Tre shkencëtarë dhe shkrimtarë të talentuar – Flamurtarë të Bashkimit Kombëtar të dënuar nga diktatura komuniste

Nga Pertefe Leka

Janë të shumtë studiuesit shqiptarë dhe të huaj që i përkasin Antropologjisë sociale, historiko -kulturore, të cilët kanë pasë në qendër të vëmendjes shqiptarin e kudondodhur, në të gjitha veprimet jetësore, duke plotësuar kështu shkencën që studion njerëzimin në këndvështrimin, social-kulturore dhe fizik.

 M’u duk e arsyeshme të rikujtoj veprimtaritë e Dr. Paskos, Dr. Samimit, Dr. Milajt …tre individualitete të veçantë, që jo rastësisht i ofroi, momenti historik.

Të motivuar nga ideale të larta, vepruan si patriotë dhe misionarë humanistë për një bashkim shqiptar, gjithëpërfshirës.

 Ata pa qenë historian studiuan ngjarjet dhe kulturën e së kaluarës të popullit tonë që i mbijetoi mijëravjeçarëve. Pa qenë sociolog u përfshinë në letërsi jo për hobi, por hynë natyrshëm në antropologjinë gjuhësore e cila fokusohet në zhvillimin e gjuhës, shkruajtën një shqipe të kuptueshme për të gjithë.

“ Nëna Kosovë” “Poem Kosovar, ”’’Raca Shqiptare ” Vepra të publikuara në një kohë 1943-44, secila në llojin e vet, zgjojnë interesimin për ta njohur më mirë realitetin e sotëm. Vepra që zgjojnë ndërgjegjën kombëtare, ndjenjën e lartë të shqiptarizmit si vazhdimësi e rilindësve tanë të shquar.

Të tre autorët, Dr. Vasfi Samimi( 1908-1981), Dr. Dhimitër Pasko (1907-1967), Dr. Jakov Milaj (1912-1997) kanë investuar në ngritjen e tyre intelektuale duke kontribuar më shumë në veprimtari shkencore, sipas profileve tyre në shërbim të rritjes ekonomike dhe përparimit shoqëror .

Kjo veprimtari e tyre është pasqyruar nepërmjet publicistikës në fushat përkatëse, veterinari, ekonomi. Antropologji kulturore.

 Ata bashkohen edhe në veprimtarinë letrare, krijimet e tyre i përkasin shkencës së letërsisë sepse i janë përmbajtur teorisë së letërsisë, kritikës letrare, për të evidentue pasurinë shpirtërore të krijuesve .

 Si humanistë me përgatitje të lartë shkencore, me aftësi të rralla në fushën e letrave, janë fokusuar në ekzistencën e kombit shqiptarë në mijëra vjeçarë, brenda kufijëve natyror.

Tre shkrimtarët , shkencëtarë, e naltësuen zanin e ndërgjegjës për qenien njerëzore, duke ecur drejt majave të veriut, jo për ekskursion por për të njohur trollin, origjinën dhe vetvetën në shërbim të së ardhmes, në tokat e pushtuara.

 Veprat e tyre u shkruan në çastet më dramatike të Atdheut, kur sllavo-komunistët shkaktuan luftën civile dhe këputën nga trungu zemrën shqiptare , Kosovën. Në fokus të tri veprave është shqiptari i Kosovës, ështe raca shqiptare, është mëmëdheu. Nuk mund të bësh dallime midis tyre si vizionarë, veprat e tyre janë testament politik, grishës për brezat që të harmonizohen në etninë e tyre natyrale.

Një koincidencë kjo, me tri shkrimtaret amerikane që influencuan lëvizjen ‘’ American Libertarian Movement “ me veprat e tyre të botuara në vitin 1943.

Rose Wider Lane (1887-1966) vajza e shkrimtarës amerikane , Laura Ingalls Wilder. Rose W. Lane influencoi lëvizjen ‘me veprën “The Discovery of Freedom” ( Zbulimi i Lirisë )

(Gazetarja e dashuruar me Shqipërinë, kaloi disa kohë pas viteve 1920, ku adaptoi djalin jetim, shumë të zgjuar Rexh Meta, (një histori tashmë e publikuar).

Isabel Paterson (1886-1961) lindur në Ontario Kanada , emigroi në NY, e njohur me veprën “The God of Machine”.

Ayn Rand (1905-1982) lindur në St. Peterburg ( emri i saj Alissa Rosenbaum) emigroi 1926 në Amerikë, ku solli me vete eksperiencën e hidhur, njohjen e bolshevizmit që e paraqiti më vonë me veprën “Anthem “‘Fountainhead” (‘Kryeburimi ‘) . Tri shkrimtare në largësi me njera tjetrën por të përafërta në ide progresive si kërkesë e kohës . Veprat e tyre u publikuan në një vit, 1943, nga fundi i luftës dytë Botërore. Nuk ishte rastësi por rezultat i një nisme të qellimshme, kundër tiranisë, të motivuara nga ideale të larta të lirisë.

 Shkrimtaret në veprat “The Discovery of Freedom”

“The God of Machine” dhe “Fountainhead”, u fokusuan në lëvizjen moderatore liridashëse. Ata guxuan të deklaronin për gjëmën e madhe që sjellin diktaturat, duke sulmuar kështu fashizmin, nazizmin dhe komunizmin . . Ata u ngritën për të drejtat natyrore të cilat siguruan një bazë morale për t’iu kundërvënë shtypjes kudo në botë , parashikuan një të ardhme ndryshe

Veprat e tyre u lexuan në gjithë botën, bashkuan mendimin, kundër shtypjes së individit dhe të drejtën për të jetuar në paqë , demokraci dhe drejtësi. Veprat e tyre vazhdojnë të kenë influencën e tyre edhe sot.

