjie. Terrorizmi është akt i tmerrshëm barbarist, që ju kundërvihet rregullave të shoqërisë, dhe thyen nderin e njeriut. Këto akte kanë për qëllim të krijojnë frikë masive.
Pavarësisht nga supozimi se në të ardhmen terrorizmi biologjik e kimik do të jetë teknologjikisht i mundshëm, fantazma e terrorizmit bërthamor si, fjala vjen shpërthimi i një bombe atomike, përdorimi i materialeve të zbërthyeshme, si helmi radioaktiv apo pushtimi dhe sabotimi i mjediseve bërthamore, nga shumë ekspertë shihet si krejt e mundshme e nga disa të tjerë si e pashmangshme. Sot për sot megjithatë, qoftë një kërcënim i besueshëm, apo qoftë një lojë për përdorimin e një mjeti bërthamor nga një grup që mban peng, për arsye politike ose ekonomike, një reaktor ose një mjedis tjetër bërthamor, ose një ngarkesë me karburant apo mbetje bërthamore, ose ka në dorë hedhjen në erë të një reaktori me autobombë, mund të përbëjnë format më të mundshme të terrorizmit bërthamor. Tashmë është e qartë Rusia kreu një krim lufte më shumë, duke bombarduar centralin më të madh bërthamor në Europë dhe duke e çuar sundimin e terrorit të Vladimir Putinit një hap më tej. Luftërat pasi nisin ndjekin rrallë një skenar të përcaktuar. Shumë më shpesh, ato i çojnë luftëtarët dhe jo-luftëtarët në shtigje të paparashikuara, me rezultate që herë pas here ndryshojnë botën. Sulmi rus ndaj Ukrainës duket se përmban “farat” e një konflikti të tillë. Se cili do të jetë rezultati i tij për Ukrainën dhe botën, kjo mbetet për t’u parë.