Uashington, 23 janar 2024 – Ish-presidenti Donald Trump dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley po përballen sot në zgjedhjet paraprake republikane në shtetin verilindor të Nju Hempshërit. Zoti Trump fitoi zgjedhjet e para paraprake në shtetin e Ajovas javën e kaluar me një rezultat bindës. Zonja Haley dëshiron të sigurojë një rezultat të mirë për të vazhduar fushatën për të siguruar emërimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Qendrat e votimit nuk mbyllen deri në mbrëmje, por në vendbanimin e vogël të Diksvill Noç, votuesit hodhën votat e tyre menjëherë pas mesnate dhe të gjashtë votat ishin për zonjën Haley.
Një sondazh i përbashkët i Universitetit Suffolk, gazetës ‘Boston Globe’ dhe Televizionit ‘WBTS’, i publikuar të hënën, e nxori zotin Trump me 57% mbështetje krahasuar me 38% për zonjën Haley.
Ish Presidenti Trump fitoi zgjedhjet e javës së kaluar në Ajova me më shumë se 50% të votave, ndërsa zonja Haley u rendit në vendin e tretë.
Gara për emërimin e Partisë Republikane, pas largimit të Guvernatorit të Floridas Ron DeSantis, e shndërroi atë në një përballje mes dy personash, zotit Trump dhe zonjës Haley. Sipërmarrësi Vivek Ramaswami u tërhoq menjëherë pas zgjedhjeve në Ajova ku ai doli i katërti.
Ai që e merr emërimin e partisë do të përballet në zgjedhjet presidenciale të nëntorit me kandidatin demokrat që sipas të gjitha gjasave do të jetë Presidenti Joe Biden.
Ish Ambasadorja Haley tha të hënën në mbrëmje gjatë ditës së fundit të fushatës në Nju Hempshër, se kandidatura e saj është për “zgjidhje të reja” ndryshe nga një mandat i dytë i mundshëm i zotit Trump që, sipas saj, do të thoshte “vazhdimi i të njëjtës gjë”.
“Ne ose mund të bëjmë gjithçka që kemi bërë gjithmonë dhe të jetojmë në atë botë kaosi që kemi pasur, ose mund të ecim përpara pa dramë, pa hakmarrje dhe të ofrojmë rezultate për popullin amerikan”, u tha zonja Haley gazetarëve.
Ish Presidenti Trump, i cili ka siguruar përkrahje nga ish-konkurrentët, duke përfshirë Guvernatorin DeSantis dhe sipërmarrësin Ramaswamy, u tha mbështetësve të tij se Partia Republikane po “po bëhet gjithnjë e më e bashkuar”.
“Unë mendoj se një person do të largohet (nga gara) nesër dhe tjetri do të largohet në nëntor”, tha zoti Trump. “Por tani është koha që Partia Republikane të bashkohet. Duhet të bashkohemi.”
Demokratët e Nju Hempshërit po mbajnë gjithashtu zgjedhje paraprake të martën, por Presidenti Biden nuk është në fletëvotimet e tyre.
Partia Demokratike shpresonte që gara e parë në zgjedhjet paraprake të garës presidenciale të mos mbahej në Nju Hempshër, duke preferuar të vinte Karolinën e Jugut të parën në kalendar.
Demokratët e Nju Hempshërit thonë se ligjet e shtetit kërkojnë që ata të mbajnë zgjedhjet e para paraprake. Ata që dëshirojnë të mbështesin Presidentin Biden do të kenë mundësinë ta shkruajnë me dorë emrin e tij në fletëvotim.
Fitorja në Karolinën e Jugut ndihmoi në ringjalljen e fushatës së zotit Biden në zgjedhjet paraprake demokrate të vitit 2020, pas disa rezultateve të dobëta në shtetet e tjera.
Votuesit demokratë dhe ata republikanë në shtetin juglindor do të hedhin votat e tyre paraprake më 3 shkurt.
Pasi të kenë përfunduar garat e votimit shtet pas shteti, republikanët do të zgjedhin zyrtarisht kandidatin e tyre presidencial në një konventë në muajin korrik.
Konventa e demokratëve mbahet në muajin gusht.
(Zëri i Amerikës)