Shkrimtarët dhe shkencëtarë: V. Samimi, me titull Doktor i Shkencave , Gjermani , Dh. Pasko, Doktor i shkencave ekonomike , Rumani, J. Milaj diplomuar Itali, Dr. Veteriner , autor i vepres shkencore “Raca Shqiptare” studiuan , në vende të ndryshme të Evropës, por kontribuan në vendlindje . Ata nuk kishin bërë një pakt që të shkruanin në një kohë. Të lindur në krahina të ndryshme Pogradec, Fier, Mallakastër, me religjione të ndryshme u orientuan drejtë një feje të përbashkët, drejt Shqiptarisë.

Të ndërgjegjshëm në veprimet e tyre, i drejtuan sytë nga Veriu, nga Kosova. gjymtyra më e shëndetshme e Atdheut, që po rrëmbehej . Kjo ndjesi e flaktë e atdhedashurisë e shprehur ne krijimet e tyre, janë himn për Kosovën dhe mbarë shqiptarinë, në momentin e duhur. Nuk u morën me politikë, por veprat e tyre janë një manifest politik, janë një testament për brezat, me vlerë të madhe social-ekonomike.

“Nëna Kosovë” sipas autorit, Dr. Samimi “i dedikohet martirëve të motshëm e të rinj , kohërave të kaluara dhe të ditëve të sotshme, që kanë ra deshmorë për lirinë e kombit e të Atdheut …Vepra është një përjetim i sinqertë i një të vërtete të shenjtë njerëzore “ VS

Dr. Milaj me veprën “Raca Shqiptare”çmon shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve si vlerë e lartë njerëzore:

“Thesari më i çmuar i një shteti nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve q’ai shtet mban në gji, prej shpirtit q’i u jep gjallëri këtyre njerëzve, prej gjakut që qarkullon nepër venat e tyre J. M.

Kuteli në monologun ’’ Poem Kosovar ‘’

“Jam shqiptar /e kosovar / Zot e krenar, “ flet në emën të kombit duke na dhënë një kartë krenarie të identiteti. Poeti shkrihet me kosovarin vigan njësohet me te , duke rrënjosë kështu premtimin solemn…

“Unë jam këtu e do të jem //—dem baba dem —sa mali të bëhet hi // e hiri mal përsëri !//…

 Poeti besimplotë për ditët e lirisë , duron:

 “dhe prita //të vijë edhe për mua// dita …. . “Dhe kam uri /si s’ka njeri , /për Drejtësi, /e për Liri/“.

 Duke rritur kështu frymën optimiste të kombit që përfaqëson. Buçet :

“Hej!  Komb i lirë kosovar /Ti komb shqiptar!/Ti zot krenar/Bëju gati për vrull të ri/ Për Shqipëri!/Për Shqipëri!”

 Dr. Dh. Paskon e kam njohur personalisht, me Zonjën Efterpi, në vitet 1962-63, punonin shumë për të mbijetuar. Dy vajzat e tye, Poliksenin dhe Atalantën. (tani e ndjerë) i kisha nxënëse në shkollën 4 Dëshmorët . Shkrimtarin e kishim ftuar disa herë në shkollë, për të biseduar me nxënësit, nga tregimet e botuara . Fliste ngadalë sepse vrullin dhe optimizmin e ‘ Poemit Kosovar’ e kishte kyçur në zemër. sepse në ate kohë vepra ishte e ndaluar …

Dr. Dhimiter Pasko

 Për Paskon ekonomist , atëhere, kishim pak njohuri …. Më vonë mësuam se kishte të tjera zotësi, ishte shumëdimensional.

 Kur vazhdonte shkollën tregtare në Selanik më 1924, ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e shoqërisë “K. Kristoforidhi” të nxënësve shqiptarë të Selanikut.

 Botonte në shtypin shqiptar e të jashtëm te ‘’Shqipëria e Re ‘’dhe ‘’Kosova’’ në Kostancë të Rumanisë si shkrime për B. Currin, L. Gurakuqin 1924…. , pa u ndarë prej problemeve ekonomike të Shqipërisë, kritikonte Bankën Kombëtare, së cilës ia faktonte spekullimet në dëm të ekonomisë së vendit .

 Kur filloi studimet më 1928 në Bukuresht në  “Akademinë e Shkencave të larta Ekonomike ‘’, punonte si llogaritar dhe drejtonte gazetën ‘’Shqipëria e Re ‘’në Kostancë, ku shkruante artikuj të ndryshëm për Bjeshkët e Vermoshit e Velipojës, për Manastirin e Shën Naunit …. .

I pa ndarë nga ekonomia shqiptare shkruante i shqetësuar për disa koncensione dhënë kapitalit huaj italian për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare …

Sado i angazhuar në shumë aktivitete në gazetari, përparësi kishte profesioni si ekonomist . Dh. Paskos (1907-1967) studioi në Bukuresht në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike 1928, ku ka mbetur e përmendur , Teza Universitare pasi kishte marrë vleresimet maksimale. Me një disiplinë të rrepte pune e zgjeroi studimin duke e pasqyruar në 16 libra të shkruar dhe 25 artikuj , në gjuhën rumune mbi ekonominë dhe financat, për probleme të monedhës dhe të kreditit.

