Uashington / Moskë / Kiev, 5 korrik 2026 – Presidenti amerikan Donald Trump ka biseduar me telefon me presidentin rus Vladimir Putin dhe me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.
Bidesimet janë zhvilluar në prag të festimeve të Pavarësisë së Amerikësdhe në prag të pjesëmarrjes së Trumpit në samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara, raporton DW.
Juri Ushakov, këshilltar i presidentit rus, ka thënë se Putin ia ka paraqitur presidentit Trump “qëndrimet e tij” lidhur me situatën dhe zhvillimet aktuale në Ukrainë. Por, ai nuk ka treguar se cilat janë këto qëndrime dhe nëse kanë ndryshuar pikëpamjet e tij lidhur me mundësinë e përfundimit të luftës.
Ushakov ka thënë se Trump e Putin, gjatë bisedës së tyre që ka zgjatur 85-minuta, kanë diskutuar edhe për çështje që lidhen me Iranin dhe me rajonin e Gjirit.
Ndërkaq, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një postim në platformën X, ka njoftuar për bosedën telefponile me Presidentin Trump, të cilën e ka cilësuar si “shumë të mirë”.
Zelensky ka treguar se gjatë bisedës është diskutuar për luftën në Ukrainë, për situatën në vijën e frontit dhe për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas tij, ai dhe Trump kanë rënë dakord të vazhdojnë bisedimet gjatë samitit të NATO-s në Ankara, ku pritet të marrin pjesë liderët e 32 vendeve anëtare.
“Ekziston perspektiva për t’i dhënë fund kësaj lufte. Vendosmëria e SHBA-së është vendimtare”, ka theksuar Zelensky, duke falënderuar Uashingtonin për mbështetjen në mbrojtjen e pavarësisë së Ukrainës.
Ndërkohë Ukraina dhe Rusia kanë vazhduar sulmet ndaj njëra – tjetrës. Gjatë natës së të shtunës Ukraina ka kryer një valë të gjerë sulmesh me dronë brenda territorit të Rusisë. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore i kanë neutralizuar pothuajse 500 dronë.
Zelensky ka thënë se forcat ukrainase kanë goditur infrastrukturën e naftës në porte të cilat gjenerojnë të ardhura për financimin e luftës ruse, si edhe bazën detare në Kronstadt pranë Shën Petersburgut, të cilën e cilësoi si “një objektiv të rëndësishëm ushtarak”.
Sulmet e fundit ukrainase janë kundërpërgjigje ndaj sulmit të rëndë rus të kryer të enjten ndaj Kievit, ku u vranë 30 persona, dhe sulmit të kryer të premten në mbrëmje ndaj qytetit Sumy, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën 33 të tjerë.
(r.m.)