Trafikanti shqiptar i drogës që u fotografua me 250 mijë funte e fiton gjyqin për qëndrim në Britani

Britani

Londër, 19 qershor 2025 – Një shqiptar, trafikant droge, i dënuar me 11 vjet burgim, i cili e kishte bërë një fotografi me 250 mijë funte të gatshme përpara vetes, e ka fituar betejën gjyqësore për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht nga krimet që i ka kryer, raportoi të enjten “The Telegraph”.

Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) po kërkojnë deportimin e33-vjeçarit Olsi Behluli, i cili është dënuar me 11 vjet burgim për rolin e tij “të rëndësishëm” në një bandë që merrej me trafikimin e heroinës.

Behluli, i cili kishte shkuar në Britani kur ishte 9 vjeç, akuzohet se e ka siguruar shtetësinë britanike me mashtrim, duke mos treguar në formularin e aplikimit për natyralizim për përfshirjen e tij në krime. Vetëm 8 muaj pas marrjes së shtetësisë, ai ishte arrestuar me tetë kilogramë heroinë me pastërti të lartë, me vlerë prej 200 mijë funtesh.

Gjatë bastisjeve, NCA gjeti në iPhone-in e Behlulit foton ku ai kishte përpara vetes 250,000 paund kesh. Ministria e Brendshme dhe NCA thanë se vetëm një personi me pozitë të lartë dhe me histori të gjatë kriminale do t’i besohej një sasi kaq e madhe droge.

“Është jashtë logjikës të pranohet që atij do t’i ishte besuar një sasi kaq e madhe droge në qoftë e nuk do të ishte i përfshirë një kohë të gjatë në furnizimin me drogë të klasës A”, i thanë gjykatës përfaqësuesit e ministries dhe NCA-s.

Por, gjykata e shkallës së parë tha se nuk kishte prova të mjaftueshme për të arritur në këtë përfundim.

“Nuk kishte prova bindëse që tregojnë se apelanti ishte i përfshirë në krim në kohën që kishte deklaruar se në karakterin e tij nuk kishte asgjë të keqe”, tha gjykata.

(r.m.)