Qëndrimi konseguent i ekonomistit të shquar për të mbrojtur kapitalin vendas dhe veprimi i tij për t’ju shmangur inflacionit, e vunë në rrezik sidomos në kohën e pushtimit Gjerman, në Rumani dhe më pas në Shqipëri. Nuk pranoi të shtypej monedha e huaj për shpenzimet e ushtrisë gjermane Po kështu veproi kur ishte drejtor i Bankës kombëtare në Shqipëri deri1946, denoncoi traktatet ekonomike me Jugosllavinë si të dëmshme për Shqipërinë, nuk pranoi të njësohej dinari me lekun . Një mendje gjeniale, i ndershëm dhe i guximshëm ndaj detyrës, punoi dhe e studioi problemin jo vetëm si shkencëtar , por si patriot i vërtetë.

I vendosur për të ruajtur ekuilibrin financiar dhe për të mbrojtur kapitalin vendas, sidomos në periudhën ndërrim sistemi politik.

Nuk e lanë të vazhdonte, ekonomistin e shquar , kur i duhej Shqipërisë më shumë se kurrë.

 I pasur në mendime kishte ndjekur filozofinë Hygoniane –

 ‘’Ligji i botës materiale është Ekuilibri dhe ligji i botës morale është Barazia’’.

Ndaj shkruante ,

“Unë kam pasur gjithnjë , si bir i një populli të vogël , një urrejtje të madhe , kundër idesë së zezë popuj mbi popuj , ose të mëdhenj mbi të vegjël, por popuj përkrah popujsh”

 Për këte veprim dinjitoz e të zgjuar , shteti komunist e arrestoi në kulmin e veprimtarisë . Ky qe dhe fundi i karrierës së ekonomistit brilant me Doktoraturë në Shkencat Bankare dhe Monetare me vlerësimin më të lartë ‘’Diplomam Magnam Cum Laudae’’1934.

Kur pas denimit doli në burgun e përgjithshëm u mbështet në një forcë tjetër të diturive tij, në përkthimet, për mbijetesë.

Para izolimit Dr. Pasko kishte pasë një prodhimtari të lartë në fushën e letrave, edhe kjo një shkencë tjetër për të cilën kishte investuar paralel si në shkencat ekzakte bankare.

Megjithëse shprehej :

” Poezia nuk ishte fusha ime, dhe vetëm kur dhimbja del krahërorit atëhere vargjet vijnë natyrshëm”Dh. P

Ishte talenti i lindur që e shtyri të lëvronte në disa gjini letrare që ia përjetësuan ndriçimin, ndaj nuk humbi gjenialiteti i tij. Edhe pse punoi në heshtje, krijimtaria e tij nuk u harrue : si përkthyes e publicist, themelues i tregimit, kritik letrar e poet, vepra artistike të përmbledhura në kolanë botimesh , ku shëndriti me të tjerë në majë të piramidës letrare.

Edhe pse e mbyllur për 40 vjet, vepra lapidare ‘ Poem Kosovar ‘ lëvizi si pasaportë në gjithë hapësirën shqiptare, në gjithë Arbërinë, në ilegalitet.

 Dr. Pasko e shkroi , pas shumë arritjesh në Rumani dhe peripecishë që solli lufta botërore. Më 1942 kthehet në Shqipërinë e pushtuar dhe gjen rastin të vizitojë Kosovën:

 “Të njoh së afërmi gjysmën tjetër të Atdheut si dhe popullin vlla kosovar ‘’

I njohur me pseudonimet Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli, Dr. Pas, në parathënien e librit ‘’Poem Kosovar ‘’ krijon një dialog me vetveten ku flet ekonomisti me poetin, shkencëtari me mendimtarin, flet Dr. Pasko :

…. “Kjo është Kosova ? —

Edhe kjo edhe ajo përtej, Kosova jonë gjithmonë shqiptare …

—u desh të nisemi përsëri për rrugë, gjithë rrugët e Kosovës së vogël se përtej kufive të sotme në Shkup e tatëpjetë është një tjatër Kosovë e robëruar …. . që shtrihej gjer tej nër ato brigjet e kaltra …

Për Kutelin të gjithë tokat shqiptare të pushtuara, janë Kosovë . Edhe kjo , edhe ajo , dhe përtej ….

Me dhëmbje përmend një tjetër Kosovë të robëruar që shkon deri në brigjet e kaltra. Ndaj ngre zërin në poemë se

 “nga një det në tjatrin det isha zot vetë’’

 e ky tjatër det që lag një tjetër Kosovë të robëruar kuptohet qartë që është ÇAMËRIA, një krah tjetër që ia këputën tokës shqiptare. Pasko do ta shetisi të tëren, t’i bashkojë pjesët natyrale deri në vendin e origjinës së Kutelit, në Artë.

 Nga Kuteli i Artës së Çamërisë ishin paraardhësit e tij, Pandi i biri i Pasko Kutelit,

Prej Andej u larguan drejt Rumanisë, ku punuan, mësuan e folën shqip me Nikolla Naçon, por gjaku dhe gjuha i tërhoqi në Shqipëri, në Pogradec, ku lindi poeti i Kutelijve, Dhimiter Pasko (1907-1967)

=====================

Dr. Jakov Milaj

 Edhe Dr. Milaj ishte në një linjë me Dr. Paskon edhe pse me profesione të ndryshme . Jakov Milaj i lindur në Fier (1912-1997) mësimet parauniversitare i mori në Gjimnazin e Shkodrës, më vonë në Universitetin në Torino, prej nga u laurua më 1939, Dr. Veterinar. Vepra ‘’Raca Shqiptare ‘’ e bëri të njohur si vepra e parë antropologjike shkencore duke vazhduar kështu si publicist e shkrimtar në revistat më përparimtare të kohës , si dhe te ‘’Përpjekja Shqiptare ‘’ e Branko Merxhanit të cilin e admironte si sociologun më të shquar të publicistikës shqiptare . Milaj arriti deri kryedrejtor pranë kryeministrisë 1942, dhe një vit më vonë Ministër i bujqësisë dhe i pyjeve në qeverinë e M. Bushatit, prej së cilës dorëhiqet PËR TË MBROJTUR EKONOMINË VENDASE, që pyjet të mos administroheshin nga konçesionarë të huaj.

