Shreveport (Luiziana), 19 prill 2026 – Policia e shtetit në Luiziana, SHBA, njoftoi se të paktën tetë fëmijë janë vrarë në dy shtëpi të ndryshme nga një person i armatosur, të dielën në mëngjes, në qytetin Shreveport, raportojnë mediet amerikane.
Zëdhënësi i policisë së Shreveport, Chris Bordelon, bëri të ditur se më i vogli nga viktimat ishte 18 muajsh, kurse më i madhi 14 vjeç. Ai tha se disa nga fëmijët e vrarë ishin familjarët të autorit të dyshuar.
Bordelon bëri të ditur se autori është vrarë nga oficerët policorë, derisa po largohej nga vendi i ngjarjes me një makinë të grabitur.
Në këtë incident kanë marrë plagë nga armë zjarri edhe dy gra, kurse një djalë i vogël është lënduar pasi ka kërcyer nga çatia, në përpjekje për të shpëtuar nga plumbat.
Policia tha se ajo u njoftua për të shtëna armësh në lagjen Cedar Grove të dielën, herët në mëngjes.
Sipas hetimeve fillestare, të shtënat kanë ndodhur pas një grindjeje familjare.
Prokurorja e Përgjithshme e Luizianës, Liz Murrill, tha se ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Agjenci të shumta të zbatimit të ligjit po hetojnë lidhur me këtë ngjarje tragjike. Ne nuk i dimë ende të gjitha detajet e saj, por jam thellësisht e trishtuar nga humbja e pakuptimtë e jetëve”, ka thënë ajo.
Zyrtarët thanë se ende po vazhdon mbledhja e provave në tri lokacione: në dy shtëpitë ku ka pasur të shtëna dhe në një lokacion të tretë.
(r.m.)