Ankara, 15 prill 2026 – Një nxënës 14-vjeçar i ka vrarë me armë zjarri të paktën nëntë njerëz, përfshirë tetë nxënës dhe një mësues, dhe i ka plagosur të paktën 13 të tjerë, në sulmin e kryer në shkollën e mesme “Ayser Calik” në Kahramanmarash, në juglindje të Turqisë, të mërkurën.
Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, njoftoi se në sulm u plagosën 13 persona, gjashtë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Guvernatori i Kahramanmaras, Mukerrem Unluer, ka thënë se sulmuesi ka hyrë në shkollë me 5 armë dhe 7 karikatorë në çantë dhe ka shtënë ndaj nxënësve të dy klasëve të pesta.
“Një nxënës i klasës së tetë erdhi me 5 armë dhe 7 karikatorë, të cilat besojmë se i përkisnin babait të tij, i cili është ish-oficer policie. Ai i mbajti armët në çantën e tij dhe hyri në dy klasa ku ndodheshin nxënës të klasës së pestë, duke qëlluar pa dallim”, tha Unluer.
Në rrjetet sociale u shpërndanë pamje në të cilat shihen disa nxënës duke u hedhur nga dritaret e katit të dytë të shkollës, ndërsa dëgjoheshin të shtëna me armë. Në disa pamje të tjera të paverifikuara nga kamerat e sigurisë shihet sulmuesi duke i qëlluar dy nxënës që po ecnin në një korridor.
Ndërkaq në oborrin e shkollës, pranë hyrjes së të cilës ishin mbledhur shumë policë dhe qytetarë, vazhdonin të mbërrinin autoambulancat e ndihmës shëndetësore.
Ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, në një postim në platformën X, tha se autori është një ish-nxënës i kësaj shkolle. Ai tha se sulmuesi e ka vrarë veten pas kryerjes së krimit.
Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, e përjashtoi mundësinë që ky të jetë sulm terrorist.
“Ky ishte thjesht një sulm personal, i kryer nga një prej nxënësve tanë. Nuk është incident terrorist”, tha ai.
Televizioni NTV raportoi se babai i sulmuesit është ndaluar nga policia pas sulmit.
Ministri i Drejtësisë, Akin Gurlek, njoftoi se ka nisur një hetim lidhur me sulmin.
(r.m.)