‘’që zonat pyjore të shkëputeshin nga administrimi italian dhe policia pyjore italiane të zëvendësohej me policinë shqiptare” JM

Nuk e ndali vrullin e punës për progresin shoqëror, pavarësisht ndërrimit të regjimeve me të cilët pati konfrontime, por nuk i shpëtoi dot dënimit komunist në Gjyqin Special bashkë me kolegun e tij Dr. Samimin,

Peripecitë, izolimi, internimi… , nuk e ndaluan vullnetin e tij të jepte kontributin në profesionin që kishte investuar, kur ia patën nevojën ia besuan detyrën e veterinarit. Punoi me përkushtim pa u ndalur duke pasqyruar studimet shkencore të fushës tij, bujqësi-blegtori në dobi të përmirësimit të ekonomisë .

 E mbylli karierën e tij si Dr. Veterinar në qytetin e lindjes Fier duke lënë të shkruara studime teknike profesionale në Buletinin e Shkencave Bujqësore me përmbajtje veterinarie e zooteknike ku një pjesë të atyre dorëshkrimeve janë bërë pjesë e librit ’ Kujtime për Shkodrën’ 1926-1931 shkruar pas viteve 1980 publikuar kohët e fundit 2023. Në se do të përmblidhet gjithë publicistika sipas listës bibliografike përgatitur nga studiuesi Maksim Gjinaj për vitet 1931-44, do të duhen volume të tëra që të përmblidhen të gjithë artikujt patriotikë, ekonomikë , historikë, bujqësorë e blegtoral të zo-veterinarisë : si ‘’Bujqësia shqiptare, ’’ ‘’Financa shqiptare’’ ‘’Arbëria, ’’ ‘’Zonja Marigo dhe Flamuri shqiptar’’ “Portrete të bashkohësve “ e dhjetra të tjerë, …Por janë të tjera të papublikuara, si kujtimet për Migjenin të cilit i qëndroi deri në momentet e fundit.

Në përgatitje të studimit shkencor Dr. Milaj shkruante:

”Të përgatitësh një studim anthropologjik e historik pa qenë as anthropolog , as historian duhet të keshë shumë guxim , E këte guxim e mora pse desha të plotësoj me sa qe e mundur një nevojë të madhe shpirtërore , një mungesë që duhet ta ketë ndjerë shqiptari: njohjen e vetvetës” .

E para kryevepër antropologjike kulturore që provon prejardhjen e popullit shqiptar në mënyrë shkencore është. “ Raca Shqiptare “ e autorit Dr. Jakov Milajt (1911-1997) botuar më 1944.

 Qëllimin e shkrimit të veprës e shpreh vetë autori:

“Për të zbuluar origjinën tonë dhe për të njohur vetveten duhet t’i kushtojmë kujdesin e duhur studimit të racës , që do të kishte për rëndësi të barabartë në mos më të mëdha me studimin e gjuhës e të historisë . Kontributin që kjo racë i ka sjellë botës, në përpjestim me numrin e me kushtet në të cilat ka jetuar, nuk e vë prapa racave të tjera fqinje, tregon përkundrazi se paja shpirtërore e sajë është e madhe dhe e shumanshme ……Vetëm ai grup i Ilirëve që më vonë u quajt me emrin Shqiptar qëndroi më i pastërti dhe megjithëse e ndjen mjaft ndihmën e qytetërimit të huaj, mbeti gati më e paprekur për një racë “J. Milaj

Dr. Jakov Milaj 83 vjeçar (1993 në Tiranë) në mes më shokët e Gjimnazit të Shkodërs takohen pas shumë dekadash në konferencën përkujtimore kushtuar ish-drejtorit tyre .Prof M. Ivanajt.

Asnjë dijetar, shkrimtar, sociolog, psikolog, filozof shqiptarë …nuk është mburrur se i përkas racës siperiore i kanë thënë të huajt për Shqiptarët.

Shumë antropologë, filologë, historian, udhëtarë, poet, gjeograf …. dhe misionarë të ndryshëm kanë përshkruar tiparet e popullit tonë duke e cilësuar për bukurinë fizike, madhështi, zgjuarsi, trimëri, fisnikëri, duke i evidentue shqiptarët nga popujt e tjerë që na rrethojnë dhe disa prej tyre shkojnë më tej ata dallojnë edhe prej gjithë popujve të tjerë të botës. Po kujtoj letrën e Lord Byron dërguar nënës tij, ku i shkruan për bukuritë shqiptare në Çamëri.

Dr. Milaj ka qenë shumë i kujdesshem në studimin e racës, urtësia e tij prej shkencëtari e ka drejtuar në analiza krahasuese bindëse pa shkarë në racizëm.

