Stokholm, 4 tetor 2023 – Tre shkencëtarë në Shtetet e Bashkuara u shpallën fitues të çmimit “Nobel” në kimi të mërkurën, lidhur me punën e tyre mbi pikat kuantike. Këto të fundit mund të lëshojnë dritë me ngjyra shumë të ndezura dhe përdoren si në mjekësi ashtu edhe teknologji.
Fituesit janë Moungi Bawendi i Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, Louis Brus i Universitetit të Kolumbias si dhe Alexei Ekimov i kompanisë Nanocrystals Technology Inc.
Ndërsa pritej vendimi i akademisë, ngjarjet morën një kthesë të pazakontë kur mediat suedeze njoftuan emrat e fituesve disa orë përpara shpalljes së çmimit.
Njoftimi paraprak me sa duket erdhi nga një njoftim i dërguar më herët, gabimisht.
Elektronet e pikave kuantike kanë lëvizje të kufizuar, gjë që ndikon në mënyrën se si ato thithin dhe lëshojnë dritën, duke mundësuar ngjyra shumë të ndritshme.
Pikat janë nanogrimca, që shkëlqejnë në ngjyrë blu, të kuqe ose jeshile kur ndriçohen ose ekspozohen ndaj dritës. Ngjyra që ato lëshojnë varet nga madhësia e grimcave. Pikat më të mëdha shkëlqejnë në të kuqe dhe më të voglat në blu. Ndryshimi i ngjyrës vjen për shkak të mënyrës se si veprojnë elektronet në hapësira pak a shumë të kufizuara.
Ndërsa fizikanët i kishin parashikuar këto veti të ndryshimit të ngjyrave që në vitet 1930, krijimi i pikave kuantike të kontrolluara të madhësive specifike, ishte i pamundur të ndodhte në laborator edhe për pesë dekada të tjera.
(Zëri i Amerikës)