Tony Blair: “Islamizmi mbetet rrezik i madh për sigurinë”

Londër, 6 shtator 2021 – “Islamizmi mbetet një kërcënim i madh për sigurinë dhe Perëndimi duhet të përgatitet për përdorim të mundshëm të armëve biologjike nga grupet ekstremiste”.

Paralajmërimi vjen nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair.

Talebanët e morën pushtetin në Afganistan muajin e kaluar, derisa Shtetet e Bashkuara i tërhiqnin trupat, pas 20 vjetësh.

Britania e Madhe është e shqetësuar se rikthimi i talebanëve dhe vakuumi i lënë pas largimi kaotik i forcave të huaja do të lejojnë fuqizimin e militantëve të Al Kaedës dhe ISIS-it.

“Islamizmi, si nga pikëpamja ideologjike, ashtu edhe dhuna, është një kërcënim i madh për ne dhe nëse nuk tregojmë vigjilencë do të vijë tek ne. Duhet gjithashtu të shqyrtojmë dobësitë tona. Covid-19 na mësoi mbi patogjenët vdekjeprurës. Mundësitë bio-terroriste mund të duken si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, por nëse duam të tregohemi të mençur, duhet të përgatitemi për përdorimin e tyre nga aktorë joshtetërore”, tha Blair, citon A2CNN.

Ish-kryeministri britanik, i cili dërgoi trupat britanike në Afganistan, në vitin 2001, tha se për shkak të mungesës së vullnetit të Shteteve të Bashkuara për angazhim ushtarak, Britania e Madhe duhet të punojë më shumë me vendet europiane për rritjen e kapaciteteve për t’u bërë ballë kërcënimeve në zonat si rajoni i Sahelit, në Afrikë.

(r.m.)