Ndaj Dr. Milaj duke vlerësuar vjetërsinë e gjuhës në krijimin e ndërgjegjës kombëtare të racës e çmon gjuhën si mjet bashkimi : “se për shqiptarët gjak e gjuhë kanë burim të njëjtë.

 Për këte , Anton Çeta (1920-1995 profesor, albanolog, shkrimtar -folklorist i 16 veprave, i njohur si ‘’Plaku i urtë”, humanist i dalluar dhe aktivist për pajtimin e gjaqeve ), duke vlerësuar veprën e Dr. Milajt shkruante : ’’Në Kosovë- Racën Shqiptare—e kemi mbajtur si Ungjill’’

Ndaj studimi i Racës Shqiptare përveç vlerave historike të argumentuara ka vlera për aktualitetin sidomos për sot që fqinjët veri-jug përdorin lloj-llpj mënyrash me ‘’ Kalin e Trojës’’ deri fshehjen në qendrat e kulteve fetare për t’u përhapë në hapësira shqiptare.

Për këte Dr. Milaj shkruante:

 “Që banorët e Himarës janë të racës shqiptare nuk ka asnjë dyshim . Historia flet hapët për shqiptarinë e tyre …Besa e Burrëria i lidh ata, pa as më të voglin dyshim, me malësitë e virgjëra të veriut…. ”

 Autori thekson për 2-3 katunde të Himarës që flasin një greqishte gjysmake:

— janë shenj e propagandës së fortë greke të zhvilluar me anë të shkollës dhe kishës, por ata i ruajnë me respekt doket e zakonet që ua kanë lënë të parët …. . në dasma dhe vdekje këndojnë e qajnë shqip…. Po ashtu edhe midis shqipëtarëve dhe vllehëve nuk ka ndryshim origjine, kjo duket edhe në përshkrimin e tipit fizik të shqiptarit trupi, koka, floket , fytyra sytë ……që antropologët e huaj i kanë cilësuar si një nga tipat më të bukur të kontinentit evropian.

 Prandaj shqiptari “Të nxëjë disa të vërteta rreth racës së tij, të dijë se midis tij dhe atyre që flasin një gjuhë me të nuk ka asnjë ndryshim gjaku, e pra ta njohë SHQIPTARIN që prej MITROVICE e gjerë në skajin më jugor të ÇAMËRISË , si vllaun e vet” Dr. Jakov Milaj ( 1912-1997) “Raca Shqiptare “1944

 Dr. Milaj eci si paraardhësit e tij. Dr. B. Golemi dhe Dr. Samimi të cilët ishin bërë të njohur në veprimtarinë shkencore. r

==————————————,

 Si arriti Dr. Samimi që të frymojë edhe sot me mesazhin humanitar që përcjell, nepërmjet krijimtarisë së pasur në shumë fusha: në shkencat Blegtori, Zootekni, Veterinari dhe shkencat shoqërore; në fushën e publicistikës, në artet e sportet …. I palodhur në fushën e dijes, përcjell moralin e dashurisë për punën që e orientoi të kapërcejë pengesat në jetën e tij. me postulatin :

 “Një komb që është i shëndoshë -punon, një komb që punon -krijon, dhe një komb që krijon-fiton të drejtën e ekzistencës e të lumturisë . VS

 Kjo ide ishte busulla drejtuese .

Samimi Lindi në Visokë, Mallakastër ( 1908-1981 ) I mbetur jetim u rrit në Stamboll nën kujdesin e dajallarëve , ku mori edukimin arsimor deri edhe universitar, nga ku u diplomua Dr. Veteriner 1927 . Ishte i talentuar në disa drejtime:

 Pasioni për futbollin, përgatitja fizike sistematike e bënë pjesë të skuadrës FENERBAHÇE. Në Stamboll.

Gjithashtu e rrembeu gazetaria, krijimtaria letrare që e bënë të njohur në gazetën më të madhe “Hyrrijet’’.

Më pas edhe në Shqipëri nuk e ndali shkrimin, dëshirë, prej së cilës nuk u shkëput asnjëherë.

Ishte ndër të parët studentë të porsa diplomuar, që iu përgjegj si patriot i vërteë thirrjes të themeluesit të Shërbimit Veterinar Shqiptar Dr. Bilal Golemi: “ Shqipëria ka nevojë për mjek e veterinerë “

Ishte Shkencëtari Dr. B. Golemi që ngriti Laboratorin Bakteriologjik të parë në Shqipëri për përgatitjen e vaksinave, serume …ndaj ftesës tij iu përgjigjen shumë studentë shqiptarë që studiuan jashtë Atdheut edhe në profile tjera.

 Dr. Samimi filloi shërbimin zooteknik në Prefekturën e Vlorës dhe pa u shkëputë nga sporti, fotbollisti i Fenerbahçes me eksperiencë dhe përgatitje fizike u aktivizue në skuadrën e qytetit të Vlorës.

 Përgatitja e tij shkencore dhe aftësitë praktike e bënë të dalluar në punë e sipër. Nga kjo përfitoi një bursë dy vjeçare për specializim në Universitetin e Berlinit , ku mori gradën “Doktor i Mjekësisë së Veterinarisë “.

Talenti i tij për aktrim e shtyri atje të merrte mësime në shkollën e mësuesit të Aleksandër Moisiut për të cilin ndihej krenar, , dhe shkroi shumë artikuj për aktorin e famshëm me origjinë shqiptare. Samimi vetë e kishte provuar aktrimin që kur ishte student në Stamboll. Kishte shkruar drama dy prej të cilave i kishte vënë në skenë…. I gjithanshëm në veprimet e tij , provoi shumë në jetë dhe kudo u dallua për kulturën e gjerë.

