Thirret për nesër vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. Ajo pritet të dërgohet në Kushtetuese

Prishtinë, 7 gusht 2026 – Kryesuesi i seancës kontituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ka thirrur për nesër në orën 11:00 vazhdimin e seancës që ka filluar të enjten.

“Seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 06.08.2026, i vazhdon punimet të shtunën. Më 08.08.2026, në orën 11:00, në sallën e seancave plenare. Ftohen të gjithë deputetët e Kuvendit”, thuhet në thirrjen drejtuar deputetëve të legjislaturës së 11-të të Kuvenditt ë Kosovës.

Dehari u dërgoi deputetëve thirrjen për pjesëmarrje në seancë pak orë pas përfundimit takimit të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, në të cilin nuk u arrit marrëveshje politike e këtyre dy subjekteve politike për formimin e institucioneve.

Seanca konstituive, e cila filloi të enjten, u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari pas kërkesës së liderit të Lëevizjes Vetëvendosje, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për “kohë shtesë” për bisedime për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të krizës së gjatë politike.

Dehari e thirri vazhdimi n e seancës për nesër, pavarësisht paralajmërimeve se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve – përfundon sonte në mesnatë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në aktgjykimin e saj lidhur me këtë çështje, vitin e kaluar, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare.

Njohës të Kushtetutës dhe ekspertë të fushës thonë se thirrja e seancës pas skadimit të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit është kundërkushtetuese. Prandaj, pritet që thirrja e seancës për nesër pritet të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

Në qoftë se Kushtetuesja konstaton se vazhdimi i seancës së thirrur për nesër është kundërkushtetues, atëherë Kuvendi i Kosovës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

(r.m.)