Transformimi i Parkut Natyror të Liqenit të Ulzës do të kushtojë 3.8 milionë euro

Tiranë, 14 shtator 2023 – Parku Natyror i Liqenit të Ulzës dhe rrethinat e tij pritet t’i nënshtrohen një transformimi të plotë në funksion të rritjes dhe shfrytëzimit të potencialit turistik që ka zona.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit çeli këtë të enjte procedurën për zbatimin e këtij projekti, me një fond limit 3.8 milionë euro. Procedura që ka në objekt të saj Projekti i Zbatimit për Parkun Natyror Liqeni i Ulzës dhe Zona Përreth tij” ka bashkëngjitur një seri dokumentesh teknikë që nënvizojnë edhe aspektet se ku do të bëhen ndryshimet si dhe projektin konkret që do të zbatohet.

Në dokumente qeveria pranon se zona ka pasur investime private kryesisht dhe që tashmë duhet t’u përgjigjet me infrastrukturë dhe krijimin e elementëve shtesë që rrisin vlerën e rajonit.

“Në këtë kontekst në analizën hapësinore të projektit të zbatimit është identifikuar nevoja për ndërhyrje përmirësuese në pjesën e bregut të liqenit poshtë qytezës duke krijuar kështu një hapësirë të sistemuar dhe një shëtitore të përshtatshme me panoramën turistike liqenore. Propozimi konsiston në krijimin e një shëtitoreje përgjatë të gjithë buzës së liqenit të kombinuar me mole për varkat apo për stacion për plazh.

Kjo strukturë do të funksionojë si elementi më dinamik turistik në qendrën e Parkut ku vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë nga afër liqenin por edhe të jenë pranë shërbimeve turistike të nevojshme” thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se pjesa e investimeve është menduar të vijojë me qytetin e Ulzës ku do të zbatohet ndërtimi i një strukture për pritjen e vizitorëve. Nga pikëpamja funksionale kjo strukturë do të ketë mundësi të ofrojë informacion të nevojshëm për Parakun Natyror por edhe hapësira të nevojshme shërbimi.

Në liqenin e Ulzës nga ana tjetër është menduar të shfrytëzohet potenciali që ofron ai lidhur me aktivitete të ndryshme turistike përfshirë lundrimin me varka, shëtitjet me kajak, noti, peshkimi.

Përgjatë korridorit të Shkopetit referuar dokumenteve janë parashikuar pika qëndrimi panoramike dhe parkime, dy stacione varkash, dhe stacione kampingu dhe kamerash.

Projekti parashikon në tërësi ndërhyrje në shëtitore plotësimin me stola druri, ndërtimin e njësive akomoduese turistike me dru dhe miqësore me mjedisin, tre kulla për vëzhgim mbi 19 metra të larta. Të gjithë këto të pozicionuara në zona të ndryshme të asaj që sot është Parku natyror i Liqenit të Ulzës.

(Monitor.al)