Kur Dr. Bilal Golemi u burgos nga Zogu, 1932, si pjesëmarrës në lëvizjen e Vlorës, Dr. Samimi ishte shef i Zooteknisë në ministrinë e bujqësisë dhe pyjeve, ku qëndroi një kohë të shkurtër pasi iu ngarkua detyra e Drejtorit të Veterinarisë, që e mbante Dr. Bilali E mori me shumë dhëmbje këte detyrë, të zëvendësonte shkencëtarin e shquar , me të cilin kishte bashkëpunuar në laboratorin e parë bakteoriologjik . Ishte e rendë për te , por përgjegjësia ndaj detyrës e tërhoqi për të vazhduar shembullin e paraardhësit duke kryer kështu punët shkencore të shëbimit veterinar dhe zooteknik të pasqyruara në shumë studime të mirëfillta. Njëkohësisht nuk ndalej nga problemet e kulturës sportive. Gjithmonë i gatshëm për të vënë dituritë e tij në dobi të përparimit shoqëror e shihte sportin si mjet bashkimi dhe njohje të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare . Me idenë e themelimit të Kombëtares së futbollit, gjeti rastin t’ia parashtronte Ministrit të Arsimit Prof. Ivanajt, atëkohë, i njohur, – Ministri Reformator -(1933), që përfshinte edukimin fizik në sistemin shkollor. .

 Propozimi i Dr. Samimit  drejtuar qeverisë shqiptare për ngritjen e skuadrës kombëtare gjeti menjëherë miratimin e Ministrit Ivanaj . Nga dokumenti drejtuar qeverisë :’’ Duhet të përpiqemi me sa të jetë e mundur të formojmë Skuadrën Nacionale e cila ka për të qenë shpresa , edhe një ngacmues për zhvillimin sa më mirë të sportit . Ndeshjet që do të ketë kjo skuadër me ato të huajat do të shkaktojnë perfeksionimin e lojtarëve dhe do të zgjojnë ndjesinë nacionale’’

Samimi fizikisht i kishte këto cilësi të racës arbërore jo vetëm në paraqitjen; trup-lartë e shpatullgjerë por edhe në cilësitë mendore e shpirtërore . Aftësitë organizative në edukimin fizik si edhe lënda mendore e eruditit e ngriti futbollin, sportin shqiptar, në baza shkencore duke dhënë një kontribut të vyer jo vetëm si lojtarë në fushë, por si inisiator për formacione të reja: këshillonte, mësonte me shembullin e tij, si një veprimtar i palodhur deri në sakrificë.

Në një foto, në Zagreb 1934, dallohet Dr. Samimi Kryetar me Ekipin e parë Kombëtar të atletikës të themeluar prej tij. : Atletët të veshur me fanelat tradicionale kuq e zi me shqiponjë dykrenare në gjoks.

Foto tjetër në Stamboll 1935, Kombëtarja e Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së lehtë në ceremoninë e hapjes, Dr. Samimi kryetar ekipi, në krye flamurtari me simbolin kombëtar.

Roli i Dr Samimit në pranimin e Shqipërisë në IAAF (International Association of Athletics Federation ), siç e pohon gazetari sportiv i mirënjohur B. Dizdari, gjeti mbështetjen e padiskutueshme të Ministrit të Arsimit Dr. M. Ivanaj i cili kur ishte në Shkodër Drejtor i Gjimnazit kishte bërë një organizim të disiplinuar në edukimin sportiv deri duke plotësuar mungesat me shpenzimet e veta .

Pasioni për sportin nuk e linte të qetë edhe kur ishte mësues në Shkodër 1952, në shkollën e mesme pranë laboratorit shkencor veterinar , shkonte vullnetarisht në punimet e stadiumit të ri si punëtor i thjeshtë .

 I rrinte afër projektuesit dhe drejtuesit teknik të punimeve, Profesorit të edukimit Fizik në Gjimnazin e Shkodrës Prof. Irfan Tërshanës. ( Atëhere e kam njohur edhe unë, Dr. Samimin u miqësua me tim Atë , kur vinte të takonte mikun e tij bashkëstudente në Turqi Ahmet Efendinë , ngjitur me shtepinë tonë dhe me vonë si mik i familjes Leka)

Mbi të gjitha në veprimtarinë e Doktorit është gjurmimi shkencor në vitet 1930-45

Siç e pohoi vetë, në Gjyqin special, për punën 15-vjeçare:” Rreth “70% e shkrimeve janë me përmbajtje bujqësore”

Dr. Samimi duke qenë Inspektor Epror i Blegtorisë 1940- 1944, arriti të realizonte dhjetra studime dhe të përfaqësonte Shqipërinë në Kongreset e Zooteknisë në Kopenhagen, Zurich, Foggia, Napoli. e Milano. Studimet, publicistika, kumtesat e Prof. Samimit ishin me vlera shkencore në fushën e zooteknisë, veterinarisë, bujqësisë. Si vepra në dobi të ekonomisë të cilat i referoi në auditore evropiane, e bënë të njohur ndërkombëtarisht. Edhe pse punoi ndershmërisht pa u përfshirë në formacione politike, por vetëm shkencore e kulturore në shumë fusha të jetës në dobi të çështjes kombëtare , dënohet në Gjyqin Special 1945. pse shkroi librin ‘’Nëna Kosovë’’.

