Trendafilova: Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm

Prishtinë, 29 nëntor 2023 – Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se kjo gjykatë mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë”, ka thënë Trendafilova gjatë një diskutimi me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë.

Ajo ka theksuar se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara “nuk do të komprometojnë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës”.

Trendafilova mohoi kategorikisht mundësinë e ndërhyrjes ndaj gjyqtarëve të Speciales, nga kushdoqoftë.

“Nuk ka pasur asnjëherë presion apo ndërhyrje në atë që ne bëjmë. Ne udhëhiqemi nga ligji dhe nga faktet e çështjes. Kaq. Këtë e them për të gjithë kolegët, për të gjithë gjyqtarët”, ka thënë ajo.

Trendafilova theksoi se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara nuk do ta komprometojnë asnjëherë zbatimin e drejtë të ligjit.

“Gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do ta komprometojnë kurrë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës”, u shpreh ajo.

Trendafilova tha se deri më tash gjykatësit e Gjykatës Speciale nuk kanë qenë subjekt as i ndonjë ndikimi apo presioni politik.

“Deri tash nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi ndokënd, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo i atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, tha ajo.

Trendafilova u pyet edhe për kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e të gjitha vizitave dhe komunikimeve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ajo theksoi se takimet e të akuzuarve me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen.

“Është thelbësore që takimet me ekipet mbrojtëse nuk mund të limitohen fare. Ato janë takime të lira dhe pa asnjë lloj monitorimi. Kjo është marrëdhënia e shenjtë mes klientit dhe mbrojtjes”, u shpreh ajo.

Trendafilova u pyet edhe për seancat e mbyllura të dëshmtarëve. Ajo tha se mbyllja e seancave nuk është bërë vetëm me kërkesë të sëshmitarëve apo të prokurorisë, por edhe me kërkesë të mbrojtjes.

“Psikologu i gjykatës punon me dëshmitarët, në atë që ne e quajmë familjarizim. Ai e dërgon dëshmtarin në sallën e gjyqit, ia shpjegon tërë procedurën se si do të ndodhë. ‘Ti do të ulesh këtu, do të të pyesin, ti duhet të përgjigjesh’, e kështu me radhë. ‘Nëse ndiheni që nuk jeni rehat, vetëm na e bëni me shenjë’. Ka pasur dëshmitarë që kanë dashur të jenë të mbrojtur nga kontakti vizual me disa nga të akuzuarit”, ka thënë ajo.

(r.m.)