Tre mjekë stomatologë dërgohen për gjykim për vrasje nga pakujdesia

Tiranë, 7 shkurt 2026 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten më 6 shkurt përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tre mjekëve stamotologë, Roland Xhaxho, Ina Xhaxho dhe Marta Gina, të akuzuar për vrasjen nga pakujdesia të një fëmije 3 vjeçar, ngjarje e ndodhur tre vjet më parë.

Ata akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, e kryer në bashkëpunim, ndërkohë që Ina Xhaxho është marrë e pandehur edhe për ushtrim të aktivitetit të paligjshëm.

Pjesë e kësaj dosjeje janë edhe dy ekspertët mjeko-ligjorë, Elton Serani dhe Erindo Alla, të akuzuar për “shpërdorim detyre” si dhe dy mjekët e repartit të Pediatrisë, Durim Sala dhe Vladimir Hoxha me akuzën e neglizhencës në trajtimin mjekësor.  Të pandehurit i kanë mohuar akuzat.

Fëmija 3-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare më datë 28 shtator 2023 tek klinika “Splendent”, të drejtuar nga mjekët Roland Xhaxho dhe Ina Xhaxho. Pas ndërhyrjes, i mituri është kthyer në shtëpi dhe brenda pak orësh është dërguar në gjendje koma dhe insuficencë respiratore akute në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Më datë 1 tetor, i mitur ndërroi jetë.

Sipas Prokurorisë, akti i një ekspertimi ligjor të kryer nga një grup mjekësh italianë ka arritur në konkluzionin se ndërhyrja e kryer në klinikën dentare ka sjellë një shok septik të rëndë dhe më pas insuficencë progresive të shumë organeve, që sollën si pasojë vdekjen e 3-vjeçarit.

“Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij,” citohet në njoftimin e prokurorisë.

Konkretisht, nuk janë kryer kontrollet dhe verifikimet e nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit, si dhe nuk është formuluar si duhet diagnoza. Po ashtu, ka rezultuar se i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrën e duhur, pa një diagnozë të saktë dhe pa një indikacion të arsyetuar.

Ndërkohë, ndërhyrja e kryer ka qenë më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe aplikimi anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, sipas ekspertëve, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

Tjetër rrethanë e konstatuar është dhe nxjerrja e të miturit nga spitali, duke mos konsideruar  rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi pas ndërhyrjes, si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi ka rezultuar e provuar se dy stomatologet Ina Xhaxho dhe Marta Gina,

kanë mashtruar prindërit e të miturit duke u marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia ka rezultuar se 6 prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Hetimi ka zbuluar se, pas ngjarjes, e pandehura Ina Xhaxho ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar në përputhje me procedurat ligjore licencën si stomatologe.

Gjatë hetimeve janë gjetur shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të pandehurit Elton Serani dhe Erindo Alla.

Ndërsa mjekët roje të Pediatrisë, Durim Sala dhe Vladimir Hoxha, akluzohen se nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Sipas prokurorisë, moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë kur kishte mbërritur.

(Reporter)