Thellohet kriza mes partnerëve qeverisës në Mal të Zi

Podgoricë, 7 gusht 2021 – Në Mal të Zi është krijuar një situatë paradoksale. Qeveria e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit të kaluar nuk e ka shumicën. Megjithatë, ajo vazhdon të qeverisë pa ndonjë problem të madh.

Partitë e koalicionit qeverisës, të cilët e fituan pushtetin ndaj Partisë Demikratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq, pas tri dekadave në opozitë, kanë mosmarrëveshje serioze rreth mënyrës së qeverisjes.

Partia proserbe dhe proruse, Fronti Demokratik, është duke e bojkotuar parlamentin dhe këmbëngul për një marrëveshje të re lidhur me qeverisjen. Ajo po kërkon dorëheqjen e kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe marrjen e disa vendeve kyçe në qeveri.

Megjithatë, partitë tjera në koalicionin qeverisës nuk besojnë se trysnia politike e Frontit Demokratik mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme.

Partia qytetare “Ura” e Dritan Abazoviqit, e cila cilësohet si forca politike më me ndikim në qeverinë malazeze, vlerëson se një qëndrim i tillë mund ta rikthejë në pushtet, në formën më të lehtë, Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq, e cila e ushtroi pushtetin në Mal të Zi mbi 30 vjet.

Zyrtari i Lartë i partisë qytetare “Ura”, Ilir Harasani , theksoi se zgjedhjet e parakohshme dhe rrëzimi i qeverisë nuk shkon në favor të Frontit Demokratik.

“Qeverinë e përbëjnë partitë të cilat janë diametralisht shumë të ndryshme me ideologji. Por, ndërrimi i pushtetit 30 vjeçar nuk do të ishte i mundur pa u mbledhë ne si parti të ndryshme për ta rrëzuar atë pushtet. Fronti Demokratik ka më së shumti vende në parlament, prandaJ është më i zëshëm. Problemi qëndron se ajo është parti djathtiste dhe destruktive. Si e tillë, kjo parti bën më së shumti zhurmë, por nuk besoj se do të ndërmarrë hapa radikalë për rrëzimin e qeverisë, pasi nuk shkon në favor të tyre”, tha zoti Harasani.

Opozita në Mal të Zi e sheh si të panatyrshme qeverisjen e partive me pikëpamje të skajshme politike. Ish nënkryetari i parlamentit të Malit të Zi dhe deputeti aktual i “Listës Shqiptare”, Genci Nimanbegu, vlerëson se koalicioni qeverisës e ka vështirë të mbijetojë situatën dhe të vazhdojë përpara.

“Ato veprojnë me programe të kundërta politike, me politike të djathta, nacionaliste apo proserbe. Nga ana tjetër kemi politika që janë demagogjike e popullsitë. Pushteti i ri në Mal të Zi është formuar duke kundërshtuar pushtetin e kaluar dhe ajo që i lidhë aktualisht partitë qeverisëse nuk është e mjaftueshme që të vazhdohet përpara”, tha deputeti Nimanbegu.

Situata e krijuar në Mal të Zi dhe tensionet aktuale e shqetësojnë edhe Bashkimin Evropian. Brukseli kërkoi që Mali i Zi t’i kthehet rrugës që ka marrë, rrugës drejt integrimeve evropiane.

“Do të ishte vërtetë për keqardhje nëse partitë politike fillojnë të krijojnë përshtypjen e mospërputhjes dhe paaftësisë, veçanërisht kur Mali i Zi ka arritur deri këtu”, thuhet në një reagim të BE-së.

(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)