E atakuan për propagandë antinacionalçlirimare … kur ishte në pozicionin e Sekretarit të Ministrisë së Kulturës Popullore; ndërsa Ai pohonte përkushtimin në studime shkencore të Veterinarisë me “artikuj me një frymë humanitare dhe krejt të paanshëm”

 E akuzuan për artikullin në 6 janar 1944 “Goditëm por dëgjomë” por Samimi jua dha përgjigjen e merituar se ishte një shkrim humanitar , kundër vëllavrsjes, kundër shovenizmit, luftë kundër okupatorit, por jo luftë për zgjidhjen e problemit të Kosovës ……

(Nuk ishte i vetëm Dr. Samimi që e pësoi me akuza absurde, edhe ata që e dekoruan për meritat e tij ‘’ Mister i Kulturës Shqiptare “, Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi , u elimininuen fizikisht, si edhe shumë sportistë, atletë të ekipit që drejtonte jashtë shtetit , pjesëmarrës të kampionatit Evropian, rekordmen , ndër të parët në historinë e sportit dhe atletikës shqiptare u eliminuen , dhe shumë të tjerë në vazhdimësi ( Sefedin Biçaku, më vonë Abdyl Këllezi …)

Vepra ‘’Shqipëria e Vërtetë, Nëna Kosovë’’ 1943 është prozë poetike e bukur me një figuracion të pasur, shkruar prej një atdhetari të ndërgjegjshëm guximtar me kurajo qytetare.

Një fragment ku ka dhënë gjithë ndjesinë shpirtërore

Dr.Vasfi Samimi

“Në Kosovë për të parën herë njeriu e ndjen veten të hyjë në Tempullin Kombëtar …. Aty për herë të parë besoni vetveten …. Me një nderim të amshuar, ngjiteni në Altarin e Atdheut, me një nevojë të brendshme për të folur rreth Kombit, racës, historisë, dhe dëshmorëve . Bukuria e Kosovës është bukuria e së drejtës, zëri i Kosovës është zëri i historisë dhe shkëlqimi i saj është drita e së vërtetës…. . Aty gjejmë themelet më të forta të qenies s’onë kombëtare dhe të gjakut Arbëror …. Veçanërisht ata të maleve dhe të bjeshkëve dallohen menjëherë si simbolet e Fisnikërisë dhe të origjinalitetit të racës Arbërore …U përngjisnin malesorëve tanë shkodranë …. .

 Trup të gjatë , supe të gjerë, krahëror burrash , eshtra të forta, …. . Ishin me të vërtetë si një përmendore shëndeti “

Ndaj Kuteli në artikullin kritik për librin ‘’Nëna Kosovë’’ shkruante: Libri mburon , pa fjalë, nga një zell veprimtarije të cilën duhet ta nënvizojmë me fjalë lëvdate , …vepra përmban brenda saj një sulm lirik të prekshëm” …. Duke e vazhduar kritikën për përsosmërinë e veprës…

Këto lloj polemikash konstruktive kishte midis kolegëve si J. Milaj te –

Raca shqiptare dhe kombi Shqiptar—në polemikë me Dr. V. Samimin — 1944…. Polemika luante një rol të rëndësishëm për të përmirësuar e përsosur mendimin progresiv për zgjidhjen e problemeve shoqërore (ekonomike, politike, kulturore) e kombëtare.

 Sado që Samimi punoi shumë në sistemin zooteknik – veterinar, në laboratorin bakteriologjik, në administrim të studimeve shkencore, mësues në shkollën e mesme të veterinarisë në Shkodër, pedagog në Universitetin Bujqësor, por mendjen dhe zemrën nga sporti s’e hoqi kurrë. Gjente kohën të dilte në terren për të parë hapësira të përshtatshme për lojëra sportive. E shihte mungesën e stadiumeve ndaj kur realizohej ndonjë projekt i ri, ndjenja e atdhetarisë me shpirtin sportiv i zgjonte krenarinë kombëtare, ta shihte stadiumin me trupa të fortë e të shëndetshëm të stërvitur per fitore, që të ishin magnet, për të tërhequr zërat shpirtëror, në një qendër bashkimi për t’ia naltësue emrin Shqipërisë .

Kur po ndërtohej Stadiumi në Tiranë1946, Dr. Samimi e imagjinonte ditën e inagurimit kështu :

“Banda fillon …Ngrehuni në këmbë! Shikoni edhe nderoni Valvitjen e Flamurit Kuq e Zi me shkabën dy krenore në qiellin e kaltër t’Atdheut …. Atje do të parakalojnë çapat e hekurta, muskula të çelnikta , krahërorë të gjerë , sy të shkëlqyer drejtë ardhmërisë …. ”V. S.

 Nuk është një imagjinatë pa bazë, Samimi në rininë e tij kishte shpenzuar energji të shëndetshme në stadiumet e botës dhe të Atdheut dhe ate dëshironte për brezin e ri, ta disiplinojë energjinë Aty ku talenti i drejton.

Samimi si personalitet i rrallë, intelektual i shquar ishte përfaqësues i denjë i kombit Shqiptar.

Dr. Veteriner, Shkencëtar- biolog, futbollist, themelues i Kombëtares së Futbollit Shqiptar, Bashkëpunonëtor me Dr. Bilal Golemin, në laboratorin biologjik. Sekretar I Ministrisë së Kulturës Popullore, Mësues në “Institutin Veterinar” Shkodër, Profesor në UBT, Shkrimtar, publicist, artist, studiues I ideve të Rilindësve si Sami Frashërit, Hoxhë Tahsinit . . Mësimet e të cilëve ia zgjeruan njohuritë për Shqipërinë natyrale dhe gjuhën shqipe, duke u përqëndruar në çështjen e Kosovës , të Çamërisë dhe gjithë shqiptarisë.  

