“Tre presidentë dhe Rubeni!”

Nga Ruben Avxhiu

Seriozisht, ky është titulli apo “subjekti” i emailit që më erdhi sot nga Bill Clinton. “Three Presidents and Ruben”.

Është një ftesë për të marrë pjesë në një llotari, ku fituesi apo fituesit do të hanë darkë me tre presidentët e fundit demokratë: Bill Clinton, Barack Obama, dhe Joe Biden.

Që të marrësh pjesë duhet të japësh të paktën një dollar fushatës presidenciale për rizgjedhjen e Presidentit Biden.

Si mund ta kuptoni nga konteksti nuk është asgjë e veçantë. U ka shkuar të gjitha adresave në listën shumëmilionëshe të fushatës presidenciale demokrate.

Në vitin 2016, regjistrova adresën time të emailit në uebsajtet e fushatave zgjedhore të kandidatëve Donald Trump dhe Hillary Clinton. E bëra me besimin naiv se mund ta ndjek fushatën edhe nëpërmjet emailit, vendndodhjet e mitingjeve e takimeve me popullin, deklaratat më të rëndësishme etj.

Në fakt, e vetmja gjë që kam fituar prej atij regjistrimi janë tetë vjet ftesa pambarim për të dhënë para jo vetëm për kandidatët Trump dhe Clinton, por për një seri pafund kandidatësh për kongres, për gara lokale, për kauza që kanë ngarkesë partiake e idologjike, etj.

Duhen edhe 25 dollarë për të kapur një milion dollarë. Kishte mbetur te unë 25 dollarëshi i fundit. Edhe 10 dollarë përpara se të mbyllet tremujori i deklarimit të financave të fushatës. Edhe 5 dollarë për të shpëtuar demokracinë amerikane. 4 dollarë për të mos lejuar komunizmin në SHBA. 2 dollarë për ta Bërë Amerikën Përsëri të Madhe. 1 dollar për të ngrënë darkë me tre presidentë demokratë.

Gjatë këtyre tetë viteve, jam përpjekur disa herë që të dal nga këto lista. Në fillim mesazhet ishin informuese se më jepnin një ide se si strukturoheshin kërkesat për dhurime zgjedhore. Më tej kishin një element zbavitës se gjeja arsye të tallesha me to. Por, erdhi një kohë kur nuk i duroja dot më, se më mbushnin “kutinë postare”, më shpenzonin memorjen e lejuar të saj, dhe dukej se vetëm po shumëfishoheshin. Lista me emra e adresa qartësisht u ishte shitur ose dhuruar rangjeve më poshtë të politikës dhe aktivizmit politik e social.

Të gjitha këto mesazhe vijnë në fund me një lidhëz ku të jepet mundësia për ta ndërprerë “abonimin”. Kam trokitur mbi këto lidhëza e kam menduar se kam shpëtuar. Por, nuk ka mjaftuar. Vazhdimisht çregjistrohem nga një dërgues dhe zbuloj se çregjistrimi nuk është për çdo entitet të lidhur me të.

Problemi kryesor është se nuk ke të bësh me njerëz, por me programe e algoritme. Këto shpesh bëjnë sikur nuk e kuptojnë kërkesën. Çregjistrimi paskej qenë vetëm për mesazhet e përditshme. Je i sigurtë se nuk do të të vijnë mesazhe për raste kur Hillary Clinton ka ndonjë njoftim me rëndësi? Je i sigurtë që do të ndalosh përgjithmonë mesazhet që vijnë nga Donald Trump? Nganjëherë gënjehesh. Thua, OK, nuk dua që të më bezdisin përditë, por nëse ka ndonjë gjë të rëndësishme mbase e dua që të më vijë me email. Gabim i madh. Shkëputu nga çdo gjë. Në rrjetin X, në Facebook, kudo në lajme, çfarëdo që ka të rëndësishme do ta marrësh vesh shumë shpejt. Sot, nuk është më problem nëse po e merr informacionin apo jo dhe a po e merr në kohë. Problemi sot është se merr kaq shumë informacion saqë nuk e ke kohë ta përtypësh.

Prandaj tetë vjet më vonë, pas shumë trokitjesh mbi lidhëza për t’u divorcuar nga mesazhet zgjedhore përsëri të vjen një ftesë për të drekuar a darkuar me tre presidentë. Imagjino bujën mes shoqnisë, mburrjen në rrjetet sociale. Fotografitë e çmuara. Njerëzit nuk i rezistojnë dot joshjes.

Këto forma komunikimi funksionojnë mirë edhe sepse ushqejnë delirin e njerëzve që dëshirojnë të besojnë se kanë një lidhje direkte më politikanë të njohur e se janë pjesë e politikës së madhe. “Ja më erdhi një email nga Trump, që pyeste se çfarë mendoj. Nuk është hera e parë”. “Mund të ha darkë me Clinton, po s’jam nga ata që vrapojnë pas politikanëve”. Bam! Bujë në tavolinën e kafenesë. Mahnitja e miqve, xhelozia e armiqve. Në një dorë filxhani i kafes, në tjetrën celulari me emailat e çmuar.

I ziu Bill Clinton, as që e di që më ka dërguar email. E di që darka e dreka të tilla bëhen vazhdimisht. Ai, Obama dhe Biden kanë rënë dakord në parim. Dikush në staf ka formuluar mesazhin. Një nga programuesit në ekip ka krijuar apo ka marrë të gatshëm një program që e vendos në titull të mesazhit emrin [e parë] të marrësit. Kështu nuk fillon mesazhi me “I dashur mik…” por me “I dashur Ruben…”. Personalizohet. Bëhet më intim dhe të tërheq në zinxhirin e pafund të ftesave për të sponsorizuar.

Në vitet e fundit, sidomos me fushatën e Barack Obama-s në 2008, por edhe shumë kohë përpara tij, fushatat zgjedhore zbuluan se populli mund të mbledhë më shumë para se milionerët e miliardierët. Sidomos me vendosjen e ligjeve që kufizojnë shumat e dhurimit personal. Po të japin nga 1 dollar 1 milion vetë mund të mbledhësh 1 milion dollarë dhe nuk i detyrohesh askujt ndonjë gjë. Dhuruesit e përkushtuar në politikë gjithmonë kanë pasur mundësi të ulen në tavolina me politkanë të njohur.

Kjo ftesë për t’u takuar me tre presidentë, ku mjafton vetëm 1 dollar për të hyrë në llotari, nuk është një ftesë për ata që kanë shumë para. Është për ne të tjerët. Ne të zakonshmit. Të vdekshmit. Të harrueshmit. Në fakt si mund të merret vesh lehtë nga lajmet politike të ditës. Të tre presidentët në fjalë po vijnë në New York City për një darkë të madhe fondmbledhëse. Mes shumë donatorësh bujarë, do të ndahen mesiguri një apo disa karrige për ne popullin. Nuk është se do të jemi as kokë më kokë, me tre presidentë.

E megjithatë, pavarësisht nga të gjitha, është normale që natyra njerëzore të triumfojë mbi arsyen dhe të trokasësh mbi lidhëz e ta japësh atë 1 dollar, apo edhe më shumë. Prandaj është një gjetje e jashtëzakonshme marketingu. Se arrin të peshkojë lehtë njerëzit. Se çfarë do të humbësh në fund të fundit. Nga ana tjetër, organizatorët, mbledhin një shumë të madhe parash dhe bëjnë të lumtur dikë diku, ndërsa ndezin imagjinatën e miliona të tjerëve. Secili nga ju mund të ulet për darkë me tre presidentë të Amerikës. Po, po, edhe ti Ruben.