Uashington, 18 gusht 2025 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, priti të hënën në një takim të veçantë në Shtëpinë e Bardhë, Presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelensky, e pastaj në një takim të përbashkët Zelenskyn dhe liderët evropianë (Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni dhe Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb).
Takimi u zhvillua tri ditë pas takimit që Trump e kishte zhvilluar në Alasaka me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në fillim të takimit, Trump i falënderoi liderët evropianë për angazhimin e tyre për arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Duam t’i ndalojmë vrasjet dhe ta zgjidhim këtë”, tha ai, citon Radio Evropa e Lirë.
Trump njoftoi se me Zelenskyn ka biseduar për “shumë çështje” që kanë të bëjnë me ndërprerjen e luftimeve dhe me gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Më pas ai tha se liderët evropianë do të tregojnë se “kush çfarë do të bëjë” për garantimin e sigurisë për Ukrainën.
“Presidenti Putin ka pranuar se Rusia do të pranonte garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe kjo është një nga pikat kryesore që duhet të shqyrtojmë dhe ne do ta shqyrtojmë këtë në tryezë”, tha ai.
“Jam optimist që kolektivisht mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengojë çdo agresion të ardhshëm ndaj Ukrainës dhe unë në të vërtetë mendoj se nuk do të ketë [agression]”, shtoi Trump.
Ai tha se me Zelenskyn ka diskutuar edhe për, siç u shpreh, “mundësinë e shkëmbimeve territoriale” për përfundimin e luftës, por nuk dha detaje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi “shumë të mirë” bisedën me presidentin Trump.
“Mendoj se pata një bisedë shumë të mirë me presidentin Trump”, tha ai.
Zelensky nuk tha asgjë për atë që presidenti amerikan e cilësoi si “mundësi të zhkëmbimeve territorial”, por pranoi se me Trumpin ka diskutuar edhe për “pika shumë delikate”.
Ai tha gjithashtu Presidentit Trump ia ka treguar “shumë hollësi” të hartës së fushës së betejës.
Lideri ukrainas tha se Trump po përpiqet ta organizojë një takim trepalësh (SHBA-Rusi- Ukrainë) dhe se ai do të ishte i lumtur nëse në atë takim do të merrte pjesë edhe Trump.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë para takimit eventual të liderëve të dy vendeve, duke e kundërshtuar kështu thirrjen e presidentit amerikan për të punuar drejt një marrëveshjeje për paqe me Rusinë.
“Unë nuk mund ta imagjinoj që takimi i radhës të zhvillohet pa një armëpushim, prandaj të punojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha Merz.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një takim katërpalësh mes Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve, si përgjigje ndaj synimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ulur në një tryezë presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.
“Mendoj se si hap i radhës do të na duhet ndoshta një takim katërpalësh, sepse kur flasim për garanci sigurie, flasim për sigurinë e tërë kontinentit evropian”, tha Macron.
Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i tha Trumpit se gatishmëria e tij për të marrë pjesë në garancitë e sigurisë për Ukrainën përbën “përparim të madh” dhe se kjo “e bën të gjithë ndryshimin”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, bëri thirrje për të punuar të gjithë së bashku për “një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, ndërsa kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e quajti takimin “ditë të rëndësishme dhe fazë të re”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se beson se ata mund të bëjnë “përparim real” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë.
“Po flasim për sigurinë, jo vetëm të Ukrainës, por edhe për sigurinë e Evropës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, prandaj kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, tha ai.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, kërkoi që vendi i tij të përfshihet në garancitë për siguri.
“Ne e kemi gjetur një zgjidhje në vitin 1944 dhe jam i bindur se edhe në vitin 2025 do të mund të gjendet një zgjidhje për ta përfunduar luftën agresore të Rusisë dhe për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se javët në vijim do të tregojnë nëse është arritur përparim për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Mendoj se presidenti Putin dëshiron gjithashtu të gjejë një përgjigje, por do të shohim”, tha Trump.
“Brenda një periudhe të caktuar kohore, jo shumë të largët, një ose dy javë, do ta dimë nëse do ta zgjidhim këtë ose nëse kjo luftë e tmerrshme do të vazhdojë”, theksoi ai.
Pasi përfundimit të pjesës publike të takimit, Donalt Trump i takoi privatisht liderët evropianë dhe Volodymyr Zelenskyn.
I dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për Rusinë, Steve Witkoff, ka thënë se Vladimir Putini është pajtuar t’i lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën.
(r.m.)