Familja e Dr.Vasfi Samimit.

Profesori Turk e kishte vlerësuar :

‘’Intelektual i jashtëzakonshëm, personalitet i jetës Akademike . ’’

Kolana enciklopedike me 28 libra e plotësuar pas vdekjes, e publikuar nga djemtë e tij (sponsoruar nga Z. Haki Korça, sportist i mirënjohur shqiptar, vëllai i bashkëshortës, Znj. Saxhide ) përbën një vepër madhore shumë dimensionale – shkencore – kulturore që e përjetëson intelektualin erudit, Dr. Vasfi Samimi. Veprimtaria e tij frymëzon sot rininë shqiptare për beteja paqësore.

Dr. Samimi nuk jeton sot por do të citohet në auditoret e Universitetit Bujqësor e më tej, në gazetarinë sportive, në veprimtaritë letrare, në Akademinë e shkencave, në Akademinë e Arteve

Do të kujtohet ne ndeshjet sportive sikur të jetë prezent, në stadiumet e reja, që aqë shumë  ëndërronte ndërtimin e tyre. Sa do të . kënaqej. kur të shihte e të dëgjonte si harmonizohen lojtarët me ndjekësit, të entuziazmohej me thirrjet e fuqishme të spikerit në stadium kur zëri i admirueshëm të troket në zemër : kanë ardhë nga Kosova, e Presheva, nga Shkupi e Ulqini …me plisa në kokë dhe flamurin kombëtar në dorë, disa e kanë harkuar në qafë . . ku të gjithë thërrasin — bashkimi kombëtar—… Por do të entuziazmohej edhe më shumë, në se do të dëgjonte nga tranzmetuesi të ardhurit – nga Çamëria — por kjo mungon ….

E kishte në qendër të studimeve Çamërinë, për të cilën shkroi sipas mësimeve të dijetarit Sami Frashëri.

Ideologu i Rilindjes Kombëtare, S. Frashëri kaloi 7 vjet në Janinë, në enciklopedinë 6 vëllimshme shkruante gjerë e gjatë për Çamërinë, për Epirin e Suliotët, për Vilajetin e Janinës duke I lënë një vend të veçantë mësuesit tij të nderuar, Hoxha Hasan Tahsin I cili u mëkoi nxënësve tij krenarinë Arbnore duke thënë:

’’ Jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, ndaj duhet të jetojmë më vete si gjithë kombet e tjerë, ” H. H. Tahsin

Samimi i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe atdhetarit të Çamërisë, shkencëtarit Hasan Tahsini, rektori i parë i Universitetit të Stambollit … Fatkeqësisht kjo e bekuar tokë shqiptare ka mbetur pa përkrahje Të shpresojmë të zgjidhet ai ngërç, që po mohojnë ekzistencën e një populli që u masakrue nga fqinji jugor. Shpresojmë ta dëgjojmë emrin Çamëri, Në forume të larta Evropiane, Ballkanike, në kuvende e mitingje shqiptare , në shkolla e kolegje, ne ndeshje sportive në dokumentarë … Ajo ekziston me historinë e vet, në mijëra vjet, në tokën e vet shqiptare, Shpresojmë që korrigjimi do të bëhet prej atyre që e ndanë… …realitet i prekshëm që do të plotësojë ëndrrën shekullore shqiptare… Deshira e madhe e Atdhetarit , Dr. Samimit . Të jemi entuziast se po frynë era e Bashkimit.

Nuk. jam nisur thjeshtë për një përkujtimore as për të vënë në dukje tre personalitete, të cilët i kam njohur përsonalisht, . Nuk kam marrë përsipër të jap mendime për Antroplogjinë, apo për të komentue veprat letrare të tyre , por për të evidentue përvojën jetësore të tyre si shkencëtar aktiv dhe shkrimtar të talentuar, të cilët nuk punuan për mburrje a për emër, por me veprat e tyre të ishin TE DOBISHËM për bashkimin e shqiptarëve në një shteti të fortë me një ekonomi të qëndrueshme.

Sot kemi nevojë për shkencëtarë teknikë si ata që me mençuri dhe kreativitet zgjidhen probleme praktike . Sot problemet sociale politike ekonomike janë më të ndërlikuara, sepse kjo kategori e punëtorëve shkencorë kërkojnë të jenë aktiv , por janë të papërfillshëm nga ata, të cilët mendojnë se ’’i dinë të gjitha’’

Ata shpenzuan shumë kohë jashtë në universitet e Evropës, akumuluan dituri, u kthyen në vendlindje me diploma të shkëlqyera, për të vënë në jetë dijet e fituara me dëshirën për të jetuar në një Shqipëri që të lartësohet si shtetet e tjera të Evropës nepërmjet evoluimit ekonomik , politik e kulturor, social e familjar. Ata krijuan familje të shëndetshme të qëndrueshme harmonike që iu bënë ballë sfidave të jetës me një qëndrim solid pa u përçarë, nga padrejtësitë e regjimit diktatorial, siç ndodhi atëhere në familjet me poste drejtuese , kur rrëzoheshin nga pushteti, u shkatërrohej familja , për arsye politike.

 Qëndrimet e këtyre personaliteteve të lartpërmendur, si përmendore e një plejade të tërë intelektualësh mendjendritur, sollën mesazhe humaniste, shembull i përkryer për rininë e sotme shqiptare të kudondodhur.