Reja pret konfirmime nga Kombëtarja dhe një seri rezultatesh pozitive

Kombëtarja shqiptare në pak ditë do të nisë grumbullimin në prag të tre sfidave të rëndësishme në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Kuqezinjtë përballen me Poloninë në transfertën e 2 shtatorit e më pas presim Hungarinë dhe San Marinon.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, shpreson që përfaqësuesja shqiptare të nisë një seri rezultatesh pozitive dhe të konfirmojë progresin e arritur në edicionin e fundit të Nations League. Në një intervistë dhënë për gazetën prestigjioze “Gazzetta dello Sport”, tekniku i njohur ka komentuar zhvillimet në Serinë B italiane si edhe ka folur për objektivat e Shqipërisë në këto eliminatore dhe thekson se pret një seri rezultatesh pozitive nga skuadra.

“Javën e ardhshme do të kthehem në Shqipëri. Për mua është një aventurë shumë e bukur dhe shqiptarët më duan. Edhe këtu në Grado, ku ndodhem për të kaluar disa ditë plazh, kam takuar shumë shqiptarë që jetojnë në Itali dhe më kanë komplimentuar për rezultatet e arritura me Kombëtaren kuqezi.

Aktualisht po punojmë në disa drejtime njëkohësisht. Së bashku me bashkëpunëtorët kemi organizuar disa kurse për formimin e përgatitësve atletikë dhe mjekëve sportivë. Një risi absolute për futbollin në Shqipëri. Përveç këtyre, përpara kemi ndeshjet për eliminatoret e Botërorit ‘Katar 2022’ ndaj Polonisë, Hungarisë dhe San Marinos.

Nga këto ndeshje pres nga skuadra konfirmime të progresit që kemi arritur gjatë edicionit të fundit në Nations League. Në pritje të sfidës së kthimit me Anglinë, objektivi ynë është që të shkojmë në këtë duel të motivuar nga një seri fitoresh e rezultatesh pozitive”, – tha Edoardo Reja ndër të tjera në intervistën e tij.

fshf.org