Tre kongresistë dhe ambasada e SHBA-së shprehin shqetësimin për përshkallëzimin e protestës antiqeveritare në Shqipëri

Prishtinë, 18 tetor 2026 – Përshkallëzimi i protestave antiqeveritare në Shqipëri ka nxitur reagimin e tre anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata kanë shprehur shqetësimin për situatën e krijuar dhe kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve, për respektimin e sundimit të ligjit dhe të të drejtave të qytetarëve.

Kongresisti Joe Wilson ka thënë se qytetarët shqiptarë meritojnë “liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale”, ndërsa qeverisë i ka bërë thirrje “të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve”.

“Po e përcjell me shqetësim të madh krizën në përshkallëzim në Shqipëri, anëtare e NATOs. Populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe llogaridhënie institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë e dhunës ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në të ardhmen e vendit të tyre”, ka shkruar Wilson në platformën X.

Kongresisti Keith Self i ka cilësuar protestat antiqeveritare në Shqipëri si “kulmim të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”. Ai ka theksuar se udhëheqësit e shtetit “duhet t’i dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore” në Shqipëri.

“Protestat në Shqipëri janë kulmim i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja totale e sundimit të ligjit. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore që do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, ka shkruar kongresisti Self në platformën X.

Edhe Kongresisti Robert Aderholt ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri dhe ka bërë thirrje për “respektimin e sundimit të ligjit” dhe “të të drejtave të protestuesve paqësorë”.

Në një reagim në rrjetin social X, Aderholt, i cili kryeson Nënkomisionin për Punë, Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore dhe Arsim në Komisionin për Ndarjet Buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBAsë, ka thënë se populli shqiptar meriton institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të shprehur zërin e tij.

“Jam thellësisht i shqetësuar nga përshkallëzimi i trazirave në Shqipëri, një vend aleat i NATO-s. Populli shqiptar meriton sundim të ligjit, institucione që japin llogari dhe liri për ta bërë zërin e tij të dëgjohet. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë një zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre”, ka shkruar kongresisti Aderholt.

Thirrje për shmangien e akteve të dhunshme ka bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Përmes një deklarate të publikuar në Facebook, ambasada ka theksuar se dhuna, trazirat, lëndimi fizik i personave të tjerë dhe shkatërrimi i pronës nuk përbëjnë angazhim qytetar.

“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë.

(r.m.)