Tiranë, 30 shtator 2026 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të një çështjeje penale në ngarkim të ish-administratorit, ish-kryetares dhe gjashtë ish-anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit, FAF sh.a., të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në procedurat e prokurimeve.
FAF që tani është er regjistruar me emrin Agrokredit sh.a., është një institucion financiar në zotërim të plotë të Ministrisë së Financave. Ai ofron kredi për individë dhe biznese të vogla në gjithë Shqipërinë.
Procedimi penal për këtë çështje është inicuar në bazë të gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në disa procedura prokurimesh. Nga hetimet ka rezultuar se procedurat e ndjekura për blerjen e një automjeti, janë realizuar pa miratimin e Ministrit të Financave. Po ashtu, në dosje nuk është gjetur as argumentimi i kritereve të veçanta për kualifikim, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Për këto paligjshmëri është ngarkuar me përgjegjësi ish-administratori i FAF, Dashamir Qeli, ish-kryetarja e Këshillit Mbikqyrës, Ilda Malile, dhe gjashtë anëtarët e tjerë të këtij këshilli.
Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se automjeti i blerë ka qenë në pronësi të ish-kryetares së Këshillit Mbikqyrës, Ilda Malile, e cila e ka mbajtur më parë edhe funksionin e sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Hetimet arritën në përfundim se mjeti i blerë nga FAF sh.a., me vendimin e asamblesë, në vlerën 1 600 000 lekë me tvsh, që do zëvendësonte punën e 6 mjeteve, nuk mund të përmbushte nevojat për 30 degët e kompanisë në 30 rrethet e Shqipërisë. Po kështu, edhe caktimi i një vendi pune shtesë për shofer për mjetin e sapoblerë, kur 6 shoferë të tjerë ishin pa mjete dhe merrnin rrogat, ishte i tepërt dhe në kundërshtim të hapur me ligjin”, vlerëson Prokuroria e Tiranës.
(r.m.)